Kylian Mbappe dhe Neymar, të cilët luajnë te klubi i PSG, janë ende dy lojtarët më të kushtueshëm në botë – respektivisht 225 milionë euro dhe 196 milionë euro.
Por, në merkaton e verës së këtij viti u shfaqën emra të rinj, me sulmuesin e ri të Arsenalit, Nicolas Pépé, i cili kryeson klasifikimin e lojtarëve, vlera e të cilëve është rritur më shumë në treg.
Këto të dhëna publikohen nga KPMG Football Benchmark Player Valuation Tool, instrument për vlerësimin e lojtarëve, që përdor algoritmin e tij për të llogaritur vlerën e lojtarëve në treg (më shumë se 4800 futbollistë në 12 liga të ndryshme). Vlera e sulmuesit nga Bregu i Fildishtë, Pépé, i cili u transferua nga Lille tek Arsenal për 72 milionë sterlina, është rritur në klasifikim, me 25 milionë euro, në 75 milionë euro, pavarësisht një fillimi jo të mirë në klubin e tij të ri.
I dyti në klasifikim është Tammy Abraham i cili luan te Chelsea. Vlera e tij është rritur me 20 milionë në 40 milionë euro. Pas transferimit te Chelsea dhe nën drejtimin e trajnerit Frank Lampard, i cili u ofron futbollistëve të rinj shumë mundësi në lojë, klubi me siguri do të shohë rritjen e sulmuesit anglez në fushë.
Sipas raportit të Football Benchmark, për 6 futbollistët e parë, vlera është rritur thuajse me 20 milionë euro secili. “Top 10 përfshin katër lojtarë nën moshën 21 vjeç, ndërsa pjesa tjetër janë mbi 24 vjeç. Portieri spanjoll, De Gea, është më i madhi në moshë ndër ta, 28 vjeç dhe i vetmi në top 10 i cili nuk ndryshoi klub këtë verë. Kontrata e tij me Manchester United do të zgjasë deri në vitin 2023. Më i riu është sulmuesi italian Kean (19 vjeç), i cili renditet i shtati në klasifikimin tonë” – thonë autorët e studimit.
“Në lidhje me dhjetë lojtarët me rritjen më të lartë të vlerës së tyre në treg, Premier League angleze përfaqësohet me numrin më të madh të futbollistëve (7), ndjekur nga La Liga spanjolle (2) dhe Seria A italiane (1)”.
Antoine Griezmann, i cili luan te Barcelona, është i vetmi futbollist që shfaqet si në klasifikimin e lojtarëve, vlera e të cilëve është rritur më shumë (+17 milionë euro) si dhe në klasifikimin e 10 futbollistëve me vlerë absolute (131 milionë euro). Së bashku me Eden Hazard, në vend të katërt, 163 milionë euro, është i vetmi futbollist në klasifikim, i transferuar gjatë merkatos së kësaj vere.
Raporti i plotë: https://www.footballbenchmark.com/library/updated_market_valuations_by_kpmg_football_benchmark_in_the_wake_of_the_summer_transfer_window
Burimi: Inside World Football & KPMG