Përfitueshmëria e sistemit bankar u përmirësua në vitin 2017. Sipas deklarimeve në bilanc, fitimi për 16 banka arriti në 13.2 miliardë lekë, në trefishim në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ndikimin kryesor në përmirësimin e treguesve të sistemit e dha Banka Raiffeisen që kaloi nga humbje në fitime të larta, ulja e humbjeve të Alpha Bank dhe kalimi nga humbje në fitime minimale i Tirana Bank. Veneto Banka, që tashmë është përthithur nga Intesa Sanpaolo kishte humbjet më të mëdha në sistem, prej 1.4 miliardë lekësh, ndonëse me rënie në raport me 3.7 miliardë lekë që raportoi në 2016-n.
Ndërsa Credins, Union Bank dhe Banka Amerikane e Shqipërisë kanë raportuar rritje të fortë të fitimeve.
Normat e fitimit në sistem luhaten nga 3% në mbi 40%.
Për bankat, fitimet shënojnë luhatje të mëdha nga njëri vit në tjetrin, të ndikuara nga shpenzimet për provigjonime që lihen mënjanë për kreditë e këqija.
BKT, Raiffeisen dhe Intesa SanPaolo kanë deklaruar fitimet më të larta, përkatësisht 8.4, 4.5 dhe 1.9 miliardë lekë. BKT raportoi dhe normën më të lartë të përfitueshmërisë, me gati 44%.
Në shumicën e rasteve, profitabiliteti është ndikuar nga provigjonimet si në rastet pozitive (profitabilitet i lartë për rimarrje të provigjoneve) apo ato negative (profitabilitet i ulët apo edhe humbje, për arsye të provigjoneve të larta për kreditë me probleme-NPL).
Pas Intesa, në listë është Credins, Banka Amerikane e Shqipërisë, Societe Generale dhe Union Bank.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.