Kanë mbetur edhe shtatë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës as pas takimit të mbrëmshëm dhe pas afro tre muajsh negociata nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për bashkëqeverisje. Pas takimit të mbrëmshëm ndërmjet liderëve të LVV dhe LDK-së u bë e ditur se edhe sot do të zhvillohet një tjetër takim së bashku me ambasadorët e QUINT-it dhe shefen e Misionit të Bashkimit Evropian.
Pa marrëveshje ka përfunduar edhe takimi i së hënës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike. I radhës do të mbahet të martën (sot) por me prezencën edhe të ambasadorëve të QUINT-it dhe me shefen e Misionit të BE-së në Prishtinë, të cilët janë ftuar me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja. Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së. Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”, ka njoftuar Vetëvendosje.
Mospajtimet ndërmjet LVV dhe LDK-së për bashkëqeverisje janë për shkak të pozitave, ku LDK po kërkon kryeparlamentarin, pesë ministri dhe zotimin për mbështetje e kandidatit të tyre për president në vitin 2021.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë që Vetëvendosje në takimin e së hënës ka theksuar se nuk dëshiron të kthehet prapa në ditën kur nisën bisedimet për koalicion.
“Ne kemi shkuar në takim sot me VV për ta mbyllur këtë marrëveshje. Qëndrimet tona janë konsistente. Dëshirojmë të konfirmojmë që ato kanë bazë. Qëndrimi i VV është të mos ketë kthim mbrapa 26 dhjetorit; gjë që nënkupton që të mos bisedojmë për Kryetarin e Kuvendit për këtë fazë. Kjo është arsyeja që nuk erdhi deri te mbyllja e marrëveshjes. LDK nuk do ketë rol jashtë atij opozitar – ne s’kemi opsion tjetër”.
Haziri ka thënë që vendet e Quint-it në takimin e nesërm mes LDK dhe VV do të kenë më shumë rol informues.
Më shumë roli i tyre do të jetë informues. Vendet e Qunit mund të japin atmosferë pozitive, përndryshe vullneti politik edhe nga ana jonë edhe VV është konfirmuar e që është për marrëveshje të përbashkët”.
Në ofertën e fundit publike, LDK i kërkoi Vetëvendosjes të heqë dorë nga kryeparlamentari në vitin e parë të bashkëqeverisjes. Pas një viti, kur LDK-ja të marrë postin e presidentit, kjo parti ka thënë se do ta kthente pozitën e kryeparlamentarit te VV. Por, kjo e ka fundit e ka quajtur të papranueshme kërkesën e LDK-së, duke thënë se nuk mund ta heqë nga kjo pozitë.
Në seancën konstituive të 26 dhjetorit, Glauk Konjufca është zgjedhur për kryetar të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Albin Kurtin, kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re të vendit, ndonëse ky i fundit nuk i erdhi në zyrë ashtu sikurse ai e kishte ftuar.
Ndryshe, 4 shkurti është afati i fundit për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
/Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.