Disa biznese që më parë kishin eksportin si aktivitet kryesor, pas vështirësive që ka sjellë kursi i këmbimit po mundohen të hyjnë me produkte në tregun e brendshëm.
Alban Zusi, i cili prej vitesh operon në sektorin e agropërpunimit për eksport, vitin e kaluar ka nisur prodhimin e një fertilizuesi organik për bujqësinë, i cili sipas tij është shumë efektiv dhe me kosto shumë më të ulët se importi.
Bujqësia është një importues i madh i inputeve nga jashtë. Pothuajse të gjitha plehrat dhe pesticidet vijnë nga importi, teksa vendi ynë, deri në vitin 1990, ka pasur fabrika të mëdha të prodhimit të plehrave kimike dhe organikë.
Për herë të parë në Shqipëri, kompanitë e “AZ Group” po prodhojnë fertilizuesin organik natyral “AZ Fert”, një produkt i cili premton të zgjidhë shumë nga problemet që hasin sot fermerët dhe biznesmenët shqiptarë, të përmirësojë rendimentin prodhues, jo vetëm të bimëve, por edhe të tokave, tha Zusi.
Produkti u prodhua nën monitorimin shkencor të Universitetit Bujqësor dhe është filluar me sukses në shumë qarqe, tha z. Zusi.
Sipas tij, Shqipëria trashëgon përvojë në industrinë kimike. Prodhimi i plehrave kërkon përzierje të disa elementeve dhe mund të realizohet, duke i importuar këto elemente jashtë vendit dhe në Shqipëri të bëhet vetëm procesi i përzierjes.
Plehrat zënë pjesën më të madhe të kostos në bujqësi dhe prodhimi i tyre në vend do të ishte në vetvete një biznes me fitim dhe një ndihmë e madhe për fermerët. Vetëm nga eliminimi i kostove të transportit, prodhimi i tyre në Shqipëri do të ishte konkurrues, tha z. Zusi, i cili ka nisur të prodhojë ushqime për kafshët në një fabrikat e tij.
Ai e konsideroi sukses, biznesin e prodhimit të ushqimit të kafshëve, treg i cili aktualisht tha se dominohet nga Serbia.
Çmimet e bulmetit në Shqipëri nuk janë konkurruese, jo vetëm për faktin e mungesës së subvencioneve në bujqësi, por edhe prej kostos të lartë që krijon importi i bazës ushqimore për fermat e kafshëve. Z. Zusi tha se tashmë ka disa klientë që furnizohen nga fabrika e tij, kryesisht ushqim për shpendë, çmimi i të cilit është 30% më i lirë se importoi.
Të njëjtën taktikë diversifikimi nga eksporti ka ndjekur edhe Ardian Çitozi, një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës në vend. Me kompaninë “Lea 2000”, së fundi ai ka nisur prodhimin e reçelrave nga frutat e egra të pyllit që deri vjet i eksportonte në gjendje të freskët.
Nisur nga përvojat e vendeve të tjera, por edhe për të rritur të ardhurat, ai ka nisur prodhimin e së paku 18 lloje glikosh dhe reçelrash që kanë si bazë frutat e egra të pyllit. Prodhimi do të certifikohet si organik, pasi do të sigurohet edhe sheqeri si i tillë.
Vlera e një kilogrami gështenjë e freskët së paku 10-fishohet kur ajo bëhet gliko, po kështu rritet edhe vlera e boronicës, mjedrës, fikut të egër etj. Shqipëria e ka shumë pak të zhvilluar zinxhirin e përpunimit të ushqimeve, teksa për shkak të natyrës, ka një shumëllojshmëri prodhimesh totalisht organike.
Por bizneset e sektorit pohojnë se, duhet ende shumë punë për të nxitur konsumatorët shqiptarë të zgjedhin prodhimet shqiptare në raftet e supermarketeve.
Aktualisht në të gjitha pikat e pakicës gjen shumëllojshmëri reçelrash të importuara, ndërkohë që Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë që mundëson fruta që rriten në gjendje të egër, pa praninë e ndotjes dhe pesticideve. Mirëpo, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe ngarkesës së lartë fiskale, frutat që përpunohen në vend kanë kosto më të lartë se importi.
P.sh. hotelet në të gjithë vendin janë konsumatorë të mëdhenj të reçelit, i cili, në një masë të madhe, importohet nga Kina me çmim shumë të lirë në një kohë që mollët e Korçës kalben.
Përpunuesit pohojnë se mungojnë incentivat vendase që të lidhin bujqësinë me sektorin e turizmit. Në mungesë të mbështetjes financiare mjafton edhe sensibilizimi ndaj hoteleve dhe restoranteve që të furnizohen me prodhime vendi.
Lexoni edhe:
Nga kriza në faliment, eksportuesit hedhin sytë nga ndërtimi e turizmi, ç/do të ndodhë me punonjësit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.