Gjatë seancës së sotme dëgjimor në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, i ftuar kreu i AKEP-it, Pirro Xhixho ka raportuar rreth aktivitetit të institucionit që drejton gjatë vitit 2014.
Xhixho ka deklaruar se të ardhurat e tregut të komunikimieve elektronike gjatë vitit të shkuar ishin 42 mld lekë, me një rënie rreth 7 % në bazë vjetore. (Rënia ka ardhur kryesisht si pasojë e uljes së të ardhurave nga thirjet hyrëse ndërkombetare. Ky është një element që do sqarim, pasi gjatë vitit 2014 nuk ka patur ulje çmimesh nga operatoret për këto lloj shërbimesh. Evidentohet kjo sidomos në raportimet e Operatorit Vodafone. SHENIM I REDAKSISE)
Xhixho vijoi duke theksuar se në tërësinë e tyre, 78 % e këtij tregu përbëhet nga ai i telefonisë celulare.
Në mesin e tyre, sipas raportit, Vodafone ka shënuar rënie 17 % të të ardhurave. I pyetur nga deputetët se pse ka ardhur rënia e të ardhurave nga thirrjet ndërkombëtare, ekspertët e AKEP dhanë si argument uljen e tarifave. Megjithatë ata nuk bënë komente lidhur me hyrjen në treg të një operatori të ri, Info-Telecom e cila ka ndër të tjera dhe aktivitetin e tranzitit kombëtar dhe ndërkombëtare, duke “devijuar” një pjesë të trafikut nga kompanitë celulare.
Sa i përket kartave SIM për telefoninë celulare, gjatë vitit 2014 numri i tyre shkoi 4.2 milionë, nga të cilët vetëm 3.4 milionë janë përdorues aktivë, të cilët e kanë përdorur kartën së paku një herë në tre muajt e fundit.
Ndërkaq, duke iu referuar thirrjeve celulare, Xhixho theksoi se ato brenda rrjetit u ulën me 83 % të totalit, nga 93 % të një viti më parë. (“Çuditërisht Kreu i AKEP i referohet raportit Off-Net/On Net që përfshin thirjet ndërkombëtare, në një kohë që sigurisht është koshient se raporti për të cilen duhet të referonte ishte ai Off-Net/On-Net që përfshin vetëm thirrjet Kombëtare (që ka të bëjë me mbylljen mes vetes të abonentëve të një operatori si në rastin e Vodafone Club) , që në tregun shqiptar ka treguesin më të keq në BOTE me rreth 95% dhe që ka patur një ulje aspak signifikante gjatë 2014!!! SHENIM I REDAKSISE)
Peshe e tregut të Vodafone Albania sipas të ardhurave, tha Xhixho, u reduktua nga 50 % në 46 %. (Gjithsesi, duhet parë se sa është kjo pjesë nëse do të rikonsiderohej pesha e tregut që të përfshijë edhe trafikun ndërkombëtar të trajtuar nëpërmjet skemës së kompanive tranzit si Info-Telecom, pasi me shumë gjasa kjo peshë rezulton e njëjtë e në mos në rritje të metejshme!!!SHENIM I REDAKSISE)
Ata që panë rritje në drejtimin e tregut, ishin kompania Albtelekom-mobile dhe Plus, të cilët u rritën me 4 % nga një vit i mëparshëm. (kjo ndodh kryesisht për arsye të deformimit që sjell futja në treg e operatorit tranzit Info-Telecom. SHENIM I REDAKSISE) Ndërsa, AMC humbi 4-5 % të tregut të kompanive celulare.
Kreu i AKEP pohoi se ka ende diferenca mes tarifave standarde dhe atyre të shportës, por synimi është që këto diferenca të zvogëlohen.
Në fund të këtij viti, Xhixho theksoi synimin që të arrihet të kemi tarifa të barabarta terminimi prej 1.48 lekë për minutë, të njëjta me standardet e BE-së.
Ndërsa vitin e kaluar, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, në rezolutën për AKEP, kërkoi nga ky i fundit që të zhvillonte një analizë të tregut të telefonisë celulare, nisur nga shetësimi nëse kishim monopol në këtë treg, apo abuzim me pozitën dominuese, kreu i këtij komisioni, Eduard Shalsi ka kërkuar të dijë se cfarë është bërë në këtë drejtim. Ai ka pyetur edhe lidhur me ecurinë e disa vendimeve të marra nga AKEP gjatë vitit të kaluar, të cilat ai i ka cilësuar mjaft të rëndësishme.
Xhixho ka pranuar se AKEP ka kryer Analizën e tregut të Telefonisë Celulare dhe ka marrë vendimet përkatëse, për të cilat tha ai, janë nxjerrë konkluzione dhe janë parashtruar edhe për konsultim publik, por nuk ka përmendur aspak situatën skandaloze në aspektin e konkurrencës që evidentohet në këtë analizë.
