Në vitin 2022 do të nisë zbatimin projekti për dixhitalizimin e arkivës të pasurive të paluajtshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame njoftoi nisjen e projektin, që do të zbatohet në dy faza për periudhën 2022-2023. Lame tha se aktualisht nga 4 milionë pasuri të paluajtshme vetëm 2,8 milionë pasuri kanë referencë pasurore dhe vetëm 700,000 prona rezultojnë të regjistruara me dosje të plotë.
“Çdo pasuri në kadastër ka tre elementë, si: kartelën, referencën dhe hartografinë. Nga 4 milionë pasuri në kadastër vetëm 2,8 milionë prej tyre kanë referenca. Kjo është absurde, pasi nga 1996-2010 regjistrimet fillestare kanë pasur mangësi, sidomos në fshatra nuk është hapur referenca për pasurinë. Për pasuritë shtetërore, që është problem i trashëguar, nuk regjistroheshin, ose nuk hapej kartelë. Nga 2,8 milionë referenca vetëm 700,000 pasuri kanë dosjen e plotë të regjistruara pas vitit 2014, ndërsa për pasuritë e tjera është bërë vetëm skanimi i dosjeve.
Projekti që po nisin përfshin skanimin e të gjithë referencave të pasurive të paluajtshme, pra e gjithë dosja historike me dokumentet origjinale. Faza II është skanimi dhe dixhitalizmi i kartelave të pasurisë që aktualisht janë manuale. Kjo do të sjellë që sa herë që bëhet aplikimi shërbimi ofrohet automatikisht. Projekti do të zgjasë 2 vjet. Fillimisht do të zbatohet për Tiranën dhe zonat bregdetare në vitin 2022. Faza II do të përfshijë 1693 zona kadastrale dhe do të zbatohet gjatë 2023. Dixhitalizimi i arkivës konsiderohet një operacion kolosal nuk do të prekë shërbimin ndaj qytetarëve, do të vijojë”.
Kreu i ASHK tha se aktualisht ky institucion kryen 1,2 milionë operacione në vit ndaj qytetarëve, dhe dixhitalizimi i pronave pritet të rrisë shërbimin ndaj qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.