Qeveria e Kosovës ditë më parë ka ndryshuar Ligjin për automjete, ku aktualisht parashihet që çdo automjet që hyn në Kosovë, duhet të përfundojë procedurën e homologimit.
Kurse, sot Kuvendi mban seancë në të cilën pritet të shqyrtohet ky Projektligj. Qytetarët për homologimin e një vetura kanë paguar 125 euro.
Kuvendi i Kosovës sot mban seancën e radhës në të cilën pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, që parasheh heqjen e homologimit.
Po ashtu në këtë seancë, deputetët pritet të miratojnë Rezolutën nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Shqyrtimi i parë i Projektligjit 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L-132 për Automjete, zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe propozim-rezoluta nga debati parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të dërgoj në Kuvend mendimin në lidhje me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas këtij vendimi ka reaguar duke thënë se ka filluar “fundi i zhvatjes përmes homologimit”.
“12 vjet radhazi kishim monopol në homologimin e automjeteve që pasuronte një oligark duke imponuar barrierë tregtare. Qytetarëve u duhen shërbime të mira e jo detyrime të padrejta. Tash është në duart e deputetëve të Kuvendit të Republikës që ta jetësojnë nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 05/L – 132 për Automjete”, kishte thënë Kurti.
Ndryshe, me këtë vendim i është hapur rruga largimit të homologimit si detyrim për veturat që importohen nga vendet e Bashkimi Evropian.
Në vitin 2008, Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, që atëkohë ishte në Partinë Demokratike të Kosovës, kishte nënshkruar kontratë ekskluzive me kompaninë “EuroLab” për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke e autorizuar kompaninë në fjalë, si kompaninë e vetme për këtë veprimtari për periudhën 2009-2019.
Më 2017, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte konstatuar shkelje ligjore në fushën e homologimit dhe i kishte rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës të rishikojë dhe të bëjë ndryshime në dispozitat ligjore që e rregullojnë këtë fushë.
Edhe pas vitit 2019, kontrata nuk ishte ndërprerë, pasi Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Pal Lekaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kishte nënshkruar një Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore, por që pamundësonte hapjen e tregut në këtë fushë.
Kuvendi i Kosovës në vitin 2019 kishte miratuar një rezolutë për eliminimin e rasteve të monopolit në treg, siç është rasti me homologimin e veturave.
Për këtë çështje, më pas kishin reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett dhe shefja e atëhershme e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova. Ata i patën bërë thirrje qeverisë të veprojë shpejt për zbatimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës për eliminimin e rasteve të monopolit në treg.
Vetëm vitin e kaluar, sipas Doganës së Kosovës, janë importuar mbi 22 mijë vetura në Kosovë, nga to mbi 19 mijë të përdorura dhe mbi tre mijë të reja. Sipas llogaritjeve, i bie se mbi 2.7 milionë euro është paguar për homologim. Në vitin 2019, në Kosovë kanë hyrë mbi 26 mijë vetura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.