Flet inxhiniere Xheni Jahja, nga agjencia Tirana Real Estate
Mbyllja e 2017-s ka qenë shumë pozitive në aspektin imobilar, krahasuar me fundin e 2016-s. Bizneset janë pozitivë dhe aktivë, kërkojnë ndryshim ambienti. Kërkojnë zgjerim për të rritur numrin e të punësuarve, në aspektin favorizues të biznesit.
Çmimet në 2017-n kanë lëvizur shumë pak, kanë luhatje të vogla. Por janë të kompensuar sipas zonave të ndryshme. Gjatë 2017-s janë sistemuar edhe ata që kanë dashur zgjerim, me një çmim ekonomik, por edhe ata që kanë kërkuar sipërfaqe më të vogla por në zona më strategjike.
Në 2018-n pritet ligji i ri për taksën mbi pronën, mendimi im personal është që nuk do të ndikojë në çmim. Nëse taksa do të reflektohet diku për përmirësim infrastrukture dhe hapësirave të përbashkëta do të ishte diçka shumë pozitive për tregun e pasurive të paluajtshme.
Mbyllja e call center ka rritur sipërfaqet e ambienteve të lira, të cilat çmimin e kanë më të lartë se sa kërkohet në treg. Gjithsesi është një fenomen që e rregullon vetë tregu, kur e mban bosh për një kohë, pronari preferon që ta ulë.
Lidhur me tregun e apartamenteve shpresojmë që kërkesa për blerje të jetë si në 2017-n, sepse ka pasur shumë lëvizje, veçanërisht në shitje, por edhe në qira. Ecuria ka qenë pozitive. Blerësit kanë synuar çmime ekonomike. Shtresa e mesme ka dashur të stabilizohet. Por ka edhe klientë që kërkojnë të bëjnë blerje të dyta dhe të treta.
Për sa i përket bregdetit ka ofertë por kërkesat janë minimaliste. Ndërtimet e reja janë bërë me materiale cilësore. Kanë ardhur me planimetri të rregullta, ndryshe nga më parë, dhe vijnë në bashkëpunim me bankat për të marrë kredi. Gjithashtu kanë çmime interesante. Po bëhen ndërtime në zona jo shumë afër qendrës, por kanë çmime të favorshme.
Ndërtimet e reja i shohin shumë për rihedhje në treg për qira. Mbi 50% e tyre janë për tregun e qirasë. Është një investim shumë i mirë, sepse ndodhet në një rreze shumë të ngushtë me investimet e reja që janë bërë. Çmimi i qirasë për ndërtimet e para dhjetë viteve do të ketë rishikime, kuptohet jo në zonat si Blloku. Edhe komplekset në anën lindore të Tiranës po marrin zhvillim dhe do të ketë kërkesë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.