Monitorimi i ri i qeverisë: Siguria mbetet problematike në Koncesionin e Rinasit

23/09/2020 11:01 PM 0 komente

Qeveria e Shqipërisë ka monitoruar zbatimin e kontratës koncesionare në Aeroportin e Rinasit dhe ka gjetur se kriteri në lidhje me sigurinë mbetet problematik edhe pse në prill të vitit 2019 në ambientet e Aeroportit ndodhi një super grabitje.

Nga 11 indikatorët e performancës së kontratës së koncesionit rezulton se, realizimin më të dobët e ka sistemi i sigurisë.

Sipas Ministrisë së Financave që ka monitoruar kontratën, “implementimi i plotë i sistemit të  menaxhimit të sigurisë nga koncensioni” u realizua në masën 65 % në vitin 2019. Gjithashtu kontratat ka pasur realizim jo në parametra në mjetet kundra zjarrit në Aeroport dhe në mirëmbajtjen e Aerodromit  (shih tabelën bashkëngjitur).

Mungesa e sigurisë në Rinas rezultoi me kosto për sistemin bankar, pasi përgjatë viteve 2018-2019 ndodhën një seri vjedhjesh në ambientet e Aeroportit. Më e rënda ishte ajo e prillit të vitit 2019 ku në ambientet e Aerodromit në afërsi të avionit u vodhën miliona euro që  do të transportoheshin nga bankat jashtë vendit. Ngjarja e cila tronditi opinionin publik vuri nën presion kompaninë kineze që menaxhon koncesionin e Rinasit.

Por në mbyllje të vitit 2019 qeveria e Shqipërisë në monitorimin që i ka bërë kontratës ka vënë re që indikatori që ka lidhje me sigurinë në Aeroport nuk është përmbushur ende.

Si rrjedhojë e rritjes se nevojës për fluturime ajrore në fillim të viteve 2000 qeveria e kohës vendosi të japë Aeroportin “Nënën Tereza” me koncesion.

Këshilli i Ministrave vendosi të shpallë për investitorët ndërkombëtarë ndërtimin e një terminali të ri dhe shërbimeve të tjera, si dhe operimin e aeroportit. Procedurat konkurruese u mbyllën në fund të vitit 2003 dhe në datën 23 Prill 2005 Tirana International Airport filloi operimet tek Tirana International Airport “Nënë Tereza”. Ky projekt kishte një kohëzgjatje prej 22 vitesh, me maksimum kohëzgjatje 4.5 vjet në varësi të operimit të një aeroporti të ri tregtar me një vlerë investimi 9.1 miliardë lekësh, sipas një ndryshimi që iu bë kontratës në prill 2018, kur aeroportit të Rinasit u hoq monopoli, pasi u lejua ndërtimi i Aeroportit të Kukësit, që edhe sot nuk është akoma funksional.

Projekti konsiston në zhvillimin e dy fazave A dhe B ku përfshihet projektimi, financimi, operimi, ndërtimi, vënia në punë, mirëmbajtja dhe administrimi/zhvillimi i terminalit të ri të aeroportit, duke lejuar zgjerimin e tij në të ardhmen.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of