Ligj i ri për vreshtarinë dhe verën, si do bëhet regjistrimi dhe tregtimi i prodhimeve

01/07/2020 2:00 PM 0 komente

Ligji ekzistues që mbulon vreshtarinë dhe verën i vitit 1999 do të zëvendësohet me një ligj të ri të përafruar me direktivat dhe që synon formalizim të sektorit si dhe kontroll më të mirë të tij sa i takon sigurisë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë publik draftin e ri duke theksuar se përmes tij përcaktohen qartë kategoritë nga produktet e rrushit për verë, praktikat enologjike që duhet të zbatohen, të gjithë aktorët e përfshirë në sektorin e verës duke dhënë një përkufizim të qartë të tyre. I njëjti draft parashikon që të gjithë kultivuesit e vreshtit dhe prodhuesit e verës do të jenë të detyruar të raportojnë pranë institucioneve të përcaktuara në ligj.

“Me anë të këtij projektligji propozohet vendosja e rregullave për kultivimin e vreshtave që përdoren për prodhimin e verës, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, marketingun, potencialin e prodhimit dhe kontrollet e produkteve të verës në Republikën e Shqipërisë, me qëllim përshtatjen me kërkesat dhe standardet e tregut ndërkombëtar; mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, duke ruajtur një konkurrencë të drejtë ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të tjerë në sektorin e verës; nxitjen e përmirësimit të cilësisë së produkteve, duke mundësuar, ndërkohë, masa kombëtare për politikën e cilësisë në sektorin e verës” thuhet në relacion.

Për herë të parë draft ligji parashikon krijimin e Komisionit të Verës.  Ky komision merret së pari me ekzaminimin në substancë të specifikimeve të verërave me emërtimet e origjinës (Ë) dhe treguesit gjeografike (TGJ). Së dyti vlerësimin e aplikimeve për verërat me term tradicional, vlerësimin e ndryshimeve për specifikimet e produktit me term tradicional po kështu kundërshtimet e aplikimeve për regjistrimin e verërave me term tradicional dhe kundërshtimet për ndryshimin e specifikimeve të verërave me ËM dhe TGJM. Së fundmi edhe regjistrimin e emërtimeve me term tradicional. Komisioni i Verës përbëhet nga 7 anëtarë ku  dy janë përfaqësues nga ministria dhe pesë ekspertë nga fusha akademike, institucionet kërkimore-shkencore apo të pavarura, me njohuri të gjera për çështjet që lidhen me TGJ-të dhe Ë-të, të verërave me profesione si: teknolog vere, agronomi dhe vitikulturë; inxhinier kimist; degustator.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin dhe rifreskimin e kadastrës së vreshtave ndërkohë që saktëson varietet që mund të kultivohen.

Sa i takon tregtimit të verës sanksionohet se vetëm produktet e rrushit për verë të përftuara nga varietete rrushi të përcaktuara në Nenin 8, të këtij ligji, që prodhohen në parcela vreshti të ndodhura në Republikën e Shqipërisë që janë të regjistruara në regjistrin e vreshtarisë, dhe të etiketuara në përputhje me këtë ligj mund të tregtohen.

Neni 8 përcakton se bëhet fjalë për varietetet që i përkasin species Vitis vinifera ose janë përftuar nga shartimi ndërmjet varieteteve të species Vitis Vinifera dhe  specieve të tjera të gjinisë Vitis ose varietetet që nuk i përkasin: Noah, Othello, Isabelle, Jacquez, Clinton dhe Herbemont.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of