Pas goditjes së pandemisë COVID-19 në vitin 2020, puna për shumë ndërtime që ishin në vazhdim u ndërpre dhe afatet e përfundimit u zgjatën.
Tani, teksa po mbyllet viti 2021, mund të vlerësojmë arkitekturën e ndërtimeve që më në fund mundën të përfundonin. Është koha për të reflektuar mbi disa nga projektet më frymëzuese dhe më të mirëmenduara të vitit.
Eksperienca Casa Batlló 10D me shkallë të dizajnuara nga Kengo Kuma
Projekti i parë në listën tonë nuk është një ndërtesë e re, por një shtesë në të famshmen Casa Batlló nga Antoni Gaudí. Viti 2021 na solli Eksperiencën Casa Batlló 10D, ku organizatorët festuan rihapjen e dyerve të ndërtesës historike.
Ky event gjithëpërfshirës përbëhej nga projektime fantastike, instalime të realitetit të zmadhuar dhe një shtesë interesante të shkallëve nga Kengo Kuma & Associates. Puna përfshin një perde me zinxhir alumini nga Kriskador. Duke përdorur zinxhirët, Kuma krijon një ndarje verbuese metalike, duke i bërë këto shkallë t’i përshtaten atmosferës të Casa Batlló.
Depo Boijmans Van Beuningen nga MVRDV
Depo Boijmans Van Beuningen nga MVRDV është objekti i parë në botë i ruajtjes së veprave artistike i cili ka akses publik, me 151,000 vepra arti nga Muzeu Boijmans Van Beuningen. Depoja është në formën e një tasi të madh argjendi dhe është mbuluar me panele pasqyruese, duke e lidhur ndërtesën edhe më shumë me vendin dhe duke bërë atë gjithmonë e më tepër një komoditet publik. Brenda, vizitorët mund të vlerësojnë vëllimin e madh të punëve artistike, ndërsa lëvizin nëpër një holl të madh qendror me shkallë të kryqëzuara që lidhin katet me njëri-tjetrin.
Shtëpia e Muzikës Hungareze nga Sou Fujimoto
Shtëpia e Muzikës Hungareze nga Sou Fujimoto është një “shtëpi moderne dhe ekstravagante për muzikë” në Parkun e Qytetit të Budapestit. Projekti është pjesë e planit të rizhvillimit Liget Budapest dhe përkujton historinë e gjatë të kontributit hungarez në muzikë. E dalluar nga çatia e saj e veçantë që përmban pothuajse 100 vrima të shpuara, pjesa e brendshme e kësaj ndërtese ndriҫohet plotësisht nga drita natyrale.
Qendra Ilulissat Icefjord nga Dorte Mandrup
I vendosur vetëm 150 milje nga Rrethi Arktik, qyteti bregdetar i Ilulissat ndonjëherë përshkruhet si “vendi ku mund të shikosh efektin real të ndryshimeve klimatike”. Në përputhje me misionin e studios për të punuar me “vende të pazëvendësueshme”, Qendra Ilulissat Icefjord nga Dorte Mandrup është vendi i përsosur për të shijuar pamjen dinamike. Vizitorët në këtë qendër do të shikojnë ajsbergët që çahen dhe notojnë tutje. Forma bumerang e ndërtesës u përdor për të krijuar një lidhje vizuale me ujin, por gjithashtu ndihmon në minimizimin e grumbullimit të borës. Prandaj, forma e saj karakterizohet si nga klima e ashpër e zonës, ashtu edhe nga përvoja e vizitorit.
Infinitus Plaza nga Zaha Hadid Architects (ZHA)
Infinitus Plaza nga Zaha Hadid Architects është një kompleks futuristik për Infinitus. Të frymëzuar nga forma e simbolit të pafundësisë, arkitektët e firmës krijuan dy ndërtesa të veҫanta, por të lidhura me njëra-tjetrën. Të dyja ndërtesat janë të mbuluara me panele alumini me vrima, të rrotulluara në mënyrë të tillë për të lejuar hyrjen e dritës. Pjesa e brendshme e këtij projekti eksploron hapësirat dinamike të punës të krijuara për të inkurajuar njerëzit të punojnë së bashku.
Terra – Pavijoni i qëndrueshmërisë në DUBAI EXPO 2020 nga Grimshaw Architects
Padyshim, një pikë kulmore e arkitekturës në vitin 2021 është Dubai Expo 2020. Pasi eventi u shty dhe rishty për shkak të pandemisë së Covid-19, dizajnerët, artistët dhe arkitektët, u bashkuan këtë vit për të krijuar pavijone të mrekullueshme. Një nga projektet më interesante të eventit ishte Terra-The Sustainability Pavilion i studios së arkitekturës Grimshaw.
E vendosur në zonën e qëndrueshmërisë së Expo, Terra është një ndërtesë e përhershme, e projektuar për t’u përdorur shumë kohë, kurse strukturat e tjera të përkohshme nuk janë më. Në qendër të saj është një “pemë gjigante energjie” e mbuluar me panele diellore dhe e krijuar në 97% me çelik të ricikluar.
Rreth pemës kryesore të energjisë janë pemë të tjera më të vogla, që kontribuojnë në kapacitetin e pavijonit për të gjeneruar të gjithë energjinë dhe ujin e nevojshëm për funksionimin e saj. / My Modern Met