Ndonëse, sipas vendimit të AKEP, barazimi i tarifave Brenda dhe jashtë rrjetit duhet të fillonte nga fundi i vitit 2014, ai është shtyrë disa herë. Xhixho është justifikuar me faktin se vendimet e AKEP kanë marrë në konsideratë gjendjen aktuale të tregut dhe ata u përpoqën që të arrinin në një të mesme të pranueshme për të gjithë. “Nuk duhet të punojmë që të kënaqen të gjithë, por që të ruajmë parametrat” tha ai. (është vërtet e çuditshme që Kreu i AKEP shprehet kështu, pasi në konstatimin tonë, ka marrë parasysh të gjithë vërejtjet e bëra nga Operatorët që janë të favorizuar në treg dhe ASNJE nga ato të operatorëve që janë të pafavorizuar në treg si pasojë e situatës skandaloze në aspektin e konkurencës.SHENIM I REDAKSISE) Sipas tij, fillimi i zbatimit të vendimit të tarifave jo diskriminuese u shty për në korrik, në mënyrë që kompanitë të kishin kohë të adaptoheshin me formulën e re, por edhe të ruheshin të drejtat e konsumatorit. Duke folur sikur të ishte spektator e jo në rolin e rregullatorit të tregut – (SHENIM I REDAKSISE), z. Xhixho tha : “Formula e kritikuar nuk u ngrit nga AKEP. Ajo u krijua fillimisht nga Eagle, përmes Rini Ring dhe u ndoq nga të tjetër. Dikujt i eci, dikujt nuk i eci, dhe tani duan t’ia kalojnë konsumatorit. Këta operatorë, që të dalin nga kjo skemë, tani kërkojnë ndërhyrje. Ne kemi bërë një skemë të zbutur për të kaluar gradualisht drejt barazimit të tarifave”. Ai shtoi se një pjesë e mirë e paketave po shkojnë drejt unifikimit të tarifave Brenda dhe jashtë rrjetit. “AKEP do të monitorojë me kujdes 1 korrikun. Po dalim me një skemë favorizuese për operatorët dhe konsumatorët”. Xhixho ka pohuar me ironi se më në fund Autoriteti I Konkurrncës-I cili mori së fundmi një vendim detyrues për unifikimin e tarifave celulare- ka dalë më në fund me një vendim dhe jo me rekomandime siç ka bërë gjithnjë dhe shtoi se AKEP rregullon tregun e shumicës, ndërsa Konkurrenca duhet të ndërhynte në të pakicës.
Pyetjes së Shalsit se mediat kanë shkruar që janë rritur tarifat e telefonisë celulare, Xhixho iu përgjigj se nuk kanë vënë re një gjë të tillë.
Xhixho ka pohuar se nga analiza e celularëve ka rezultuar se nuk duhet të dyshojmë që do të ketë konsolidime në këtë treg. Muajin tjetër do të jemi në Norvegji për të diskutuar lidhur me këtë çështje, që është dhe një tendencë europiane. Do e mbajmë nën mbikqyrje në mënyrë që të jemi të përgatitur.
Pyetjes së deputetit Agron Duka, nëse AKEP do të ndihej përgjegjës, nëse një kompani do të dilte nga tregu, Xhixho iu përgjigj se nuk ndihemi përgjegjës nëse do të ketë konsolidime, pasi ata si AKEP “as fusin dhe as nxjerrin kompani nga tregu”. {Në kushtet kur konkurrenca do të ishte OK, ndoshta do të mirëkuptohej që nuk ka pse Rregullatori i Tregut në një treg të rregulluar si ai i telefonise mobile, të merret me operatorët ineficiente, por në kushtet kur AK ka 3 vjet që e paralajmeron (që në Mars të 2013) dhe analiza e tregut e vetë AKEP, dy vjet pas ketij paralajmerimi të Autoritetit të Konkurrences, ia konfirmon situatën, është absurde që AKEP të mos ndihet përgjegjës kur është RREGULLATORI i tregut!!!) Në këto kushte, ky pohim i kreut të AKEP, vë në diskutim të gjithë filozofinë e rregullimit të tregut dhe paanshmërinë e një rregullatori që mban këtë qëndrim. Të shikojme se si do të reagojë Komisioni e me pas vetë Parlamenti ndaj një qëndrimi të tille të AKEP-SHENIM I REDAKSISE}.
Rezoluta për AKEP për vitin 2014
– Të kryejë analizën e tregut të telefonisë celulare, duke analizuar në mënyrë të veçantë dominancën në treg, dhe të marrë masat e duhura në rast të konstatimit të abuzimeve me këtë dominancë;
– Të angazhohet në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar kushtet e një konkurrence të ndershme dhe mosdiskriminuese, si dhe në rritjen e fleksibilitetit, efektivitetit dhe transparencës së ofrimit të shërbimeve, për mbarëvajtjen e tregut të komunikimeve elektronike dhe postare;
-Të mbajë në mbikëqyrje të vazhdueshme situatën e dominancës në treg, sipas edhe rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës;
– Të kryejë rishikimin e tarifave të terminimit të thirrjeve në rrjetet e sipërmarrësve të telefonisë së lëvizshme, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e Autoritetit të Konkurrencës për zhvillimin e këtij tregu;
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.