Ky është vlerësimi i raportit “Global E-waste Monitor 2017”, publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU). Dhe për të ndryshuar situatën duhet shumë pak
Sa 4500 Kulla Eiffel apo nëntë herë Piramida e Gizës. Kjo është pesha e mbetjeve elektronike, të ashtuquajtura e-waste, gjatë vitit 2016. Një grumbull me përmasa të mëdha, i përbërë nga i gjithë hekuri që na rrethon në jetën e përditshme: telefona, karikues baterish, kompjuterë. Por edhe lavatriçe, frigoriferë dhe pajisje elektroshtëpiake të çdo lloji.
Të gjitha formojnë një mal, i cili vitin e kaluar arriti në 44,7 milionë tonë. Kjo është tabloja që paraqet raporti “Global E-waste Monitor 2017”, publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU), organizata ndërkombëtare që përcakton standardet në telekomunikacion dhe përdorimit të valëve radio, në bashkëpunim me United Nations University (UNU) dhe International Solid Waste Association (ISWA).
Një burim që shpërdorohet
Hulumtimi na jep disa shifra se çfarë kostoje ka në mjedis jeta jonë hi-tech. Bëhet fjalë për shifra, që për fat të keq janë të destinuara që të rriten: nëse në vitin 2016, mbetjet elektronike u rritën me 5% krahasuar me vitin 2014, edhe më keq do të jetë situata në vitin 2021.
Kjo rritje vlerësohet me 21% krahasuar me 2016, për një total prej 52,2 milionë tonë mbetje teknologjike. Ajo çfarë mungon është riciklimi i duhur i materialeve, që gjithashtu ka një kosto ekonomike.
Nga e-waste të hedhura vitin e kaluar, vetëm 20% e tyre u mblodhën dhe u ripërdorën. Menaxhimi më i mirë i mbetjeve elektronike do të thotë edhe të ardhura të mira duke qenë se përmbajnë një sasi të konsiderueshme materialesh të vlefshme (në mënyrë të veçantë metale, si ari dhe bakri). Për të qenë më të saktë 55 miliardë dollarë të cilat vijnë vetëm nga smartphone-t.
Klasifikimi
Çuditërisht, prodhuesit më të mëdhenj të mbetjeve elektronike ishin banorët e Australisë, Zelandës së Re dhe vende të tjera të Oqeanisë me 17,3 kilogramë për frymë. Ndjekin Europa përfshirë Rusinë me 16,6 kg për frymë, ndërsa Amerika (Amerika e Veriut, Qendrore dhe ajo e Jugut) me 11,6 kg për frymë; Azia 4,2 kg për frymë, Afrika 1,9 kg për frymë.
Renditja botërore ndryshon sa u përket normave të riciklimit, me Europën në krye me 35%, Amerika 17%, Azia 15% dhe në fund Australia, Zelanda e Re dhe vende të tjera të Oqeanisë me 6%
Situata do të përkeqësohet dhe skenari do të ndryshojë vitet e ardhshme, pasi teknologjia – me rënien e çmimeve – do të bëhet më e aksesueshme. Mjaft të mendosh që përballë një popullsie botërore me 7,4 miliardë njerëz, sot numërohen 7,7 miliardë skeda telefonash celularë.
Edhe pse, sipas raportit, do të rriten më shumë pajisjet që lidhen me shkëmbimin e nxehtësisë, si për shembull frigoriferë, ngrirës, kondicionerë (6% deri në vitin 2020). Ndërsa e-waste, pajisjet me dimensione mesatare dhe të vogla (radio, brisqet etj.) do të rriten me 4%, ndërsa ato që derivojnë nga elektronika e konsumit me 2%.
Një karikues unik do të na shpëtojë
Për të ndryshuar situatën nuk duhet shumë, mjaft të mendosh karikuesit e ndryshëm për çdo lloj pajisje. Nuk është rastësi që raporti evidenton se një milion ton mbetje elektronike përbëhet nga karikuesit e baterive.
Për këtë arsye, ITU po punon për një standard të ri që të ketë një karikues që t’u përshtatet sa më shumë pajisjeve elektronike. Me funksion të dyfishtë: të rrisë jetëgjatësinë në një anë dhe të zvogëlojë malin e mbetjeve elektronike.
Burimi: La Repubblica