Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të publikuara në dollarë eksportet në tremujorin e parë të 2004 shënuan një rritje vjetore prej 26%. Por, sipas të dhënave të INSTAT, të publikuara në lekë, eksportet u rriten me vetëm 3.5%. Cilat shifra duhet të besojmë ?!Milva Ekonomi e Instat: të dhënat më të sakta janë ato në lekë, pasi të dhënat nga Dogana i marrim në monedhën shqiptare.Tre rezultate të ndryshme për bilancin tregtar të tremujorit të parë 2004 u publikuan nga institucione të ndryshme ditët e fundit (Tabela 1). Banka e Shqipërisë trumbetoi rritjen vjetore të eksporteve me 26% dhe rritjen e importeve prej 14.5% (të dhënat u dhanë në dollarë). «Duhet vlerësuar fakti që eksportet e mallrave për këtë tremujor, kanë shënuar nivelin më të lartë të eksporteve për tremujor në vite », nënvizonte Banka Qendore në deklaratën e zhvillimeve në sektorin e jashtëm të ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2004. Deficiti tregtar sipas të dhënave të BSH u rrit me 10%.Situata paraqitet krejt ndryshe në Konjukturën tremujore të INSTAT, ku të dhënat janë të publikuara në lekë. Ekportet totale, krejt ndryshe nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë paraqesin një rritje me vetëm 3.5%, importet u ulën me 6.7%, ndërsa deficiti tregtar u reduktua me rreth 9%. Kushdo lexues i kujdesshëm do të ndodhej në dilemë: Cilat shifra duhet të besojë ?! Institucionet mes tyre nuk e vrasin mendjen që të bëjnë korrektimin e të dhënave të tregtisë së jashtme, në varësi të ndryshimit të kursit të këmbimit të lekut kundrejt euros dhe dollarit. Atëhere do të dilte e qartë se rritja e lartë e eksporteve e deklaruar nga Banka e Shqipërisë nuk është veçse efekt i forcimit të ndjeshëm të lekut ndaj dollarit. Asnjë institucion nuk e publikon rritjen e eksporteve në volum, çka do të mund të jepte një ide më të qartë, duke shmangur efektin e kursit të këmbimit. Të dhënat raportohen sipas interesit. Kështu, Banka Qendore nga ana e saj, ndonëse ka disa muaj që bilancin e pagesave e llogarit në euro dhe dollarë, këtë herë u mjaftua me publikimin e të dhënave në dollarë, të cilat tregonin një rritje të jashtëzakonshme të eksporteve. Milva Ekonomi : Të dhënat i marrim të gjithë te dogana, në lekëDrejtoresha e Instat, Milva Ekonomi shpjegon për «Monitor« se burimi të dhënave që përdorin si Instat, ashtu dhe Banka e Shqipërisë është i njëjtë. Të dhënat merren nga Doganat (burimi kryesor i informacioni është deklarata doganore), të cilat i japin shifrat në lekë. «Transaksioni në dogana kryhet në lekë, ndaj dhe vlerësimi i saktë i bilancit tregtar është në lekë«, shpjegon Ekonomi. Problemi qëndron në faktin se mënyra e përpunimit të të dhënave është e ndryshme, nga secili institucion, në varësi të përgjegjësisë. Ekonomi shpjegon që në mënyrë që të dhënat të bëhen të krahasueshme duhet të kryhet i njëjti veprim si me pagën reale (e cila pjestohet me inflacionin), duke pjesëtuar rritjen e eksporteve me kursin mesatar të këmbimit. Ekonomi shpjegon dhe arsyen e mosdaljes së situatës mujore të tregtisë së jashtme, e cila sipas saj ka të bëjë me fillimin e projektit të doganave ASIKUDA, i cili ka shkaktuar disa vonesa në daljen e të dhënave. Ekonomi pohon se këto të dhëna do të dalin menjëherë, sapo doganat të kalojnë fazën e zbatimit të projektit.Doganat dhe të ardhuratSipas të dhënave të doganave, rreth 70% e importeve janë në euro dhe 30% në dollarë. Dogana paguhet nga importuesit në lekë, duke u konvertuar me kursin e ditës. Forcimi i lekut ndaj dollarit dhe euros ka shkaktuar dhe probleme në të ardhurat doganore në lekë. Plani i doganave është hartuar në bazë të kursit të këmbimit 1USD=125 lekë, kur sot 1 USD këmbehet me rreth 100 lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.