Për dy ditë dhe të gjithë të apasionuarit pas sporteve do të gozhdohen përpara ekraneve televizive për të ndjekur garat sportive të shumë disiplinave. Sepse pas dy ditësh, më 13 gusht 2004, fillojnë Lojërat Olimpike të Verës në Athinë. Shteti fqinj i jugut, Greqia do të jetë sivjet shtëpia e Lojërave Olimpike, duke e rikthyer këtë traditë në vendin ku ajo lindi. Lojërat Olimpike janë një ngjarje shumë e rëndësishme e sportit botëror. Por këto Lojëra bartin me vete rëndësi edhe për zhvillimin e ekonomisë, turizmin, për përhapjen e imazhit të vendit pritës. Për këtë arsye Greqia nuk është kursyer në shpenzime. Paratë janë derdhur pa hesap me shpresën se do të kompensohen me më shumë turistë dhe rritje ekonomike. Mbi të gjitha grekët punojnë për t u rreshtuar në vendet më të përparuara duke i treguar Botës se edhe ata dinë fare mirë të administrojnë ngjarje të tilla. Të gjithë presin dhe shpresojnë për Lojërave Olimpike të suksesshme. Por Greqia dhe sidomos sportistët e turistët kërkojnë të ndjekin Lojërat Olimpike qetësisht, të siguruar prej sulmeve terroriste. Për këtë një plan sigurie i gjithanshëm është hartuar dhe testuar. Megjithatë, ankthi mbetet. Gjithkush do të shpëtojë prej tij kur të përfundojnë Lojërat.Shqipëria, gjithashtu, është vend pjesëmarrës në Lojërat Olimpike. Pjesëmarrjes me një ekip modest në vite në të tilla ngjarje, sivjet i shtohet edhe një kontribut më shumë. Shqipëria është angazhuar tërësisht për të siguruar Lojërat Olimpike. Me një plan të gjerë masash janë vënë nën kontroll pikat kufitare, janë forcuar kontrollet e lëvizjes si dhe janë shpenzuar jo pak për buxhetin e vendit, 2.8 milion euro, që fqinji ynë të jetë tërësisht i sigurt prej nesh. Dhe ia arritëm me sukses. Ambasadori i Greqisë në Tiranë i vuri notën 10 Shqipërisë për përgatitjet dhe angazhimin e saj për sigurinë e Lojërave Olimpike të Greqisë. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Historikisht Shqipëria ka manifestuar vetëm qëndrime dashamirëse ndaj çdo fqinji të vet. Atë për të cilën jemi mburrur shpeshherë se kurrë nuk kemi kërcënuar dhe pushtuar toka fqinje tashmë po e ndryshojmë. Po përpiqemi që edhe të sigurojmë fqinjët prej terrorizmit të dikujt tjetër.Nëse grekët kërkojnë të jenë krenarë për Lojërat e tyre Olimpike dhe shqiptarët kanë të drejtë të krenohen për miqësinë, që u ofrojnë fqinjëve. Ne dimë të jemi gjithnjë miq, pavarësisht nga rrethanat apo ngjarjet historike. Të shpresojmë që miqësia do të na respektohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.