Qeveria nisi në shtator një fushatë të madhe kundër biznesit që bënte evazion. Kjo është “luftë” – do të deklaronte kryeministri në atë kohë, teksa u vendosën gjoba dhe sanksione shkatërruese për bizneset, që për fat të mirë ishin në fuqi për pak javë. Vetëm disa muaj më vonë, ajo që ka ngritur flamurin e bardhë është pikërisht ajo që e shpalli luftën: qeveria. Gjobat u ulën, paketa e re fiskale do të përqendrohet në thjeshtimin e procedurave. Por dëmi tashmë është bërë dhe biznesi nuk “gënjehet” me kaq
Formalizimi i 700 milionë dollarëve që shqiptarët luajnë për vit në pikat e basteve, arkëtimi i parave të energjisë elektrike dhe rimëkëmbja e këtij sektori me një faturë 150 milionë dollarë, mbledhja e 200 milionë të tjerave në sektorin e naftës e po kaq do të dilnin edhe nga aksioni antiinformalitet ishin pikat e forta ku u mbështet në fundvitin 2013 programi për të ndryshuar Shqipërinë. Të gjitha këto shifra, nëse do të mblidheshin, bashkë do të bënin një shumë dhe vendi ynë minimalimisht nuk do të duhej të merrte më borxh. Por përtej debateve se cili nga aksionet ka qenë më i suksesshmi, fushatat e qeverisë në vitet e fundit kanë qenë të panumërta dhe në shumë raste kanë shfaqur pakënaqësi te biznesi. Aksioni më i kontestuar është ai i muajit shtator 2015. Kontrolli i vazhdueshëm dhe vënia e gjobave ndaj sipërmarrjes nuk solli asgjë tjetër në buxhet, përveç ca raporteve më shumë nga shoqata të ndryshme se klima po përkeqësohet. Të ardhurat nuk arritën të realizohen deri në fund të vitit, e ndërsa në muajin nëntor qeveria hoqi taksën për biznesin e vogël dhe u orientua në kontrollin me bazë risku të bizneseve të mëdha. Kjo shënoi një “kthesë” në marrëdhënien që shteti nisi të krijojë me biznesin, i cili njëherë dilte si “hajduti” e herë të tjera si “shpëtimtari”.
Por edhe pse jo shumëkush e besoi kur u prezantua, së fundmi ministri i ri i Financave përmendi një fazë të re të aksionit antiinformalitet. Në këtë prezantim, përkrah tij, qëndronte edhe kryeministri Edi Rama. Tonet ishin më të zbutura dhe qeveria parashtroi për të gjithë një plan të ri të luftës kundër evazionit. Faza numër 2, ishte përmendur dhe më parë, por programi dhe mënyra e kontrollit ndryshonin.
Pas luftës vjen kërkesa për paqe!
Të gjitha sulmet politike që goditën qeverinë kishin të bënin se cili do të ishte i pari në radhë: biznesi i madh apo ai i vogël? Në deklaratat e shumta theksohej se nuk do të kishte tolerim për askënd, por kontrollet u përqendruan te biznesi i vogël. Argumenti kryesor që u përdor për këtë tezë ishte regjistrimi e më pas kontrolli. Masat nuk pushuan as ndaj atij të madh, por pas vënies së disa gjobave të mëdha, shoqatat reaguan dhe ankimuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Në shtator çelëm betejë të hapur. Kuptuam se ishte krijuar terreni për ta hapur këtë betejë në front të gjerë, duke i ftuar të gjithë të kuptojnë se formalizimi është një e mirë e përbashkët. Kemi siguruar që çdo biznes të jetë i regjistruar, të ketë kasë fiskale që funksionon dhe të ketë vetëdijen se mosdeklarimi i punonjësve është krim”,- ishin fjalët e para që tha kryeministri gjatë prezantimit të fazës së dytë. Por, këtë herë, në prezantim ata që dëgjuan panë një kthim të faqes së mënyrës se si po urdhëroheshin tatimet e doganat të silleshin me biznesin. “Kjo fazë do të shënojë thjeshtimin më të madh të procedurave të biznesit. Synimi ynë është që në Shqipëri bizneset të rrinë edhe vite të tëra pa kontrolluar, të mos kenë nevojë të kontrollohen dhe ndërkohë sistemi të jetë i tillë që këtë mungesë të kontrolleve në terren ta kompensojë me një sistem monitorues në çdo sekondë. Kemi në sistem një tru elektronik që jep informacion për çdo sipërmarrje. Së treti, për të konsoliduar rrugën tonë të politikave fiskale në funksion të lehtësirave për biznesin që krijon më shumë të ardhura”, – tha kryeministri.
