Risi të cilat nuk i kemi parë më parë te kompania koreane – Z Camera, Hand ID, aksesori Dual Sreen etj.
Lg G8 dhe V50, shumë risi
Një smartphone që “lexon dorën” dhe kontrollohet në distancë pa e prekur ekranin. Një tjetër që dyfishon ekranet falë një aksesori. Mund të thuhet pa dyshim që inovacioni në botën e smartphone-ve është i destinuar të rritet gjatë këtij viti. Motorët kryesorë të këtij përshpejtimi janë 5G dhe ekranet e përthyeshëm, por edhe kompanitë që nuk e kanë përqafuar trendin e ri të “foldable phone” duket se janë gati të propozojnë diçka të re.
Dhe jo rastësisht, kompania koreane LG, pas disa viteve jo dhe aq të suksesshëm, më së fundi është gati t’u përgjigjet kompanive kineze. Në World Mobile 2019 në Barcelonë LG ka sjellë smartphone me parametra të lartë. Lg V50 ThinQ 5G e Lg G8 ThinQ propozojnë zgjidhje origjinale të cilat nuk i kemi parë deri më tani.
Lg V50 ThinQ 5G: karakteristikat dhe fotokamera
V50 ThinQ (ThinQ është emri i platformës së Inteligjencës Artificiale të LG) është një pajisje brenda së cilës gjejmë Qualcomm Snapdragon 855 dhe Snapdragon X50 5G, të njëjtin procesor edhe te smartphone Xiaomi Mi Mix 3 5G që do të prezantohet në MWC 2019.
Smartphone ka bateri 4.000mAh dhe një sistem të ri për shpërndarjen e nxehtësisë Vapor Chamber, për të mbajtur nën kontroll temperaturën e brendshme dhe për të mbështetur performancën e lartë gjatë multitasking. LG V50 ThinQ 5G është i trashë 8,3 milimetra dhe peshon 183 gramë. Ekrani është OLED, 6,4 inç me rezolucion QHD+, me notch në pjesën e përparme në të cilin përfshihen dy fotokamera dhe sensorët. Ka 6GB RAM dhe 128 GB memorie të brendshme e cila mund të zgjerohet me një microSD.
LG V50 ThinQ 5G: aksesori Dual Screen
Ideja origjinale e V50 është një aksesor (opsional). Quhet Dual Screen dhe duket një “flip cover” por në të vërtetë është një ekran OLED 6,2 inç. Në këtë mënyrë V50 dyfishon ekranet duke dyfishuar edhe mundësinë për multitaksing, lojëra dhe produktivitet. LG i ka shtuar sistemit operativ Android software për të menaxhuar këtë aksesor. Kur lidhet Dual Screen, shfaqet një ikonë e nevojshme për të aktivizuar ekranin e dytë, i cili mund të vendoset në dy kënde (104 dhe 180 gradë) dhe të ushqehet nga bateria e smartphone.
Seria e re G (LG G8 ThinQ dhe LG G8sThinQ) prezantojnë risinë e Z Camera – një fotokamerë e re, nëpërmjet së cilës ju mund të kontrolloni telefonin (edhe) pa e përdorur touchscreen, por thjesht duke lëvizur dorën. Pa e prekur telefonin, përdoruesit mund të përgjigjen apo të mbyllin telefonatat, të bëjnë një screenshot, të hapin aplikacionin e preferuar apo të rregullojnë volumin e lexuesit multimedial. Mekanizmi është i ngjashëm me atë të Microsoft Kinect, por i përfshirë në një objekt të cilin mund ta mbani në xhep.
Lg G8 ThinQ dhe G8s ThinQ: Hand ID
Falë teknologjisë ToF (Time of Flight), LG prezanton një sistem të ri për njohjen biometrike. Nuk ka më sistem të gjurmëve dixhitale apo ai i fytyrës. Tek G8, identifikimi bëhet nëpërmjet sistemit të venave, që sipas kompanisë koreane është më e sigurt se teknologjia fingerprint. Quhet Hand ID dhe identifikon pronarin e smartphone nëpërmjet formës, trashësinë dhe karakteristika të tjera unike të venave të duarve. Pasi regjistron dorën, mjafton që ta vini përpara kamerës së përparme për një sekondë për të zhbllokuar pajisjen dhe për të aktivizuar aplikacionet që dëshironi.