Parlamenti maqedonas miratoi projektbuxhetin për vitin 2018, duke ulur deficitin në 2.7% të PBB-së nga 2.9% vitin e kaluar, si dhe duke parashikuar një rritje prej 3.2%.
Buxheti prej 221.7 miliardë dinarësh (4.28 miliardë dollarësh) përcaktoi shpenzimet e barabarta me rreth 400 milionë euro për investime kapitale, ndërsa inflacioni mesatar vjetor pritet të jetë 1.7%. Të ardhurat u parashikuan në 193.5 miliardë dinarë.
Partia kryesore e opozitës VMRO-DPMNE bojkotoi votimin e buxhetit në shenjë proteste për arrestimin e një ish-ministri të Brendshëm, disa ligjvënësve dhe politikanëve aktivistë në lidhje me akuzat për dhunën e ushtruar në Parlament në muajin prill, e cila e çoi vendin në një krizë politike.
Banka Qendrore e Maqedonisë rishikoi parashikimin e rritjes ekonomike për 2017 me një rënie prej 0.5% nga 2.5%, duke përmendur se shkaktar kryesor i performancës së dobët ekonomike në gjysmën e parë të vitit ishte paqëndrueshmëria politike.
Kriza dyvjeçare e Maqedonisë në lidhje me një skandal përgjimi që përmbysi qeverinë e Kryeministrit nacionalist, Nikola Gruevski, përfundoi qershorin e vitit të kaluar me emërimin e një qeverie properëndimore, me në krye Kryeministrin socialdemokrat, Zoran Zaev.
Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, deklaroi në një seancë Parlamentare se qeveria ka planifikuar të financojë deficitin nëpërmjet një kombinimi të kredive vendase me ato të huaja.
“Huamarrja jashtë vendit mund të bëhet përmes një Eurobondi apo kredive të huaja të favorshme”, tha më tej z. Tevdovski. Ekonomia e vendit ballkanik me dalje në det u rrit me 2.4% në 2016, por prodhimi kombëtar u tkurr në 1.9% në tremujorin e dytë të vitit 2017, duke shënuar edhe rënien e parë që nga viti 2012.
Maqedonia, e cila fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia në 1991, ka përparuar shumë pak në drejtim të anëtarësimit të Bashkimit Europian dhe aleancës së NATO-s, për shkak të një mosmarrëveshjeje me Greqinë.