Ndryshe nga herët e tjera, shoqatave të biznesit dhe grupeve të interesit iu nisën disa letra, ku njoftoheshin për të dhënë mendimet për paketën fiskale, ndërsa gjithnjë e më shumë në daljet publike të qeverisë theksohej se nuk do të kishte më rritje taksash, se kush kishte pakënaqësi le të tregonte dhe do të ndryshohej dhe po ashtu, kërkohej të denoncohej edhe korrupsioni apo sjellja e ashpër që biznesi mund të haste në administratën publike. “Biznesi ka të drejtë edhe kur nuk ka të drejtë” do të përsëriste pareshtur ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
————–
Biznesi nuk mjaftohet, kërkon ulje taksash!
Flet Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve
Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve, tregon se biznesi do të insistojë deri në fund që të kërkojë ulje të taksave, derisa ato të bëhen të njëjta me vendet e tjera të rajonit.
Jeni njohur me draftin e ri të propozuar nga Ministria e Financave për thjeshtimin e procedurave për biznesin? Si ju duket?
Ky draft ka ardhur në kohën e duhur, ne kemi gjashtë muaj që jemi marrë dhe kemi propozuar procedurat për këtë draft. Këtë risi ne e përshëndetim, por nga ana tjetër ne kemi kërkesat tona. Thjeshtimi i procedurave është njëra anë e problemeve që kemi, por mbi të gjitha ne kemi probleme më themelore se ndryshimi dhe thjeshtimi i procedurave të cilat duhet të pasqyrohen atje. Jemi të bindur që do të merren parasysh kërkesat tona. Këto kërkesa janë bërë sot e tre vite më parë, nuk janë të reja për qeverinë. Ne duam ulje të tatimit mbi fitimin, që është një kërkesë permanente e prodhuesve shqiptarë dhe po ashtu kërkojmë edhe ulje të dividentit. Nuk e kërkojmë këtë se jemi tekanjozë dhe duam të pasurohemi, e kërkojmë sepse duhet të jemi konkurrues në tregun rajonal pasi vetëm këto dy vlera, të mos vazhdojmë me energjinë elektrike e taksat vendore, na kanë rritur 45% koston e produktit që nxjerrim dhe kemi dalë tashmë jashtë tregut. Mendoni një treg i cili matet me qindarka për njësi, je konkurrues me 0.1 euro më shumë apo më pak, se sa jashtë tregut je. Kjo nxjerrje jashtë tregut është mënyrë artificiale. Nuk është nxjerrë nga tregu prodhuesi shqiptar, as nga cilësia e produktit, as nga llojshmëria e tij, as nga afatet e lëvrimit, as nga çmimi real i kostos. Ne jemi nxjerrë pikërisht nga kosto indirekte, që janë absurde dhe do të luftojmë deri në fund që këto kosto të venë të paktën në nivelin rajonal.
Si ju duket niveli i gjobave dhe penaliteteve që është propozuar këtë herë?
