Ligji për nëpunësin civil, që u miratua me konsensus të gjerë politik në majin e 2013-s, do të ndryshojë në shtator, por jo nëpërmjet akteve normative të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Kur janë mbushur vetëm tri javë, nga hyrja në fuqi e ligjit aktual, qeveria paralajmëron se në fillimin e sesionit të ri parlamentar do të paraqesë në Kuvend propozime konkrete, të kushtëzuara nga zhvillimet e fundit politike në vend. Marrja nga Shqipëria e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE dhe miratimi i reformës administrativo-territoriale, janë dy arsyet që do ta detyrojnë ekzekutivin që në shtator t’i kërkojë legjislativit rishikimin e ligjit “Për nëpunësin civil”. Por nga ana tjetër, qeveria deklaron se arsye tjetër është dhe fakti se ligji aktual, që ishte një nga tre kushtet e BE-së për dhënien e statusit, është “shumë i politizuar dhe se ky ligj nuk pati fatin të diskutohej mjaftueshmërisht”, – tha dje ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito.
Marrja e statusit
Administrata e sotme publike lë shumë për të dëshiruar në nivelin profesional dhe kjo situatë, sipas Haritos, e bën të pamundur hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Për këtë arsye ajo u shpreh se duhet të ndërhyhet në ligjin “Për nëpunësin civil” për të garantuar rritjen e performancës dhe profesionalizmit të nëpunësve të saj. Gjatë raportimit të saj në Komisionin e Ligjeve për situatën e Shërbimit Civil, gjatë vitit të kaluar, Harito sqaroi se një nga pikat ku ky ligj do të preket janë pikërisht nenet që kanë të bëjnë me kriteret e emërimeve dhe të performancës së nëpunësve që janë punësuar në administratën shtetërore. “Ne duam të forcojmë shumë në ligj kriteret e performancës. Dhe jo për arsye ideale, por për një arsye shumë praktike: Në qoftë se ne do të duam të hapim negociatat me Bashkimin Europian, na duhet një administratë që nuk ka lidhje fare me nivelin e performancës që kemi sot. Pra, duhet përmirësuar në mënyrë shumë të ndjeshme mënyra se si masim performancën dhe se si performon kjo administratë, dhe këtë gjë do të duhet ta fusim në ligj, ta fusim në aktet nënligjore dhe ta fusim në praktikat tona”, – tha Harito, duke shtuar se ndryshimet në ligj po konsultohen me Komisionin Europian dhe në sesionin e ardhshëm do të vijnë në Parlament.
Ndarja administrative
Sa i përket amendimeve të ligjit të shërbimit civil, përveç kritereve të performancës në ligjin ekzistues pritet të propozohen një sërë ndryshimesh, që do të nisin me propozimin për zhbllokimin e situatës me Departamentin e Administratës Publike, i cili me ligjin aktual është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë, për këtë çështje, qeveria pritet ta kalojë DAP-in në varësi të Ministrisë së Inovacionit për t’i krijuar lirinë institucionale. “DAP-i ka të sanksionuar varësinë e tij në këtë ligj, duke e ngurtësuar dhe duke e bërë pjesë të një institucioni që është Ministria e Brendshme, aktualisht DAP-i është në aparatin e Ministrisë së Brendshme dhe kjo është e shkruar në ligj”, – tha përfaqësuesja e Shërbimit Civil para deputetëve të Komisionit të Ligjeve. Sa u përket ristrukturimeve, ajo u shpreh se ligji duhet të amenduar, rregulluar dhe duhet përshtatur me ndryshimet administrative që do të shkaktojë reforma. Në këtë kontekst, ajo tha se ligji aktual nuk parashikon se çfarë ndodh me institucionet që ristrukturohen, një problematikë kjo që do të shkaktohet sidomos me reformën territoriale.
Largimet
Xhafaj: Të merren masa ndaj drejtorëve dhe sekretarëve
xhafajKryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, gjatë shqyrtimit të raportit vjetor për vitin 2013 të Shërbimit Civil i kërkoi ministres për Administratën Publike, Milena Harito, marrjen e masave jo vetëm për zbatimin e vendimeve të gjykatave dhe rikthimin e punonjësve që kanë fituar gjyqe, por kërkoi që për të gjithë drejtorët apo sekretarët e përgjithshëm të ministrive që kanë larguar nga puna pa asnjë lloj arsyetimi ligjor nëpunësit e administrative që ata drejtojnë, të merren masa penale. “Se unë nuk e kuptoj dot që të jetë sekretari i përgjithshëm i ministrisë, apo ish-drejtori i përgjithshëm që të largosh nga puna njerëzit me një copë letër, pa asnjë procedurë, dhe të thuash: shkurtova unë, por mora ca të tjerë”- u shpreh Xhafaj.
Ja situata në Administratën Publike
Shkurtimet
-Gjatë vitit të kaluar, administrata është shkurtuar me 15 për qind
Nëpunësit
Mbi numrin e punonjësve të administratës, janë rreth 9 mijë në Administratën Qendrore dhe 5 deri në 6 mijë në pushtetin lokal.
Përpara ishin vetëm 3 mijë: rreth 1500 në aparatin e ministrive dhe një pjesë të institucioneve të varësisë.
Punonjësit
Numri i përgjithshëm i të punësuarve në administratë është 100 mijë.
Gjykimet
95 çështje janë në proces për kthimin në punë të të shkarkuarve nga administrata e majtë
Vendimet
Ka 120 vendime të formës së prerë për rikthimin në detyrë dhe shpërblim të të shkarkuarve nga administrata të trashëguara nga qeveria e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.