Flet Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë
Roli i projektit TAP është me rëndësi të madhe ekonomike dhe politike për vendin, por ndikimet e tij në periudhën afatshkurtër duket se janë ekzagjeruar. Gjatë dy-tre viteve të fundit është nënvizuar se rritja ekonomike e vendit i atribuohet këtij projekti, duke shtuar edhe projektin e Statkraft-it në Devoll. Mendoj se është e pamundur që rritja ekonomike të jetë kaq fort e ndikuar nga ky investim dhe se efektet e tij në punësim dhe në sistemin fiskal nuk japin ndonjë indikacion që ta mbështesë këtë tezë. Por, në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, ndikimet e tij mund të jenë të paneglizhueshme.
Fakti që Shqipëria do të bëhet një vend transit i mallrave strategjike, siç është gazi, e bën vendin tonë një korridor të rëndësishëm strategjik dhe e shton vëmendjen e vendeve të tjera ndaj problemit të sigurisë dhe stabilitetit. Këta faktorë janë gjithashtu në vetvete të rëndësishëm për rritjen ekonomike.
Në një lidhje më të drejtpërdrejtë, lidhja me rrjetin e gazit, i jep vendit akses te burimet energjetike më të lira e që rrjedhimisht mund të diversifikojnë prodhimin e elektricitetit dhe të furnizojnë ekonominë me burime me kosto më të lirë.
Të gjithë këta faktorë janë pozitivë dhe e mbështesin fort suksesin e realizimit sa më shpejt të projektit.
Megjithatë po të studiojmë nga afër strukturat e investimeve të huaja në vendin tonë vëmë re se ajo është e dominuar nga sektori shërbimeve, i telefonisë, bankat, sigurimet.
Në këtë kuptim, efektet e FDI-ve kanë qenë shumë modeste në diversifikimin e sektorit të manifakturës, në punësim, në nivelin e pagave, etj. Pra, IHD-të nuk kanë pasur ndikim të dallueshëm në diversifikimin e strukturës ekonomike dhe modernizimin e ekonomisë. Projekte si TAP, sigurisht që janë me rëndësi vitale, pasi ato janë pjesë e modernizimit të infrastrukturës bazë mbështetëse për zhvillimin e ekonomisë. Prandaj do të duhej të bëhej e mundur që IHD-të të diversifikohen, duke u shtrirë më shumë në sektorin e prodhimit dhe të industrisë, e nga ana tjetër duke bërë të mundur plotësimin e infrastrukturës bazë: energji, transport, komunikim, që janë prerekuizita për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe për një efekt më të fortë të IHD-ve në modernizimin e ekonomisë së vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.