Një zhytje në biznesin e notit

11/06/2019 12:59 PM 0 komente

Shkollat e notit janë një sipërmarrje gjithnjë e më popullor për ata që kërkojnë të fillojnë një biznes lokal. Të ngritura mbi idenë e mësimit të sigurisë dhe notit të përgjegjshëm për fëmijët, shkollat e notit ofrojnë siguri për prindërit, një mënyrë për të kaluar kohën e lirë për fëmijët, si dhe janë një terapi për njerëzit me probleme shëndetësore. Çmimet e shkollave të notit po ulen, kurse aktorët në treg po rriten, por ky biznes ka kosto të larta…

 

Nga Deada Hyka

Në të katra anët e pishinës, 7 instruktorë po udhëzojnë, si polici në mes të një trafiku, se si të lëvizin fëmijët që po notojnë. Jo pak, por 12 fëmijë po lëvizin në ujin e një pishine me katër ndarje. Të tjerë po presin orën e tyre të fillimit të notit, ca të ulur në stolat, gati me kapuçat dhe syzet e tyre të notit dhe të tjerë, duke u veshur në dhomat përkatëse. Zëra, bilbila dhe zhurma e ujit krijojnë panoramën e një dite normale në një shkollë noti në kryeqytet.

E konsideruar një mënyrë e mirë për të mbajtur trupin në formë, frekuentimi i pishinave të mbyllura prej shumë vitesh, shtrihet thuajse gjithë vitin. Risia e pesë viteve të fundit është pikërisht investimi në sporte për fëmijët, të formësuara si shkolla noti. Por nuk përjashtohen as moshat e mëdha, të cilat e përdorin si terapi shëndetësore.

Një shkollë noti është një biznes i mirë për çdo komunitet, sepse shumica e fëmijëve dëshirojnë të mësojnë si të notojnë. Nga ana tjetër, edhe prindërit janë ndërgjegjësuar më shumë rreth nevojës që fëmijët të marrin leksione noti, të cilat do t’u vlejnë kur të rriten. Specialistët thonë se shkollat e notit zhvillohen më tepër në vende bregdetare, ku edhe popullsia priret që të jetë më e edukuar rreth nevojë për të mësuar notin.
Në përgjithësi, klientët më të mirë janë fëmijët deri në adoleshencë. Këto grupe kanë dëshirën të mësojnë notin dhe shtyhen kryesisht nga prindërit. Ndërsa grupi më i rritur i frekuentuesve, sipas aktorëve të tregut, janë kryesisht ata me probleme shëndetësore që u nevojitet noti si terapi, ashtu sikurse edhe të huajt, që e cilësojnë si një sport të mirë për të kalitur trupin dhe për të kaluar kohën.

 

Shkollat shqiptare, pa pishina

Në 10 vitet e fundit, shkollat e notit janë bërë një industri e përhapur dhe shumë fitimprurëse kudo në botë, ndërsa në Shqipëri flasim ende për një treg të vogël, në fillimet e tij. Nëse kudo në botë shkollat, edhe ato publike, kanë pishina të përfshira dhe mësime noti, sikurse mësimi i lëndëve si matematika dhe letërsia, në Shqipëri ky realitet është ende larg.

Në mungesë të infrastrukturës, prindërit u drejtohen bizneseve private. Sipas tre shkollave të notit në kryeqytet, Nobis, Stela dhe National Sport Park, vetëm vitet e fundit prindërit janë ndërgjegjësuar për nevojën e mësimit të notit te fëmijët e tyre, duke nisur t’i çojnë që në moshën 3-4 -vjeçare. Më parë, ky nuk ishte zakon dhe kërkesat ishin të pakta. Me shtimin e kërkesave, aktorët e tregut pohojnë se kanë shtuar kapacitetet akomoduese, si dhe riinvestimet, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në burime njerëzore, duke punuar dhe duke trajnuar njerëz profesionistë në këtë fushë.

Për një fakt bien të gjithë dakord, fëmijët kanë nevojë më të madhe për mësime noti dhe janë ata ‘klientët’ potencialë. Noti, sipas tyre, u siguron fëmijëve një aftësi jetësore mjaft të nevojshme. Shkollat e notit duhet të kujdesen më shumë sigurinë. Meqenëse është një industri e parregulluar ende në Shqipëri dhe në hapat e parë, zbatimi i rekomandimeve të ekspertëve është i kushtueshëm, si dhe trajnimi i burimeve njerëzore.

