BB: Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria kanë përqindjen më të madhe të emigrantëve
Shqipëria është vendi i dytë në Europë dhe Azinë qëndrore që ka numrin më të lartë të emigrantëve në raport me popullsinë.
Pas Bosnjë – Hercegovinës, vendi ynë renditet i dyti mes 47 shteteve në raportin “Migrimi dhe rrjedhja e trurit” të Bankës Botërore sa i përket popullsisë emigruese.
Në bazë të këtij studimi, 39.8% e popullsisë në Shqipëri rezulton të ketë emigruar, ndërsa vërehet se lëvizja e njerëzve drejt vendeve të Europës është rritur vrullshëm gjatë 4 dekadave të fundit.
Në bazë të raportit, rezulton se 1 nga 3 emigrantë në botë shkon në Europë, ndërsa ngrihet shqetësimi për “largimin e trurit” nga vendet e origjinës, e cila sipas Bankës Botërore do të sjellë sfida për ekonomitë e këtyre shteteve në të ardhmen sa i përket kualifikimit të forcës së punës.
“Personat me arsim të lartë përbëjnë 55% të numrit gjithsej të emigrantëve nga Bosnja dhe Hercegovina, më shumë se 40% të emigrantëve nga Armenia dhe Letonia dhe afro 40% të emigrantëve nga Shqipëria, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Republika Kirkize, Kazakistani, Rumania dhe Taxhikistani”.
Banka Botërore shprehet se zgjidhja për ndalimin e largimit të popullsisë më të kualifikuar nga këto vende ndodh për shkak të nivelit ekonomik. Për Shqipërinë vlerësohet 34.6% e popullsisë jeton me më pak se 5.5 Dollarë në ditë.
“Përmirësimi i qeverisjes dhe fuqizimi i institucioneve në vendet e origjinës mund t’u japin zgjidhje shkaqeve që qëndrojnë në rrënjë të emigrimit të vazhdueshëm. Po ashtu edhe nxitja e sektorit privat dhe fuqizimi i krijimit të vendeve të reja të punës, investimi në arsimin e lartë dhe rritja e mundësive për gratë në ekonomi”.
Sipas Bankës Botërore në vitet e fundit është rritur mjaft numri i emigrantëve nga Turqia dhe Ballkani Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria drejt shteteve me të ardhura të larta të Bashkimit Europian si Gjermania, Austria dhe Holanda.
Tv Klan
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.