Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, i cili prej dy ditësh ndodhet në një vizitë në Maqedoni, ditën e sotme zhvilloi takime me kryeministrin maqedonas dhe me kreun e shtetit tonë fqinj.
Në takimin me kryeministrin Nikola Gruevski biseduan mbi intensifikimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve duke vënë theksin në forcimin e ndërlidhjeve infrastrukturore dhe energjetike, si dhe të shkëmbimeve tregtare e njerëzore mes dy vendeve fqinje si një domosdoshmëri ekonomike e kulturore.
Në këtë kuadër, z. Meta dhe z. Gruevski vunë theksin në rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë duke e konsideruar atë si një emergjencë strategjike si për Tiranën ashtu edhe për Shkupin, dhe si një hallkë të fortë të Korridorit 8 që i shërben tërë rajonit.
Ndërsa në takimin me Presidentin Ivanov u theksua se në emër të së ardhmes së përbashkët evropiane dhe duke vlerësuar rëndësinë e harmonisë ndëretnike dhe ndërfetare në rajon, dy vendet duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në avancimin e procesit të integrimit evropian, duke e ngritur bashkëpunimin dypalësh dhe atë rajonal në një nivel edhe më të lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.