Jemi njohur dhe me të vjetrin dhe me të riun. Të vjetrin ne e kemi kundërshtuar. Unë kam qenë ai që kam thënë që nuk ka për t’u zbatuar. Arsyeja ka qenë shumë e thjeshtë, gjobat ishin të pakuptimta. Gjoba në vetvete nuk është masë për të mbledhur para, gjoba është detyrim financiar për të zbatuar ligjin. Në Shqipëri është për të ardhur keq, por gjoba shihet si një masë për të mbledhur para. Akoma nuk kuptohet. Kështu nuk bëjmë gjë tjetër vetëm çedukojmë tatimpaguesin dhe qytetarin. Ka ardhur koha që në Shqipëri gjoba të jetë si në çdo vend të botës: të edukojë me forcë të zbatosh ligjin. Por jo ta rritësh në një vlerë ndëshkuese marramendëse dhe të pushosh kuptimin e saj. Nëse ky raport prishet, do të ndodhë kjo që ndodhi, ka dhe gjykata, ne jemi shtet demokratik, e cila e rrëzon poshtë dhe tashmë ti duhet të vish në normalitet. Unë habitem pse ndodh kjo në Shqipëri, sepse përvoja e shumë shteteve të tjera, të atyre ku ne duam të integrohemi e ka shumë të saktë dhe ne mjafton që t’i kopjomë dhe t’i shohim si zbatohen aty dhe çdo gjë do të funksiononte normalisht.
Mendoni se është një kthim pas në kohë, apo një “ndjesë e fshehtë” ndaj sipërmarrjes?
Ne jemi të prirë të besojmë se qeveria është maturuar për sjelljen që duhet të ketë me biznesin. Ne duhet të pranojmë se një nga goditjet më të mëdha që mori biznesi ishte tek atmosfera e të bërit biznes në Shqipëri, e cila ishte goditur rëndë gjatë kësaj periudhe. Nuk do ta quaja kthim mbrapa por korrigjim.
—————
“Kulaçi dhe kërbaçi” i qeverisë
Flet Arjan Kadareja, profesor i Financës
Ka qenë fillimisht kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Craword, i cili ironizoi aksionin e qeverisë në shtator me shprehjen e famshme “shkopi dhe karota”. Arjan Kadareja, profesor i Financës, thotë se në Shqipëri ne themi që ka “kulaç dhe kërbaç”. Këto të dyja, këshillon ai, duhet të përdoren me kujdes dhe në të njëjtën kohë.
Cilat mendoni se janë pikat më pozitive të paketës së re për shkurtimin e procedurave të biznesit?
Mua më duket ambicioze kjo paketë fiskale, mirë do të ishte që të fillonte që kur nisi aksioni antiinformalitet, sepse është më kredibël, gjithsesi më mirë vonë se kurrë. Synohet që të lehtësohen procedurat e biznesit, dhe këtu janë dhe ato të falimentimit. Synohet që biznesi të ketë mundësi ankimimi dhe Drejtoria e Avokatit të Tatimpaguesit do të ketë një pavarësi më të lartë pasi do të jetë në varësi të Ministrisë së Financave. Po synohet që gjobat që vendosen të jenë proporcionale me dëmin e shkaktuar, ndryshe nga ligji që u kthye nga Gjykata Kushtetuese. Synohet që të bëhet rimbursim më i shpejtë i TVSH-së dhe për më shumë biznese. Një gjë shumë të rëndësishme që do të konsideroja janë kontrollet e paralajmëruara. Biznesi paralajmërohet për kontrollin që i bëhet, i lihet mundësi vetëkorrigjimi deri në 5 vite. Krijohen lehtësira të cilat në thelb synojnë të përmirësojnë klimën.
A u gabua më parë? E shihni këtë nismë si një “tërheqje” të qeverisë?
Aksioni nisi me theksin në anën shtrënguese dhe u neglizhua ana stimuluese që biznesi, edhe nëse kishte bërë gabime apo shkelje më parë, t’i deklaronte ato e më pas të niste të paguante taksat rregullisht. Në shtator nuk u vu theksi te formalizimi vullnetar. Në këtë paketë, pikërisht kjo shikohet, dhënia e mundësive për vetëkorrigjim dhe jo dënimit, ndëshkimit, shtrëngimit. Masat që merren, masat që synohen, janë në thelb pozitive. Me këtë i arrin të dyja: klimën e biznesit dhe formalizimin e ekonomisë. Sepse të dyja duhet të ishin marrë në të njëjtën kohë edhe masat shtrënguese, por edhe falja, stimulimi. Fakti tregoi që aksioni antiinformalitet pati rezultate në formalizim, por përkeqësoi klimën e biznesit. Me këtë paketë po vihen në vend disa gabime të tepruara gjatë aksionit antiinformalitet.
