Shpenzimet e konsumatorëve për aplikacione në celular arritën në 170 miliardë dollarë në vitin 2021, sipas raportit “State of Mobile 2022” të publikuar nga App Annie, i cili ofron një vështrim të gjerë të ekonomisë së aplikacioneve në iOS, Google Play dhe App Store Android të palëve të treta në Kinë
Njerëzit kalojnë mesatarisht 4.8 orë në ditë në telefonat e tyre celularë, sipas shoqërisë së monitorimit të aplikacioneve App Annie. Raporti i App Annie zbuloi se aplikacionet janë shkarkuar 230 miliardë herë në vitin 2021 dhe ndërkohë janë shpenzuar 170 miliardë dollarë.
TikTok është aplikacioni më i shkarkuar në të gjithë botën, ku përdoruesit kanë kaluar 90% më shumë kohë krahasuar me vitin 2020. Sot, rritja e shkarkimeve të aplikacioneve udhëhiqet, në pjesën më të madhe, nga tregjet në zhvillim, si India, Pakistani, Peruja, Filipinet, Vietnami, Indonezia dhe Egjipti.
“Ekrani i madh po vdes ngadalë, ndërkohë që celularët vijojnë të thyejnë rekorde në çdo kategori – kohën e kaluar, shkarkimet dhe të ardhurat” – tha Theodore Krantz, CEO i App Annie. Shoqëria e monitorimit parashikon që, brenda gjysmës së dytë të këtij viti, numri i përdoruesve aktivë në muaj në TikTok do të kapërcejë shifrën 1.5 miliardë.
Koha mesatare e kaluar në aplikacionet në celular ishte 4 orë e 48 minuta në dhjetë tregjet kryesore, në rritje me 30% krahasuar me 2019-n, shkruhet në raportin “State of Mobile” të App Annie.
Kjo përfshin kohën mesatare në Brazil, Indonezi, Korenë e Jugut, Meksikë, Indi, Japoni, Turqi, Singapor, Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusi, Mbretërinë e Bashkuar, Australi, Argjentinë, Francë, Gjermani dhe Kinë së bashku. Përdoruesit në Brazil, Indonezi dhe në Korenë e Jugut kanë kaluar mbi pesë orë në ditë. Nga kjo kohë, shtatë në dhjetë minuta është shpenzuar në aplikacionet sociale, foto e video, ku TikTok kryeson – shkruan raporti.
Shpenzimet për reklama, në rritje të fortë
Ekosistemi mobile në përgjithësi mbetet i shëndetshëm – me dy milionë aplikacione të reja dhe lojëra të lançuara në vitin 2021. Në pjesën më të lartë të shpenzimeve të konsumatorëve ishin 233 aplikacione dhe lojëra që fituan më shumë se 100 milionë dollarë në vitin 2021 dhe 13 lojëra që gjeneruan më shumë se 1 miliard dollarë.
Kjo shifër është në rritje me 20% krahasuar me 2020-n, kur ishin vetëm 193 aplikacione dhe lojëra që kapërcyen pragun 100 milionë dollarë dhe vetëm 8 lojëra që fitonin më shumë se 1 miliard dollarë në vit.
YouTube është aplikacioni për video streaming më i famshëm në botë, me më shumë se 1 milion shkarkime në 60 vende. Netflix renditet i dyti në shumë rajone.
Disa përdorues janë ankuar për numrin e reklamave në lojëra të tilla, por ecuria e reklamave në aplikacione po ecën shumë mirë, ku shpenzimet globale arritën në 295 miliardë dollarë në vitin 2021, në rritje me 23% krahasuar me vitin e mëparshëm. Në vitin 2022, tregu parashikohet të rritet deri në 350 miliardë dollarë.
Gjetjet kryesore të raportit
Disa nga tendencat e identifikuara në kërkim pasqyrojnë ndryshime më të gjera, veçanërisht në mënyrën se si pandemia ndikoi në mënyrën se si njerëzit jetojnë.
Raporti i App Annie bëri edhe një studim të thelluar në kategoritë e aplikacioneve, duke përfshirë lojërat, financën, blerjet me pakicë, video streaming, ushqime dhe pije, shëndet dhe fitnes, rrjete sociale, udhëtime, takime etj. Më poshtë janë disa nga gjetjet kryesore:
Aplikacionet për financat – Shkarkimet e aplikacioneve për financat kapërcyen shifrën 1 miliard në Indi në vitin 2021, duke nxitur rritjen me 28% me bazë vjetore të shkarkimeve në 5.9 miliardë në gjithë botën.
Aplikacionet për blerje – Njerëzit shpenzuan shumë kohë në aplikacionet për blerje – më shumë se 100 miliardë orë në nivel global në vitin 2021, me rritje 18% krahasuar me vitin e kaluar. Vendet që regjistruan rritjen më të shpejtë përfshijnë Indonezinë (52%), Singaporin (46%) dhe Brazilin (45%).
Aplikacionet për ushqim dhe pije – Sipas raportit është shënuar një rritje e madhe edhe në aplikacionet për ushqim dhe pije, si UberEats dhe Grubhub. Rajone të ndryshme nxitën rritjen në tremujorin e katërt 2021, duke përfshirë SHBA (42% me bazë vjetore), Rusinë (154% me bazë vjetore), Turqinë (75% me bazë vjetore) dhe Indonezinë (rritja është më shumë se 9 herë).
Aplikacionet për shëndet dhe fitnes – Edhe aplikacionet për shëndet dhe fitnes shënuan rritje, pasi për shkak të pandemisë njerëzit nuk mund të shkonin në palestër apo të bënin ushtrime në grup. Shkarkimet në botë të aplikacioneve për shëndetin dhe fitnesin kapërcyen nivelet e shënuara para-pandemisë në vitin 2021. Sipas raportit shihet një vëmendje më e madhe për mirëqenien mendore, ku aplikacionet për meditim si Headspace e Calm u bënë mjaft popullore – veçanërisht në mesin e të rinjve. Pesë aplikacionet e para më të shkarkuara për meditimin regjistruan rritje me 27% në vitin 2021.
Aplikacionet për udhëtime – Shkarkimet e aplikacioneve për udhëtime u rikuperuan me 20% në gjysmën e dytë të vitit, të nxitura nga një rritje e mprehtë në korrik-dhjetor 2021. Shkarkimet në 6-mujorin e dytë arritën në 1.95 miliardë dollarë në nivel global, duke iu afruar niveleve të para-pandemisë prej 2.08 miliardësh në 6-mujorin e dytë 2019.
Aplikacionet për takime – Shpenzimet për aplikacionet e takimeve kapërcyen shifrën 4 miliardë dollarë, me rritje 95% nga viti 2018. Rritja u nxit kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kina dhe Mbretëria e Bashkuar. Tinder kryeson tregun, me 1.35 miliardë dollarë të shpenzuara nga përdoruesit në të gjithë botën në vitin 2021.
Video streaming – Orët e kaluara në aplikacionet për video streaming u rritën me 16% në botë që nga nivelet para-pandemisë. Por në Kinë u regjistrua një rënie, pasi përdoruesit janë zhvendosur drejt aplikacioneve me video të shkurtra si TikTok dhe Kwai. Netflix është në rrugë të mbarë për të arritur 1 milion shkarkime më shumë në 60 vende në vitin 2022.
/ Tech Crunch