Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta zhvilloi një vizitë në fshatin turistik të Voskopojës për të promovuar prodhimin vendas dhe turizmin malor.
I shoqëruar nga Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta u njoh më nga afër me shërbimet hoteliere si dhe shqetësimet për zhvillimin e turizmit malor në këtë zonë.
Kryetari i Kuvendit garantoi për mbështetjen e institucioneve shtetërore për promovimin e pasurive natyrore të vendit tonë dhe të zonës së Voskopojës në veçanti.
“Voskopoja është në rrugën e duhur të zhvillimit. Voskopoja ofron standarde shumë të mira për të pritur një numër edhe më të madh turistësh”, theksoi z. Meta.
Duke iu përgjigjur interesimit të medias për çështjen e Dekretit të Presidentit të Republikës për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit theksoi se Parlamenti do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Presidenti ka kompetencat e tij që ia jep Kushtetuta dhe ai ka vepruar sipas bindjeve të tij në zbatim të Kushtetutës. Njëkohësisht, edhe Parlamenti do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Natyrisht që për të thënë fjalën e fundit do të duhet që të vijojmë të gjithë procedurat parlamentare deri në seancën plenare”, theksoi z. Meta.
Kryetari i Kuvendit tha se një moment tepër i rëndësishëm do të jetë dhe prezantimi që do të zhvillojë kandidati i dekretuar nga Presidenti në Kuvend.
“ Edhe më parë e kam theksuar se një moment i rëndësishëm do të jetë vetëprezantimi i kandidatit të dekretuar nga Presidenti. Absolutisht, besoj se ka një mirëkuptim pozitiv dhe të përgjegjshëm”, tha z. Ilir Meta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.