 

Një treg nën potencial

Edhe pse noti nuk është një nga sportet më të ndjekura në vend, interesi për të duket në rritje. Shkollat e para të notit në Shqipëri datojnë jo më larg se 7 vite më parë. Aktorët e tregut pohojnë se interesi i shqiptarëve ka qenë i ulët, duke qenë se janë prirur që ta praktikojnë këtë sport vetëm gjatë pushimeve të verës, në det apo pishina të hapura. Sipas tyre, faktorët socio-ekonomikë dhe risia në treg, i bind ata se tregu ka hapësirë që të dyfishojë numrin e shkollave të notit që aktualisht janë ndërtuar.

“Është një treg i nënvleftësuar dhe me shumë mundësi për t’u zgjeruar. Prej 7 vitesh jemi përpjekur që të ndërgjegjësojnë prindërit, kryesisht mbi dobitë, si dhe me shtimin e kërkesave, kemi bërë riinvestime të vazhdueshme për të ofruar cilësi dhe siguri”, -thotë Alban Hamzaj, menaxher i qendrës Nobis.

Por si funksionon? “Ne ofrojmë kurse noti, sipas niveleve të caktuara, duke filluar: A-B-C-D-E-F-G-H. Përpara se të fillojmë kursin, bëhet një provë për të përcaktuar nivelin e caktuar dhe kjo është falas. Kalimi nga një nivel në tjetrin shoqërohet me një certifikatë për përfundimin me sukses të nivelit të caktuar. E rëndësishme në punën tonë është mësimi dhe argëtimi i fëmijëve, që ta duan ujin”, – thotë Albani.
Për të rriturit, momentalisht, thotë Albani, abonimi është 40 euro dhe përfshin të tria zonat: not, spa, fitness. Ndërsa vetëm noti për fëmijë është 7 euro/seanca. Një nivel noti kërkon 6 javë nga 2 herë në javë, që arrin si kosto rreth 110 euro. Kjo është për mësime noti në grup, ndërsa për mësime noti me instruktor personal, një seancë kushton 2500 lekë.

“Sigurisht që ka paketa më të personalizuara. Varet se çfarë kërkon personi. Në rastin konkret, mund të ketë një shqetësim shëndetësor, kërkon të arrijë një rezultat të caktuar etj. Në këtë rast, kushton 10 euro seanca/shërbimi”, -shton ai.

Nga qendra tjetër e notit në kryeqytet, Stela Resort, pohojnë se kërkesat më të shumta vijnë për fëmijët mbi 5 vjeç. Fëmijët e kësaj moshe kuptojnë më tepër dhe prindërit priren që t’i fusin në kurse noti, që të jenë më të qetë vetë gjatë pushimeve verore. Nga Akademia e Notit pranë Stelës thonë se, që nga hapja e saj më 11 dhjetor 2011, në 80-vjetorin e Kampionatit I të Notit Shqiptar, qëllimi ka qenë promovimi i kulturës sportive dhe avantazhet e notit. Kërkesat janë rritur, sidomos dy vitet e fundit. Një abonim një mujor në këtë akademi noti për fëmijët mbi 4 vjeç, nis nga 5200 lekë, për t’i dhënë mundësi të gjithë fëmijëve që të marrin mësime noti.

Nga National Park Sport pohojnë se, ekzistenca e mirëfilltë e akademisë së notit është bërë shumë më e njohur dhe e praktikuar vitet e fundit. “Gjatë periudhës së pranverës ose fillimit të verës ne kemi rreth 500-550 fëmijë që vijnë të mësojnë not. Qëllimi nuk është vetëm për të mësuar not, por për ta kthyer notin në një sport me të cilin mund të merren në të ardhmen. Pse janë fëmijët frekuentuesit më të rregullt të notit? Fëmijët tanë nuk kanë asnjë ambient poshtë pallatit për të luajtur apo për t’u marrë me aktivitete të ndryshme fizike. Kjo ka ndikuar në shfaqjen e obezitetit dhe problemeve të shumta shëndetësore te fëmijët. Të gjitha këto i nxisin prindërit që t’i regjistrojnë në një sport me kaq përfitime sa noti”, – thonë nga National Park Sport.

