Janë një sërë problemesh që po ndikojnë negativisht te bizneset e mëdha në vend, që prekin një sërë sektorësh, si arsimin privat, telekomunikacionet, çimenton, hidrokarburet etj., duke vështirësuar dhe më tej ecurinë e biznesit në këto kohë të vështira krize. Të detajuara, këto shqetësime i janë përmbledhur në një letër ministrit të financave Ridvan Bode, dërguara nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Problemi me ligjet
Bizneset anëtare të Dhomës Amerikane konstatojnë një problematikë të theksuar lidhur me mënyrën e interpretimit të ligjeve dhe akteve nënligjore nga administrata tatimore dhe veçanërisht lidhur me një fenomen të ri: ligjet që më parë janë interpretuar në një mënyrë të caktuar, po marrin një interpretim të ri. Në praktikë ndodh që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nxjerr një interpretim/qëndrim të ri dhe organet tatimore nuk e aplikojnë këtë me efekt pas nxjerrjes së tij, por ushtrojnë kontrolle të qëllimshme për rivlerësimin tatimor për një periudhë deri në pesë vjet përpara. Këto interpretime të reja po përdoren si bazë për vendosjen e gjobave marramendëse, që mund të përbëjnë rrezik për vazhdimësinë e një numri biznesesh në mënyrë të menjëhershme.
Universitetet private
Paraqesin dy probleme kryesore: atë të trajtimit të pedagogëve të jashtëm si persona me kontratë pune, një praktikë e shumë viteve dhe që është zbatuar si e tillë edhe në sektorin publik dhe në sektorin privat. Nga kontrollet e fundit është kërkuar që pedagogët e jashtëm të paguajnë edhe sigurimet shoqërore dhe të kenë kontrata punësimi dhe jo kontrata shërbimi, siç e kërkon ligji; dhe rivlerësimi i shpenzimeve si rezultat i dhënies së bursave. Universitetet paraqesin problemin e mosnjohjes për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin të një pjese të shpenzimeve, të cilat konsiderohen të lidhura me studentët e kategorive të ndryshme që përfitojnë bursa, megjithëse këto bursa jepen për shtresa në nevojë, fëmijët e policëve të vrarë, komunitetin rom, apo dhe fëmijët me rezultate shumë të larta në mësime. Në një rast, shuma e detyrimeve të llogaritura nga administrata tatimore arrin deri në 30% të xhiros vjetore. Kjo llogaritje nga inspektorët tatimorë vjen nga një proces rikontrolli i së njëjtës periudhë dhe të njëjtave procedura që një kontroll i mëparshëm i ka certifikuar si të drejta.
Telekomunikacionet
Ligjit “Për TVSH” aplikohet në masën 0% për shërbimet e interkonjeksionit. Me gjithë shpjegimin edhe të Ministrisë së Financave, Tatimet argumentojnë se fillimi i zbatimit të një praktike të tillë nuk është kur ka dalë ligji, por kur ka dalë vendimi, pra më shumë i jepet rëndësi udhëzimeve se ligjeve të miratuara në Parlament.
Mosnjohja e TVSH-së së reklamave dhe marketingut, konsiderohet një tjetër problem jo pak i rëndësishëm. Industria e telekomunikacionit ngre edhe shqetësimin e mosnjohjes së kreditimit të TVSH-së në blerje nga inspektorët tatimorë për aktivitetet e marketingut dhe reklamës, kur ligji thotë shprehimisht ndryshe, thotë Dhoma.
Industria e çimentos
Kompanitë e kësaj industrie flasin për rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit, të cilat kanë ardhur kryesisht nga ndryshimet më të fundit në legjislacionin shqiptar. Kur kemi një kompani që për një vit rrit kostot me miliona euro për arsye të ndryshimeve ligjore të menjëhershme, ka një rënie të pranuar tashmë të tregut të materialeve të ndërtimit dhe shteti nuk i kthen 20 milionë euro TVSH të pranuar, krijohet një situatë tepër kritike. Aq më tepër që këto shuma janë tek investitorët, ata që seriozisht kanë vendosur të bëjnë biznes në Shqipëri.
