Bordi i Drejtorëve të “Ryanair” ka hedhur poshtë një marrëveshje për të filluar fluturimet në Mal të Zi pas muaj negociatash me qeverinë malazeze.
Pak ditë më parë, qeveria publikoi detaje të marrëveshjes, një lëvizje që zemëroi operatorin e fluturimeve ajrore me kosto të ulët. Sipas saj, “Ryanair” do të fillonte aktivitetin në Mal të Zi këtë qershor,
duke fluturuar nga Aeroporti i Podgoricës drejt Londrës, Milanos dhe Brukselit në bazë sezonale. Numri i fluturimeve do të rritej në mënyrë progresive gjatë katër viteve të ardhshme.
“Ryanair” deklaroi se nuk do t’i fillojë fluturimet në Mal të Zi, duke qenë se taksat në Aeroportin e Podgoricës janë 2.5 herë më të larta se ato në tregje të tjera. “Duke pasur parasysh se ky është një treg i ri,
paraqet rrezik të lartë dhe fitime të ulëta në pesë vitet e para”, tha operatori. Ai është i gatshëm që të rinegociojë kushtet e kontratës, por kërkon reduktime domethënëse në tarifat e aeroportit.
Në shtetin fqinjë, Kroaci, “Ryanair” është i përjashtuar nga pagimi i çdo takse.