Nafta falas për fermerët, janë miratuar 15% e aplikimeve; Ministria e Bujqësisë publikon listën me 1093 përfitues të tjerë

08/04/2021 9:00 AM 0 komente

Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor (AREB) pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe verifikimit të parcelave në terren miratuan edhe 1093 aplikime të tjera për përfitim të naftës falas nga fermerët.

Ministria e Bujqësisë publikoi në faqen zyrtare listën pjesore me përfituesit e radhës që i përkasin qarqeve, si:  Durrës, Tiranë, Lezhë, Berat, Elbasan, Korçë, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Dibër dhe Shkodër. Në total deri tani është miratuar 15% e aplikimeve.

Nga data 15 janar kur nisi procesi deri më 30 mars aplikuan online në portalin e-Albania 20,561 fermerë.  Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka kryer verifikimin e  përputhshmërisë së dokumenteve të deklaruara nga fermeri  me ato që ka depozituar. Deri me 30 mars u miratuan rreth 2,000 përfitues, për të cilët vazhdon pajisja me kartën e naftës, sipas sasive respektive. Pas miratimit nga Ministria e Bujqësisë të listës të pestë pjesore, numri i aplikimeve të miratuar arrin në 3,093 fermerë.

Sasia e naftës së përfituar nga subjektet përkatëse do të ndahet në dy periudha brenda vitit dhe tërheqja e sasisë respektive do të bëhet brenda 30 nëntor 2021.

Parimi kryesor është qe mbështetja me nafte bujqësore bëhet për bimë të kultivuara, si perimet e serës dhe dru frutorë. Për aplikuesit me sipërfaqe deri në 10 ha, përfitojnë 100% sasinë e naftës, sipas normativave të përcaktuara në udhëzim. Fermerët që disponojnë  sipërfaqe mbi 10 ha, për sipërfaqen mbi 10 ha, marrin sasinë e naftës me normativë të korrektuar/reduktuar, kur sasia e naftës në dispozicion nuk plotëson të gjithë kërkesën për këto sipërfaqe.

Lista me subjektet përfituese, sasitë e naftës për secilin prej tyre dhe ndarjen e sasive të lejueshme për t’u tërhequr për çdo sezon, i dërgohen operatorit furnizues të naftës të kontraktuar nga MBZHR-ja. Operatori është i detyruar të prodhojë kartat e naftës për çdo subjekt përfitues. Fermerët do të pajisen me kartën e tërheqjes të naftës pranë pikave të AREB.

Nga skema e naftës përjashtohen fermerët që deklarojnë tokë të kultivuar me ullishte, kullota, bimë dekorative etj. Në udhëzimin e Ministrisë të Bujqësisë përcaktohej se fermeri që aplikon sipërfaqen e tokës e ka 5 dynym dhe parcelat i ka mbi 1 dynym, por një pjesë toke (3 dynym) është e mbjelle me ullinj, kushti i pranimit prej 4 dynym (0.4 Ha) tokë bujqësore, duhet të jetë sipërfaqja me kultura të pranuara. Pra pjesa e mbjellë me ullinj përjashtohet nga llogaritja. Nëse duke hequr pjesën e mbjelle me ullinj, sipërfaqja e mbetur është me pak se 4 dynym, atëherë aplikanti nuk ka mundësi te përfitoje për mbështetje me nafte bujqësore. Për rastet kur brenda një blloku me ullinj është mbjellë (për shembull jonxha) nuk do të pranohet për t’u përllogaritur mbjellja brenda bllokut, pasi kulturat bashkëshoqëruese nuk mund të përfitojnë nga mbështetja me naftë.

Regjistrimin e një sere të mbjellë me vreshta, Ministria e Bujqësisë e kategorizon si rast të veçantë dhe për efekt të aplikimit, ajo do të regjistrohet në seksionin “Pemëtore me kategorinë Dru frutore te tjera/Vresht. “Nuk do te regjistrohet si sere ne parcele. Ky është edhe rasti serave me limon. Pra ne këto raste, sipërfaqja nuk do të trajtohet si Sere por si Pemëtore – vetëm për efekt te aplikimit dhe përllogaritjes se normatives.

Lista e përfituesve

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of