Hidrokarburet
Problematika që lidhet me sektorin e hidrokarbureve rrjedh nga rivlerësime të reja tatimore që bazohen mbi interpretime të legjislacionit fiskal të zbatueshëm dhe qëndrime të ndryshme nga ato të pasura deri më sot. Politika e qeverisë shqiptare për sektorin e hidrokarbureve ka mbetur pothuaj e pandryshuar për më se 20 vjet. Megjithatë, së fundmi vihet re se kanë filluar të bëhen keqinterpretime të dispozitave të legjislacionit fiskal të zbatueshëm, trajtimet janë të reja, për raste që më parë janë trajtuar ndryshe.
Probleme hasen edhe me mënyrën e aplikimit të kreditimit të pjesshëm të TVSH nga inspektorët tatimorë, që në shumë raste ka qenë abuzive, duke kërkuar aplikim të përqindjes së kreditimit mbi të gjitha blerjet e bëra nga tatimpaguesi në total, pa bërë diferencimin që kërkon ligji dhe udhëzimi për TVSH.
Koncesionarët e makinave
Po kështu, edhe shitja e makinave të përdorura në parqe të palicencuara dhe lehtësisht të kontrollueshme, për të cilat nuk merret asnjë masë. Apo problematikat që vijnë sepse nuk bëhet homologimi i mjeteve që hyjnë në territorin e Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme edhe vjelja e gjobave për problemet e të drejtave të autorit dhe të pronësisë intelektuale, megjithëse interpretohet se tatimet nuk kanë asnjë lidhje me çështjet e IPR-it. Keqinterpretimi i dispozitave mbi sigurimin e detyrueshëm, rivlerësimi i kontributeve për anëtarët e bordit dhe të tjerë (njëlloj si te rasti i pedagogëve të jashtëm të universiteteve private), rivlerësimi i individëve me kontratë shërbimi, aplikimi i tatimit, një burim për shërbime të kryera jashtë territorit shqiptar dhe mungesa e akteve nënligjore për firot dhe dëmtimet, janë të tjera fenomene që shqetësojnë biznesin.
Rikontrollet e përsëritura
Një problematikë që vihet gjithnjë e më shumë në dukje këto kohët e fundit janë edhe rikontrollet. Një numër i madh kompanish, shqiptare apo të huaja, bëhen shpesh subjekt i rikontrolleve të vazhdueshme, të cilat nuk përmbushin asnjë bazë ligjore për kryerjen e tyre. Për më tepër, rikontrolli tatimor ka raste kur kryhet nga të njëjtët inspektorë, duke rënë ndesh me ligjin e procedurave tatimore. Kuadri ligjor në fuqi parashikon qartë dhe në mënyrë specifike se cilat janë kushtet në të cilat kryhet rikontrolli. Drejtoria e Apelimit Tatimor është mjaftuar vetëm me miratimin e rikontrollit nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve pa analizuar dispozitat ligjore përkatëse në qoftë se ky rikontroll është i bazuar në ligj apo jo.
Ka kompani që kanë kontrolle të përvitshme apo dhe kontrolle që zgjasin një vit, por në shumicën e rasteve, rikontrolli nuk është përligjur me ligjet në fuqi. Në lidhje me rikontrollet, mund të themi që nga administrata tatimore nuk bëhen të qarta dhe të evidentohen arsyet për rikontroll të së njëjtës periudhë tatimore dhe për të njëjtin lloj tatimi sipas dispozitave të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 85. Shoqëritë, të cilat janë subjekt rikontrolli, ndodh që nuk e kanë të qartë arsyen përse po rikontrollohen dhe gjithashtu nuk u vihet në dispozicion dokumentacioni përkatës në lidhje me miratimin për rikontroll që lëshohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Si pasojë e rikontrolleve, hasim në situata ku administrata tatimore del në konkluzione të ndryshme për kontrolle që i janë kryer një shoqërie për të njëjtën periudhë tatimore dhe për të njëjtin tatim.