Sa do të reflektojë kjo marrëdhënie e re që synohet të krijohet me biznesin te mbledhja e taksave?
Këto masa nuk ndikojnë për keq mbledhjen e taksave nga qeveria, përmirësojnë klimën dhe kështu rritet ekonomia, dhe po pati rritje e zhvillim patjetër që rritin nivelin e të ardhurave në buxhet. Të ardhurat e qeverisë nuk varen nga gjobat që merren, por nga eficenca e administratës tatimore.
————
Marrëzia e fundit
Në takimin që patën me sipërmarrësit në Këshillin Ekonomik Kombëtar, si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, nuk u dukën aspak të kënaqur me raportet e publikuara nga shumë dhoma të huaja të tregtisë se klima e biznesit ishte përkeqësuar. Krahasimin e bënë me qeverinë e shkuar dhe i kujtuan biznesit “vuajtjet” që ata kishin më parë. “Klima e biznesit në Shqipëri ka vend për përmirësime të mëtejshme. Ajo që kemi bërë është e pamjaftueshme, se nuk do të ishim më këtu sot. Unë e kuptoj shumë mirë reagimin e biznesit, por të më thoni mua që është përkeqësuar klima këta 32 muaj ju që nuk merrnit dot një TVSH mbrapsht pa paguar 50% të saj a mos më shumë te tatimet është pak e çuditshme. Të më thoni që është përkeqësuar klima kur nuk guxonit të hapnit gojën, sepse me paratë tuaja kishit shtruar rrugë e nuk merrnit dot ndërkohë që ishit në prag falimenti, nuk mund ta besoj”. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri komunikon në këtë mënyrë me biznesin. Fillimisht ai e quajti marrëzi informalitetin e lartë në Shqipëri dhe i vazhdoi të njëjtat akuza për dy vite me radhë, derisa më në fund qeveria vjen në tryezë me ta me një paketë e cila fal deklarimet e gabuara dhe ndihmon sipërmarrjen. Pas shumë ndryshimesh ligjore me rritje taksash, me sa duket tani u kuptua se nuk ka ndonjë marrëzi mes sipërmarrjes. Në fund “kulaçi” për ta ishte një fjali e ministrit Ahmetaj se qeveria do të ulë taksat. “Ky është një vit i mbarë ekonomik, e kemi lënë vërtet krizën prapa dhe kemi arritur në konkluzionin se ka nevojë vetëm për thjeshtësim procedurash, nuk ka nevojë më të preken taksat, pra nuk ka rritje taksash, në potencë do të ketë rishikim për ulje”.
————–
Ulen ndjeshëm gjobat, ja nivelet e reja
Ndryshimet në ligjin për procedurat, që po diskutohen me biznesin, parashikojnë në disa raste ulje të gjobave për bizneset, në raport me nivelet ku janë aktualisht dhe shumë më të ulëta se sanksionet, që u vendosën në fund të vitit të kaluar, por që u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.
Konkretisht, për mosdeklarim të punonjësve për bizneset e regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimit mbi fitimin, gjoba e parashikuar është 200 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që është aktualisht.
Për bizneset e tjera, gjoba është 50 mijë lekë, nga 50-250 mijë lekë, që është aktualisht dhe 500 mijë lekë që u vendos në nëntor të vitit të kaluar, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes.
Nëse biznesi fsheh pagën e punonjësit, atëherë dënohet me gjobë në masën 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.
Nëse nuk lëshon kupon tatimor, biznesi dënohet për çdo konstatim (verifikim) të kryer, me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit. Me ndryshimet që u rrëzuan nga Kushtetuesja, gjoba u bë 500 mijë lekë.
Është rifutur dhe neni për gjobë nëse bizneset nuk afishojnë çmimet në një vend të dukshëm, por gjoba në këtë rast është ulur në 50 mijë lekë për bizneset e vogla dhe 100 mijë lekë për paguesit e tatim fitimit, nga 500 mijë lekë që u tentua në nëntor (edhe ky i rrëzuar nga Gjykata).
Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH, dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo të ligjeve specifike tatimore.
Më poshtë janë të gjitha ndryshimet ligjore të parashikuara për masat ndëshkimore:
Neni 119 “Mosdeklarimi i punonjësve” ndryshon në titull dhe përmbajtje si më poshtë:
Neni 119 “Mosdeklarimi i punonjësve dhe fshehja e pagës”
Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar:
a) tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimit mbi fitimin, me gjobë prej 200 000 (dyqind mijë) lekë;
b) tatimpaguesit e tjerë, me gjobë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Kjo gjobë nuk aplikohet në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes. Në këtë rast pas konstatimit, tatimpaguesit përkatës i lihet kohë deri në 5 ditë kalendarike që të vërtetojë pranë organit tatimor se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes ose që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin sipas kuptimit në Kodin Civil.
Nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi si rezultat i marrëdhënies së punësimit, tatimpaguesi-punëdhënës përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimit tatimor dhe kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të llogaritur për të gjithë periudhën që provohet se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.
Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore
Në nenin 121 “Mallrat e pashoqëruara me dokumente tatimore”, ndryshojnë në përmbajtje si më poshtë:
Për tatimpaguesin që mban në ruajtje, përdor ose transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, aplikohen masat dhe dënimet si më poshtë:
Tatimpaguesi i Tatimit të Thjeshtuar të Fitimit të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, menjëherë në momentin e konstatimit i ndryshohet përgjegjësia tatimore duke kaluar si tatimpagues i TVSH-së. Për qëllim të konstatimit të mosdokumentimit të mallit detyrohet të lëshojë faturë sipas nenit 53 të këtij ligji dhe dënohet me gjobë në masën 50 000 lekë.
Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në, detyrohet të dokumentojë mallin duke lëshuar faturë tatimore, sipas nenit 53 të këtij ligji. Për qëllim të konstatimit të mosdokumentimit të mallit i kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut të mallit të padokumentuar dhe aplikohet dënim, sipas nenit 124, pika 1, të këtij ligji.
“Kundërvajtjet administrative në përdorimin e pajisjeve fiskale”
Në nenin 122 “Kundërvajtjet administrative në përdorimin e pajisjeve fiskale, për lëshimin e kuponëve fiskalë e të biletave” bëhen ndryshimet si më poshtë:
– Fjalia e parë e pikës 1, ndryshohet me këtë përmbajtje:
“1. Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, i cili detyrohet të përdorë pajisjen fiskale ose sistemet e monitorimit të qarkullimit në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, dënohet në rast se:
– Pika 1 shkronja a) paragrafi ii) ndryshon në përmbajtje si më poshtë:
“ii) nëse pas verifikimit të parë, sipas nënndarjes “i”, të këtij neni, konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e instalojë pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë, ose sistemin e monitorimit të qarkullimit, merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 15 ditë kalendarike dhe i publikohet emri i tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”
– Pika 1, shkronja b) ndryshon si më poshtë:
b) nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve:
i) për çdo konstatim (verifikim) të kryer, me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative të parashikuara në nenet 71 dhe 72 të këtij ligji.
ii) për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas konstatimit të parë, sipas shkronjës “i”, të kësaj pike, nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, përveç aplikimit të dënimit si në pikën i), merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike dhe i publikohet emri tatimpaguesit, NIPT-i dhe emri i përfaqësuesit të biznesit në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
iii) për çdo konstatim të përsëritur të moslëshimit të kuponit tatimor, përveç aplikimit të dënimit si në piken i), konsiderohet evazion tatimor sipas nenit 116 të ligjit dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131 të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin”
– shkronja c) ndryshon në përmbajtje si më poshtë:
“c) lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, me gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.”.