 

Kosto

Inxhinieri Lulzim Berati, sipërmarrës i “Tirana Pools”, pohon se investimet në pishina po shohin rritje çdo vit dhe akademitë e notit, sipas tij, janë ata që investojnë më shumë. Ing. Berati thotë se mirëmbajtja është e kushtueshme, por e domosdoshme. Si proces përfshin hallka dhe aparatura të ndryshme.

Ato janë zhvilluar me përparimin e teknologjisë dhe implementohen kudo në botë. Ka dy forma mirëmbajtje: manuale, kostoja e së cilës varet nga volumi i ujit të pishinës dhe ajo automatike dixhitale, me një investim fillestar prej 3500 eurosh ose më shumë. Shkollat e notit kërkojnë gjithnjë këtë të fundit, duke qenë se aktiviteti i tyre nuk ndal gjithë vitin. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një biznes sezonal, përkundrazi. Megjithatë, fluksin më të madh e kanë në dimër.

“Në formën manuale, mirëmbajtësi hedh 1 kg klor/100m³ ujë, që kushton 500 lekë dhe aplikohet në fund të ditës. Hidhet ph(-) për të ulur fortësinë që jep klori, edhe për këtë normativja është 1 kg klor/100m³ ujë, kushton 200-400 lekë. Hidhet një lëng kundër algave që i jep ngjyrë blu pishinës, 1l/100 m³ ujë një herë në javë, kushton 400 lekë. I hidhet edhe kristalizuesi, 1l/100 m³ ujë një herë në javë, kushton 400 lekë. Në bazë të volumit të pishinës që ka një biznes, del kostoja. Lloji i mirëmbajtjes tjetër është vendosja e një impianti dozues dixhital, që i kryen të gjitha këto funksione automatikisht, që kushton rreth 3500 euro. Pishinat kryesore e kanë të përfshirë këtë të fundit”, – tregon z. Berati.

Ai shton se ka ikur koha e përdorimit të klorit që dëmton lëkurën dhe shkakton irritime në sy. “Për klientët që vendosin të ndërtojnë pishinë në pragun e verës, tani përdoret teknologjia e fundit franceze, pishina që ndërtohen për 3 ditë me 10 vjet garanci nga firma franceze Magiline. Kompania jonë ofron kimikate për pishinat si klor, ph minus, algacid, flokulant, nga më cilësorët te më të lirët në treg. Pishina Bio pa klor, falë përdorimit të dezinfektimit të ujit me UV sistem, ku digjen të gjithë mikrobet nga llamba ultraviolet që vendoset në sistemin e qarkullimit të ujit të pishinës. Kjo llambë mund të vendoset si në pishinat e reja, por edhe në pishinat ekzistuese”, – pohon z. Berati. Pishinat luksoze, që bëhet fjalë edhe për shkollat e notit, e kanë në përbërje jakuzz-i. Çmimi i tyre shkon më shumë 25 mijë euro dhe kostot e mirëmbajtjes janë edhe më të larta.

Kostoja e hapjes së shkollës së notit sipas aktorëve të tregut është e lartë. Një nga shpenzimet më të mëdha është pishina vetë, pohojnë pranë National Sport Park. Specialistët e fushës pohojnë se zgjidhja më e lehtë është rimarrja e kësaj kostoje në tarifat e anëtarësimit nga klientët, por që kjo kërkon kohë.

Nga ana tjetër, si kosto fillestare shtohet edhe licenca që nevojitet për hapjen e një akademie të mirëfilltë noti, ndonëse në Shqipëri tregu nuk është ende i strukturuar. Nevojiten trajnerë të kualifikuar dhe që trajnimet e tyre kushtojnë gjithashtu. Shkollat e notit pranë Stela Resort dhe Nobis pohojnë se trajnimet e stafit kanë arritur deri në 500 mijë euro për 5 vitet e para.
Kostoja e ndërtimit të një shkolle noti nuk kufizohet vetëm në ambientin e pishinës, por edhe në përfshirjen e ambienteve para dhe pas pishinës, që janë dhoma veshje, dushe, banjo, ambienti i tharjes, i çlodhjes etj.

