Aksionerët e One Communications kanë rifinancuar kredinë që morën për blerjen e kompanisë nga banka bullgare Fibank, nëpërmjet një kredie sindikale të marrë tek tre banka të grupi hungarez OTP.
Sipas informacionit nga studio e këshillimit ligjor për operacionin, “Kalo& Associates” bankat rifinancuese do të jenë Banka OTP Hungari, Banka OTP Albania dhe Banka DSK Bullgari (pjesë e OTP Group).
Në vitin 2019, konsorciumi Albania Telecom Invest (ATI) mori një kredi prej 48.5 milionë eurosh te First Investment Bank Bullgari, që mbuloi pjesën më të madhe të çmimit të blerjes prej 50 milionë eurosh të Telekom Albania. Kredia u garantua përmes kolateralit financiar, në formën e barrësimit të aksioneve të ATI në kapitalin e Telekom Albania, sot One Communications. Sipas formulës së zgjedhur nga huamarrësit, pagesat e kredisë bëheshin nga kompania One Communications dhe shuma vjetore e tyre i zbritej aksionerit ATI nga dividendi.
ATI zotëron rreth 99.9% të aksioneve të One Communications. Tashmë, pjesë e mbetur prej rreth 37 milionë eurosh është rifinancuar në një kredi të re, me afat maturimi 10 vjeçar, nga bankat e grupit hungarez OTP. Sipas aksionerit kryesor të kompanisë, rifinancimi është bërë për të optimizuar të gjithë planin e investimeve të kompanisë dhe për të krijuar hapësira për mbështetjen e investimeve të tjera të ONE.
“Me këtë transaksion optimizojmë edhe më tepër strukturën financiare të kompanisë. Kjo do të na japë mundësi dhe më të mira të planifikojmë për investime të mëtejshme afatgjata në infrastrukturë, në mënyrë që të konsolidojmë pozicionin e ONE Telcommunications, si kompania me mbulimin më të mirë dhe rrjetin më të shpejtë të telefonisë celulare në Shqiperi,” thotë për “Monitor” Elvin Guri, aksioneri i shumicës në ATI.
Vitin e kaluar, struktura e tërthortë aksionere e ONE pësoi sërish ndryshime, pasi aksioneri kryesor Spass Rusev e shiti paketën e tij të aksioneve në ATI tek ortaku tjetër, Elvin Guri dhe tek drejtori i përgjithshëm i Vivacom Bullgari, Atanas Dobrev. Elvin Guri është tashmë aksioner shumice me 54% të aksioneve, ndërsa pjesa e mbetur prej 46% mbahen nga Dobrev.
Pas kalimit të pronësisë nga grupi OTE tek konsorciumi ATI, performanca financiare e ONE është përmirësuar ndjeshëm. Në dy vitet e fundit, 2019-2020, ONE ka realizuar fitime neto për një vlerë totale prej afërsisht 8 milionë eurosh. Që nga viti i kaluar, kompania ka nisur një program të rëndësishëm të investimeve në rrjet, me qëllim rritjen e mbulimit dhe cilësisë së shërbimit me internet me brez të gjerë.
ONE ishte i vetmi që raportoi një rritje të numrit të përdoruesve aktivë në 2020, duke arritur në 873 mijë përdorues ose 2.5% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo i jep ONE një pjesë tregu prej 34.7% sipas numrit të përdoruesve aktivë, nga 33.8% një vit më parë./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.