ç) lëshon kupon tatimor/dëftesë tatimore, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e furnizimit ose e çmimit të afishuar, me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
shkronja d) ndryshohet si më poshtë:
“d) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster, që tregon detyrimin e blerësit të mallrave apo të përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor, ose një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mos paguar për mallrat dhe shërbimet e blera, në zbatim të pikës 3, të nenit 46, të këtij ligji, me gjobë në masën 50 000 (dhjetëmijë) lekë, për secilën nga shkeljet në këtë paragraf.”
shkronja e) shfuqizohet
Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH
Në nenin 124, pika 2, shfuqizohet dhe zëvendësohet me pikën 2, 3 dhe 4 si më poshtë, si dhe ndryshon numërimi për pikën 3 dhe 4, në 5 dhe 6:
Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH, dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo të ligjeve specifike tatimore.
Për tatimpaguesit që kryejnë shkelje të përsëritur të moslëshimit të faturës, përveçse aplikohet dënimi me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, sipas pikës 1 të këtij neni, gjithashtu ndërmerren masat si më poshtë:
– tatimpaguesit që nuk është i regjistruar për TVSH-në, i ndryshohet përgjegjësia tatimore dhe regjistrohet me këtë përgjegjësi sapo konstatohet shkelja e përsëritur;
-tatimpaguesit të regjistruar për TVSH dhe tatimin e thjeshtuar të fitimit, i ndryshohet përgjegjësia dhe regjistrohen për Tatimin mbi Fitimin.
– tatimpaguesi i Tatimit mbi Fitimin, përfshihet menjëherë në listën e subjekteve me risk për efekt të analizës së riskut.
Në rastet kur moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH, është shkelje e përsëritur nga tatimpaguesi më shumë se 2 herë, atëherë përveç sa përcaktohet në pikën 1 dhe 2 të këtij neni, zbatohen edhe dispozitat e neneve 116 dhe 131 të këtij ligji”
Neni 130 “Mosafishimi i çmimeve të shitjes” ndryshon si më poshtë:
Mosafishimi i çmimeve të shitjes së mallrave apo shërbimeve dënohet me gjobë me 100 000 lekë për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin dhe 50.000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.
Ministri i Financave përcakton me udhëzim rastet kur për natyrën e aktivitetit përmbushja e këtij detyrimi për afishimin e çmimeve të shërbimeve nuk mund të ushtrohet.
——————-
SA KOHË KUSHTON TË ÇREGJISTROSH BIZNESIN
Flet Vasilika Vjero, drejtore e Qendrës Kombëtare të Biznesit
Megjithëse janë bërë përpjekje për të thjeshtuar procedurat për të rritur shërbimet ndaj sipërmarrësve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ajo që vazhdon t’i kushtojë më shumë kohë qytetarëve është mbyllja apo çregjistrimi i ndërmarrjes. Vasilika Vjero, në një intervistë për revistën ‘Monitor’, sqaron se brenda vitit do të shkurtohet koha për mbylljen e bizneseve por do të reduktohet edhe numri i lejeve dhe autorizimeve që merren në institucionet shtetërore. Në draftin e paketës së re fiskale, qeveria ka vendosur një afat prej 10 ditësh për të mbyllur aktivitetin.
Sa është rritur shërbimi ndaj biznesit nga bashkimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit me Qendrën Kombëtare të Licencimit?
Që prej një muaji është krijuar Qendra Kombëtare e Biznesit, e cila vjen si një bashkim i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit me atë Licencimit. Gjithashtu Qendra Kombëtare e Biznesit ka një mbulim shumë herë më të mirë në territor. Nëse më parë nuk mbuloheshin të gjitha zonat apo qytetet kryesore, tani ne jemi me 33 zyra qoftë pranë autoriteteve vendore, e qoftë pranë dhomave të tregtisë, falë bashkëpunimit me këto të fundit. Një strukturë shtesë që kemi krijuar është edhe krijimi i Zyrës së Komunikimit me Publikun, që erdhi si kërkesë e vetë komunitetit të biznesit dhe aplikantëve. Ata në shumë në raste kishin nevojë për një këshillim paraprak për t’u regjistruar apo për t’u licencuar. Po ashtu, kjo zyrë shërben edhe për të dëgjuar ankesat dhe problematikat që kanë me administratën.
A e mundëson dhënien e të gjitha lejeve dhe licencave Qendra Kombëtare e Biznesit?