Ka raste kur shoqëritë sapo kanë kaluar dhe përfunduar një kontroll për TVSH për një periudhë tatimore të caktuar dhe menjëherë pas kryerjes së kontrollit, shoqëria të ketë bërë kërkesën për rimbursim të TVSH-së së mbledhshme, e cila është njohur si e tillë gjatë kontrollit të kryer. Në këtë rast, administrata tatimore ka rinisur një kontroll tjetër për TVSH, me argumentin që kontrolli i mëparshëm që i është kryer shoqërisë nuk kishte në objekt të vet kërkesën për rimbursim. Kjo ka çuar në rikontroll të së njëjtës periudhë dhe për të njëjtin tatim jashtë parashikimeve të legjislacionit tatimor.
Në sektorin e import-eksporteve janë paraqitur raste kur kompania ka pasur kontrolle të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme, të planifikuara dhe të befasishme, nga drejtoria tatimore, hetimi tatimor, drejtoria doganore dhe hetimi doganor dhe pasi ka fituar edhe gjyqet për gjobat e vëna, së fundmi merr një urdhër për: rikontroll për periudhën 2006-2008; rikontroll për periudhën 2009-2010 dhe kontroll për 2010-2011.
Kontrollet e shpeshta kanë krijuar edhe mbivendosje duke arritur deri në 3-4 ekipe në të njëjtën kohë dhe më pas ka një “rikontroll total”. Industria e telekomunikacionit gjithashtu raporton për kontrolle të pafundme, të përvitshme dhe tepër të gjatë.
Rimbursimi i TVSH-së
Për bizneset, rimbursimi i TVSH konsiderohet një “plagë” e pashërueshme, pavarësisht ndryshimit të ligjit për ta zbatuar në kohë atë. Ky problem, ashtu dhe të tjerët e lartpërmendur janë trajtuar gjerë në letrën që dhoma i ka dërguar ministrit të Financave. Sa i takon TVSH-së, biznesi thotë se ka një frymë sqaruese në përgjithësi nga administrata tatimore dhe nga Ministria e Financave se është zgjidhur përfundimisht problemi i rimbursimit. Janë dhënë shifra për rimbursimin, si dhe ka pasur edhe nisma ligjore nga fundi i vitit 2010 për përdorimin e tepricës kreditore të TVSH për të shlyer detyrimet doganore, por që u lejua vetëm 2 muaj për t’u rivendosur edhe një herë në prill 2012. Nga ana e biznesit “benefitet” e kësaj procedure nuk janë shumë të ndjeshme, pasi ajo aplikohet vetëm në rastet e zbatimit të skemës së shtyrjes së TVSH-së dhe jo për çfarëdolloj importimi të kryer. Ka edhe një ligj tjetër që, për vonesat dhe mosshlyerjen në kohë të TVSH-së së rimbursueshme, nga ana e organeve tatimore (në mbështetje të nenit 53, ligji 7928, datë 27/04/1995 “Për TVSH”), pas afatit 30-ditor nga kërkesa për rimbursim, organet tatimore duhet të paguajnë kamatëvonesa. Në fakt, një numër i madh biznesesh dëshmojnë ndryshe. Të gjitha këto duket se ngelen vetëm në letër. Mosrimbursimi në kohë i TVSH mund të jetë fatal për një numër kompanish, sidomos për investitorët e mëdhenj. Një shembull i industrisë së materialeve të ndërtimit, që përmendet më sipër, tregon për shifra mbi 20 milionë euro rimbursim i munguar për një kompani të vetme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.