Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Tracey Ann Jacobson nënshkruan sot marrëveshjen FATCA, që ka të bëjë me Ligjin për Pajtueshmërinë mbi Tatimin e Llogarive të Jashtme të SHBA-Së.
Ministri i Financave Avdullah Hoti ka vlerësuar se nënshkrimi i kësaj Marrëveshje që Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar sot me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka për qëllim lehtësimin dhe implementimin e Ligjit për Pajtueshmërinë mbi Tatimin e Llogarive të Jashtme të SHBA-së, e cila synon luftimin e evazionit fiskal përtej SHBA-ve.
Ministri Hoti gjithashtu u shpreh se kjo marrëveshje i obligon institucionet financiare raportuese në Kosovë për mbledhjen e informacioneve të përcaktuara në marrëveshje në lidhje me të gjitha subjektet e raportimit të SHBA-së dhe shkëmbimin ndërshtetëror, shkruan Kosova Press.
Ndërsa Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson u shpreh se nënshkrimi i sotëm i kësaj marrëveshjeje shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet e vendeve tona që të punojnë bashkërisht në luftimin e evazionit fiskal “tej oqeanik”, nga ana e shtetasve apo banorëve të Shteteve të Bashkuara, një synim nga i cili përfitojnë të dyja vendet tona.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.