Pjesa e lejeve dhe licencimeve tashmë është e rregulluar, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me ndryshimet ligjore të procesit të autorizimeve. Momentalisht ne mundësojmë vetëm licencimin e subjekteve tregtare. Pranë kësaj qendre mund të aplikojnë për t’u pajisur për një leje, licencë apo autorizim vetëm sipërmarrësit, ata të cilët janë të regjistruar pranë QKR-së dhe jo individët. Ka një numër të lartë të lejeve dhe licencave që mund të merren pranë nesh. Ky proces ka kaluar në një reformë shumë të thellë, nga 200 leje dhe licenca që jepeshin më parë në 90 të tilla. Mbi të gjitha i gjithë procesi kryhet përmes One Stop Shop-it. I gjithë komunikimi, ruajtja e afateve ligjore, sigurohet nga ne.
A do të reduktohet numri i autorizimeve dhe lejeve që një sipërmarrës merr në institucione të ndryshme dhe të ofrohen të gjitha përmes One Stop Shop?
Fusha e autorizimeve është duke u riparë, kjo reformë nuk përfshin vetëm Qendrën Kombëtare të Biznesit, por dhe institucione të tjera, shumë ministri që lidhen me këto procese. Shumë shpejt, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit dhe QKB do të vijnë me një propozim konkret për reduktimin e numrit të autorizimeve dhe do të përcaktojmë qartë se cilat do të jenë institucionet përgjegjëse për lëshimin e autorizimeve. Do të përcaktojmë sa autorizime do të ketë dhe cilat do të jenë. Ka një numër të madh që edhe pse jepen nga institucione të ndryshme, ne mendojmë se duhet të jepen nga QKB apo të reduktohen ose të zhduken dhe të jepet vetëm licenca. Shumë shpejt do të bëjmë gati një draft konkret me afate të shkurtuara dhe me kosto të shkurtuara me procese elektronike, ku një pjesë e mirë do të ofrohen përmes One Stop Shop. Biznesit nuk do t’i duhet të bëjë rrugë e të shkojë në disa vende, por direkt nga aplikimi në qendrën tonë.
Kur do të mundësohet kjo?
Deri në fund të këtij viti do të finalizohet faza e dytë, e cila do të ketë rishikim të procesit të regjistrimit dhe licencimit. Ne do të propozojmë shkurtim të afateve, shkurtim të kostove dhe reduktim të procedurave. Nëse regjistrimi kryhet për 24 orë, licencimi është në varësi të kërkesës që ka aplikanti dhe të llojit të lejes. Ky proces varion nga 2 në 4 ditë. Ndërsa për një pjesë tjetër zgjat më shumë, nga 10 ditë mund të marrë edhe 6 muaj, siç janë aplikimet për leje minerare. Qendra Kombëtare e Biznesit është këtu edhe për të garantuar respektimin e këtyre afateve, është një One Stop Shop që kontrollon edhe ministritë apo edhe institucionet e tjera se sa përgjigjen në kohë brenda afateve. Në rast se këto institucione nuk përgjigjen në kohë është miratimi i heshtur, që leja apo licenca automatikisht konsiderohet e miratuar.
Sa kohë i merr biznesit mbyllja e aktivitetit?
Çregjistrimi i biznesit gjithmonë mbart debate apo edhe pakënaqësi nga aplikantët. Megjithatë po të vërejmë kohën dhe statistikat për të përpunuar një kërkesë të tillë, jo vetëm në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por edhe në Drejtoritë Tatimore qendrore dhe vendore, mesatarisht duhen 40 ditë për t’u çregjistruar për personat juridikë. Në ligj, të gjithë personat juridikë mund të përfundojnë procesin e çregjistrimit brenda 90 ditëve dhe biznesi realisht shpenzon vetëm 40. Për personat fizikë mesatarisht duhet 30 ditë dhe këtu jemi brenda afatit ligjor për të çregjistruar personat fizikë. Por sigurisht që kohë shtesë ka për ato lloj subjektesh, të cilat janë debitore qoftë në tatime e qoftë në banka. Për këtë kategori, procedura e mbylljes merr më shumë ditë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.