Shoqata e Bletarëve, së bashku me të gjithë fermerët e anëtarësuar, prej vitesh u adresohen dyerve të Ministrisë së Bujqësisë, për të gjetur zgjidhje të disa nga problematikave që shoqëron këtë sektor. Sipas burimeve të ‘Monitor’, në mbledhjen e fundit, Ministria iu është përgjigjur me plane konkrete, ndërsa disa nga bletarët në vend sërish ngrenë zërin për të tjera çështje.
Një ndër kërkesat e Shoqatës ka qenë mungesa e subvencioneve. Më parë, skema ka qenë 1000 lekë për koshere, e cila përfitohej për fermerët me më shumë se 50 koshere. Ministria e Bujqësisë, pas mbledhjeve me aktorët e tregut, në skemën e mbështetjes për vitin 2018 ka miratuar financime prej 1000 lekësh për fermerë me mbi 100 koshere, për të nxitur sipas tyre edhe grumbullimin e bashkëpunimin mes fermerëve për të prodhuar.
Eugen Skermo, nga “Morava”, thotë sërish se skema e subvencionit duhet të jetë për njësi prodhimi. “Kjo do të nxiste prodhimin e mjaltit dhe do të shmangte abuzimet me numrin fiktiv të koshereve të raportuara për të marrë subvencione”, – thotë z. Skermo.
Një tjetër çështje, e cila ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë, ka qenë ajo e sëmundjes që është përhapur te bletët. Burime pranë Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se kërkesa pritet që të përfshihet në skemën e projektit IPARD, por bletarët thonë ende që nuk janë të qartë me vijimësinë.
Znj. Lejla Shehu nga Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë, ka thënë më herët për “Monitor” se mungon një strategji e mirëfilltë e sektorit të bletarisë në vend dhe, pavarësisht përpjekjeve të shoqatës apo fermerëve, kjo nuk po arrihet.
Në një komunikim me revistën “Monitor”, pikat e kërkuara në mbledhjet e mëparshme nga Shoqata e Bletarëve nga Ministria janë:
- Sëmundjet e bletëve
- Medikamentet e përdorura
- Helmimet nga spërkatjet e pakontrolluara
- Mungesa e subvencioneve dhe i një përfaqësie në institucion
- Monitorim i vazhdueshëm: i statistikave mbi bletën, sëmundjeve të tyre etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.