 

 

Përfitimet

Nëpërmjet noti ju lëvizni çdo pjesë të trupit dhe të mos krijoni presion në sistemin skeletor! Gjatë notit nuk krijoni presion në nyje siç ndodh me sporte të tjera. Kur trupi është i zhytur në ujë deri në bel, ju bartni vetëm 50% të peshës suaj, kur trupi është i zhytur deri në gjoks ju bartni vetëm 25-35% të peshës, ndërsa kur është i zhytur deri në kokë, ju bartni vetëm 10% të peshës suaj.

 

Qeveria britanike financon mësimet e notit për fëmijët

Qeveria Britanike lajmëroi vitin e shkuar se do të zhvillojë më shumë mësime noti me udhëzime të përmirësuara për fëmijët e ciklit të parë shkollor. Shkollat fillore në Angli do të marrin mbështetje shtesë për të siguruar që të gjithë fëmijët të mund të notojnë me besim dhe të dinë se si të qëndrojnë të sigurt në ujë.

Në bashkëpunim me një shkollë private noti, Departamenti për Arsim dhe Departamenti për Mediat Digitale, Kulturore dhe Sport alokuan për herë të parë vitin e shkuar financime shtesë për shkollat, në mënyrë që çdo fëmijë të dijë të notojë dhe të jetë i sigurt në dhe përreth ujit, deri në fund të shkollës fillore, të mbështetur nga PE dhe Sport Premium.
Ministri i Fëmijëve dhe Familjes, Nadhim Zahawi, dhe ministrja e Sportit, Tracey Crouch, mbështetën edhe një Paketë Premium duke u bërë thirrje mësuesve dhe prindërve të bëjnë gjithçka që munden që fëmijët të mësojnë notin.

Tregu botëror

Në pesë vitet e fundit, operatorët e industrisë së pajisjeve të pishinave kanë luftuar me rritjen e konkurrencës së jashtme, pavarësisht kërkesës në rritje për prodhimet e industrisë. Ndërsa operatorët e industrisë përpiqen të tërheqin klientët, duke u ofruar shërbime të ndryshme konsumatorëve dhe promovime. Megjithëse rritja e aktivitetit të ndërtimit të pishinave ka rritur kërkesën për operatorët e industrisë, kërkesa për furnizimet dhe pajisjet e pishinave ka pasur një ngërç vitet e fundit, duke ndikuar negativisht në industri. Gjatë pesë viteve deri në 2023, industria e pajisjeve të pishinës pritet të vazhdojë të përjetojë kushte të vështira të tregut.
Kompanitë në këtë industri kryesisht shesin pishina noti dhe jakuzzi. Këto kompani shesin pajisjet e pishinës, duke përfshirë kimikatet e pishinave, pajisjet e pastrimit dhe mirëmbajtjes dhe sendet rekreative të destinuara për përdorim të pishinave.

Industria e pishinave përbëhet nga operatorë të pishinave publike dhe private; megjithatë, përjashton pishinat që lidhen me palestër ose qendrat e fitnesit. Në 5 vitet e fundit, deri në vitin 2018, industria e pishinave ka përfituar nga përmirësimet e gjera ekonomike në SHBA, kryesisht duke rritur nivelin e të ardhurave të disponueshme dhe duke rritur pjesëmarrjen në sport. Si rezultat i këtyre tendencave, të ardhurat e industrisë pritet të rriten me një normë vjetore prej 2.3% për të arritur 1.1 miliardë dollarë në 2018, duke përfshirë një rritje prej 1.5% vetëm në vitin 2018.
Në Francë, pishinat janë bërë një fenomen social: 15% e familjeve franceze tani janë të pajisura me një të tillë. Qarkullimi i sektorit është rritur me më shumë se 30% në tre vitet e fundit deri në 2017, kur tejkalon 2 miliardë euro. Në këtë kontekst shumë të favorshëm për industrinë, ishte ekspozita e organizuar në 2018 Piscine Global Europe, e cila u zhvillua nga data 13 deri më 16 nëntor. Për këtë edicion, ngjarja kryesore e industrisë vendosi fokusin e saj drejt stilit të jetesës, dizajnit dhe inovacionit të pishinave.

Burimi: FPP Decryptis 2018

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of