Ministrat e Transportit të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë janë takuar në Tiranë ku kanë shkëmbyer ide mbi përmirësimin e disa çështjeve që lidhen me trasportin dhe infrastrukturën në rajon.
Gjithashtu në takim është diskutuar edhe për integrimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe shërbimeve në sektorin e transportit të vendeve të Ballkanit.
Në fjalën e tij, ministri i transportit Edmond Haxhinasto u shpreh se është i rëndësishëm bashkëpunimi me Bashkimin Europian për t`i dhënë zgjidhje çështjeve që kanë të bëjnë me projektet strategjike.
Gjithashtu ministri Haxhinasto u shpreh se duhet të punohet me seriozitet në lidhje me pikëpamjen hekurudhore të Korridorit të 8-të.
“Do të kërkojmë të kemi një komisioner pranë Bashkimit Europian, një përfaqësues që të ndihmojë për të realizuar mbështetjen e nevojshme dhe rritjen e vëmendjes sa i përket këtij korridori” tha Haxhinasto.
Ndërkohë ministri Haxhinasto theksoi se një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë është rritja e sigurisë në të gjitha rrugët e vendit.
“Tashmë është hartuar një paketë që parashikon investime, përmirësim të proceseve të dhënies së lejeve të drejtimit, përmirësim të sistemit të testimit të mjeteve dhe rritjes së shërbimit të transportit publik. Kjo paketë do të jetë shumë rigoroze dhe do të ketë efektet e duhura” shtoi Haxhinasto.
Sipas tij në korridorin 8, po investohet në dy pjesët kryesore të tij, në segmentin Tiranë-Elbasan, i cili pritet të përfundojë brenda këtij viti dhe Qukës-Qafë Plloçë, që nis zbatimin në mesin e vitit.
Si artiere kryesore për integrimin rajonal, ministri Haxhinasto përmendi edhe rrugën e Arbrit që lidh Tiranën me Shkupin. Ai propozoi që kjo rrugë të bëhet pjesë e rrjetit rajonal, nëpërmjet bashkëpunimit në projektin e ardhshëm të BE-së, që nis këtë vit.
Me Malin e Zi, tha Haxhinasto, po punojmë për vendosjen e një lidhjeje ujore. Po ashtu, theksoi ai po investohet në portet kryesore të vendit për rritjen e kapaciteteve të tyre, ashtu si dhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ofrohen. Qeveria, tha Haxhinasto, parashikon ndërtimin e një porti të ri në Shëngjin, i cili do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës e më tej.
Në fushën e aviacionit civil, theksoi Haxhinasto, po punojmë për vendosjen në punë të Aeroportit të Kukësit, si dhe për ndërtimin e një porti turisitik në afërsi të Sarandës.
Ai evidentoi si mangësi, mungesën e lidhjes ajrore mes kryeqyteteve të vendeve të rajonit.
Kreu i transporteve, Haxhinasto u ndal edhe në bashkëpunimin për heqjen e barrierave jofizike, që janë pikat e shumta kufitare, kontrollet e zgjatura, kualifikimi jo i duhur i personelit, procedurat e panevojshme, praktikat korruptive dhe prezenca e panevojshme e agjencive doganore. “Të gjitha këto janë objekt i asaj se çfarë duhet të ndyshojmë së bashku dhe reduktimi i tyre ka vullnet politik. Ajo që mbetet është zbatimi konkret i këtij vullneti politik”, deklaroi Haxhinasto. Sipas ministrit, Haxhinasto, adoptimi i legjislacionit komunitar dhe ndërhyrjet në infrastrukturën fizike, mbeten sfidë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.