Flet Eglinor Ramaj, Drejtor Ekzekutiv, DigitAlb
Pirateria televizive në internet shkakton çdo vit dëme të shumta financiare për operatorët e tregut, por edhe pse e vështirë, frenimi i fenomenit nuk shihet i pamundur.
Eglinor Ramaj, Drejtor Ekzekutiv i DigitAlb, shprehet se ka nevojë për një bashkërendim më efikas të institucioneve rregullatore të tregut, por edhe për investime teknologjike dhe në kapacitete njerëzore.
Shqipëria nuk është i vetmi vend që preket nga ky fenomen global dhe për këtë nuk i duhet zbulojë modele të reja, por të zbatojë masa apo të sigurojë shërbime që kanë rezultuar efektive.
Pirateria dixhitale është një nga shqetësimet kryesore që prek negativisht industritë kreative, filmin, televizionin, platformat e posaçme. Në raportin e AMA-s, të vitit 2022, pirateria nga interneti është cilësuar një shqetësim në rritje. Si e shihni ju këtë fenomen të përhapjes dhe ndikimit që ka në platforma dhe industri krijuese ku ju operoni?
Sigurisht, me rritjen e aksesit dhe përdorimit të internetit është rritur në mënyrë eksponenciale edhe fenomeni i piraterisë televizive, e cila ndikon si platformat televizive, televizionet lineare, ashtu edhe rrjetet e kinemave, të drejtat e prodhuesve (kompozitorë, producentë etj).
Kuptohet që dëmi kryesor u shkaktohet platformave televizive, të cilat investojnë për krijimin e kontentit televiziv duke blerë të drejta transmetimi tepër të kushtueshme, veçanërisht të drejtat për kompeticionet sportive.
Të dytët që dëmtohen nga fenomeni i piraterisë televizive janë edhe vetë përdoruesit e këtyre shërbimeve, të cilët me shpresën se do të paguajnë më pak, rrezikojnë të mos marrin asnjë shërbim, pasi në përgjithësi shërbimet pirate kanë jetëgjatësi të shkurtër dhe nuk ofrojnë asnjë siguri për marrjen e shërbimit, për të mos përmendur cilësinë shumë të dobët të transmetimeve.
Cili është dëmi real që u shkaktohet platformave të posaçme dhe mediave audiovizive nga pirateria në internet. Po flasim për të ardhura të munguara që ndikojnë tek investimet apo vende pune me pasoja më të gjera në ekonomi.
Një dëm i drejtpërdrejtë dhe me ndikim shumë të gjerë është ulja e numrit të abonentëve të platformave televizive, e cila sjell një performancë më të ulët financiare për to.
Ulja e performancës shkakton, në mënyrë direkte, edhe një dëm për financat publike, pasi këto platforma do të paguajnë më pak taksa dhe kontribute për arkën e shtetit.
Nga ana tjetër, platformat do të jenë të detyruara të ulin shpenzimet dhe investimet e nevojshme si nga ana teknologjike, ashtu edhe për strukturën dhe cilësinë e programeve televizive.
Siç e dimë, të gjithë, që prej fillimit të viteve 2000, industria televizive në Shqipëri ka pasur zhvillim të vrullshëm, i cili i ka shërbyer si informimit publik, ashtu edhe pasurimit dhe ngritjes cilësore të programeve televizive që audienca shqiptare ka në dispozicion.
Jemi të vetëdijshëm se kjo ka pasur ndikim të madh kulturor, si për audiencën brenda vendit, edhe për ruajtjen e lidhjeve kulturore me diasporën shqiptare.
I gjithë progresi i arritur me investime kolosale financiare dhe burime njerëzore që janë trajnuar në mënyrë sistematike gjatë këtyre viteve, vihet në rrezik nga fenomeni i piraterisë televizive, i cili po nuk u zhduk apo minimizua, mund të na çojë dy dekada pas.
Platformat Televizive dhe Televizionet Kombëtare, por edhe ato lokale, punësojnë mijëra njerëz.
Ata përfaqësojnë profesionistë të cilët i kanë kushtuar karrierën e tyre kësaj industrie, duke u zhvilluar si në planin personal, por edhe në atë që i ofrojnë gjithë publikut.
Nëse kjo industri do të kërcënohet nga pirateria, dëmet direkte dhe indirekte do të jenë të pallogaritshme.
Ky fenomen cilësohet i vështirë për t’u luftuar nën argumentin se serverat që bëjnë piratimin janë në vende të ndryshme të botës. A mendoni se ka një mënyrë efikase që mund të ulë këtë ndikim negativ që jep tek operatorët e licencuar të tregut?
Kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi teknologjia e informacionit ofron siguri të plotë për mbrojtjen e trafikut që hyn apo përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Me një investim shumë modest nga organet rregullatore, mund të bëhet kontrolli i gjithë trafikut “streaming”, pra trafikut që mundëson transmetime nëpërmjet internetit.
Kjo ofron mundësi të sigurta për bllokimin e streaming/transmetimeve pirate në kohë reale, pa pasur rëndësi se ku ndodhen lokalisht serverat që mundësojnë këto transmetime pirate.
E thënë më qartë, serverat le të operojnë nga Kina apo India, por ai lloj trafiku mund të ndalohet të hyjë në Shqipëri.
Ka shoqëri ndërkombëtare të specializuara për këto lloj shërbimesh, të cilat kanë kontrata me organet rregullatore në çdo vend të botës dhe mundësojnë kontrollin e trafikut të internetit, jo vetëm për piraterinë televizive, por edhe për çështje të sigurisë kombëtare, përmbajtjeve të papërshtatshme në internet etj.
A ka një mirëfunksionim të të gjitha hallkave në këtë aspekt sa i takon AMA apo AKEP, për të minimizuar piraterinë jo vetëm nëpërmjet internetit. Çfarë mund të bëhet më mirë për të përmirësuar kushtet në treg?
Kohët e fundit ka pasur koordinim më të mirë mes AMA dhe AKEP për minimizim e piraterisë nëpërmjet internetit, por sigurisht mbetet shumë për të bërë.
Pirateria televizive ndodh non-stop dhe aksionet teknike apo ligjore duhet të jenë më të shpejta dhe jo peng të procedurave administrative.
Fare mirë organet rregullatore mund të krijojnë ekipe task force, si dhe të investojnë më shumë sa i përket anës teknologjike, që do të mundësonte efektivitet më të lartë kundër piraterisë televizive.
A është kuadri ligjor i tregut i plotësuar me të gjithë elementet e nevojshme për të luftuar dhe për të dekurajuar fenomene të kësaj natyre?
Kuadri ligjor i tregut është i plotësuar, por kuptohet që ka nevojë për ndërhyrje që të mundësohen aksione më efektive për zbatimin e ligjit, frenimin apo ndëshkueshmërinë e piraterisë televizive.
Përveç ligjit në letër, kjo kërkon krijimin e strukturave më rentabël dhe angazhim më të lartë teknologjik, por edhe të burimeve njerëzore nga organet rregullatore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.