Shqipëria vijon të ketë deficit të lartë të llogarisë korrente në raport me rajonin, por në paradoks me këto zhvillime, monedha vendase është mbiçmuar ndjeshëm në tregun valutor, në raport me monedhat e vendeve fqinjë.
Sipas grafikut bashkëngjitur, një përpunim të dhënash i Fondit Monetar Ndërkombëtar, kursi real efektiv i këmbimit (REER) (vlera e jashtme e monedhës së një vendi kundrejt monedhave të partnerëve të tij më të rëndësishëm) është rritur ndjeshëm që nga viti 2015, duke tejkaluar monedhat e të gjithë fqinjëve rajonalë, edhe pse disa prej tyre kanë përjetuar përmirësim të deficitit tregtar gjatë periudhë 2014-2018. Pothuajse 80% të shkëmbimeve tregtare Shqipëria i ka me vendet e Eurozonës, të cilat kanë në përdorim monedhën e përbashkët euro.
Për pasojë, forcimi i lekut në kursin real efektiv të këmbimit pasqyron mbiçmimin e lekut ndaj euros gjatë viteve të fundit. Forcimi i lekut me rreth 12 pikë përqindje në katër vitet e fundit me monedhat ku Shqipëria shkëmben mallra dhe shërbime e ka bërë Shqipërinë më pak konkurruese edhe në raport me rajonin. Kjo po reflektohet së fundmi edhe me rënien e eksporteve në vlerë, pas më shumë se dy dekada rritje të vazhdueshme.
Nga janari 2005 deri në fund të vitit 2007, Leku shqiptar është forcuar me ritme më të larta se monedhat rajonale, por pas krizës së vitit 2008, kursi i këmbimit të lekut me valutat kryesore pësoi rënie. Nga viti 2008 deri në vitin 2014, Dinari Serb dhe ai Maqedonas ishte më i lartë. Madje në vitin 20011 Leku performoi shumë më dobët se monedhat e vendeve të Europës Lindore.
Forcimi i Lekut mori kthesë në maj të vitit 2014 dhe vlera e tij u rrit me ritme të shpejta, duke tejkaluar të gjitha monedhat e rajonit. Në janar të vitit 2019, vlera e Lekut në tregun e këmbimit tejkaloi edhe ritmet e Dinarit Serb i cili kishte performancën më të mirë në këmbimin valutore në raport me rajonin.
Nga ana tjetër, Shqipëria në fund të vitit 2018 kishte deficitin e llogarisë korrente më të lartin në rajon pas Malit të Zi dhe Kosovës.
Shqipëria është një vend me një ekonomi të vogël e të hapur, ndaj dhe kursi i këmbimit të Lekut luan rol të rëndësishëm në ndikimin e nivelit të çmimeve në Shqipëri dhe në bilancin e pagesave në vend. Gjithashtu, hapja e ekonomisë shqiptare gjithnjë e më shumë ndaj tregjeve të huaja, përbën interes të veçantë lidhur me pozitën konkurruese të bizneseve shqiptare në tregtinë në vend dhe jashtë tij.
Kur Euro doli si monedhë fizike në janar të vitit 2002, u këmbye mesatarisht me 123 lekë, ndërsa Dollari Amerikan në atë kohë këmbehej në tregun vendas me 140 lekë, teksa në bursa, euro këmbehej me 0.88 dollarë. Më pas, monedha e përbashkët filloi të rritej me shpejtësi dhe nga viti 2003, kur Euro u barazua dhe e tejkaloi Dollarin në bursa, ajo filloi të ishte dhe monedha e preferuar e shqiptarëve, teksa pagesat e makinave, apartamenteve etj., u konvertuan nga Dollari në Euro, siç vazhdojnë edhe sot.
Pasi ishte e dobët në 2007-2008, në rreth 123-124 lekë, euro u rrit me shpejtësi në vitet në vijim, duke arritur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në 15 qershor 2011, prej gati 143 lekësh. Nga 2009-a deri në mesin e 2016-s, Euro arriti në një pikë të re ekuilibri në 138-140 lekë.
Nga mesi i vitit 2016, Euro filloi nënçmimin e pandalshëm, duke zbritur në 135 lekë në fund të 2016-s. Kjo periudhë përkon dhe me kthimin e Shqipërisë në një qendër të kultivimit të kanabisit, që shtoi ofertën për valutë në vend.
Në 2017-n, Euro vijoi tendencën nënçmuese më të lehtë, duke zbritur në dhjetor në 133 lekë.
Kjo tendencë u përshpejtua në 2018-n, e ndihmuar dhe nga konvertimi i kapitalit të bankave, duke sjellë që në qershor të atij viti, euro të zbriste në 124.17 lekë (niveli më i ulët që nga 2008), dhe që Banka e Shqipërisë të fillonte një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme për të frenuar rënien e euros, duke blerë direkt dhe indirekt (përmes konvertimit të kapitalit) 463 milionë euro në total. Këto ndërhyrje arritën të frenojnë rënien, por gjithsesi euro e mbylli 2018-n në kuotat e 123.4 lekëve dhe në pjesën e parë të këtij viti është luhatur mes 122 dhe 123 lekë.
Aktorët e tregut pohojnë se tendenca nënçmuese afatgjatë e Euros lidhet me dy faktorë. Së pari, ofertat e lartë për euro, e ndikuar nga prurjet informale, por dhe nga shtimi i turistëve. Së dyti, një faktor po aq i rëndësishëm është dhe qarkullimi i dobët i monedhës vendase, çka bën që Leku të jetë i fortë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.