Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar dy ministrive asaj të Drejtësisë dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë që të kenë parasysh disa masa kur bëjnë rregullimin e profesioneve të tilla si avokatët, noterët dhe vlerësuesit e pasurive të paluajtshme. Duke e argumentuar këtë në funksion të transparencës, aksesit të barabartë të publikut dhe aktorëve të tregut si dhe një kuadri ligjor më të plotësuar Autoriteti ka bërë specifikisht për secilin profesion rekomandime.
Lidhur me avokatët AK ka kërkuar që Ministria e Drejtësisë të bëjë plotësimin e kuadrit nënligjor përkatës në fushën e avokatisë bazuar në dispozitat e ligjit 55/ 2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Të bëjë dërgimin për mendim dhe vlerësim të draft-akteve nënligjore të hartuara nga organet përkatëse pranë Autoritetit të Konkurrencës, të shoqëruara me relacionet përkatëse dhe në rastet e hartimit të akteve nënligjore që përcaktojnë tarifa, ky draft akt të jetë i shoqëruar edhe me metodologji të përllogaritjes së tarifave, me qëllim vlerësimin e tyre konform ligjit 9121/2003.
Po kështu ka rekomanduar respektimin e dispozitave ligjore duke ofruar transparencë lidhur me shërbimet dhe çmimet që ofron profesioni i avokatit. Mundësi aksesimi nga të gjithë konsumatorët i informacionit të nevojshëm si dhe kryerja e amendimeve të nevojshme në Statutin e Dhomës së Avokatisë dhe Kodin e Etikës.
Për noterët Ministrisë së Drejtësisë i është rekomanduar që së pari të bëjë plotësimin e kuadrit nënligjor përkatës në fushën e noterisë bazuar në dispozitat e ligjit të 110/ 2018 “Për Noterinë”. Dërgimin për mendim dhe vlerësim të draft-akteve nënligjore të hartuara nga organet përkatëse pranë Autoritetit të Konkurrencës, të shoqëruara me relacionet përkatëse dhe në rastet e hartimit të akteve nënligjore që përcaktojnë tarifa, ky draft akt të jetë i shoqëruar edhe me metodologji të përllogaritjes së tarifave, me qëllim vlerësimin e tyre konform ligjit 9121/2003.
Po kështu Dhoma Kombëtare e Noterëve duhet të ofrojë asistencën e duhur noterëve lidhur me trajnime të vazhdueshme dhe kualifikime.
Konkurrenca nënvizon se kur të draftohet urdhri i ri “Për kushtet minimale që duhet të plotësojë një zyrë noteriale për të mundësuar ushtrimin normal të veprimtarisë së noterit”, të merret në konsideratë mundësia lidhur me unifikimin e përmasave të tabelave, llojit të shkrimit, vetë ngjyrës së tabelës duke ofruar të njëjtin perceptim për konsumatorët dhe pa manipuluar zgjedhjen konsumatore. Në fund kërkohet përfshirja e AK për evidentimin e problematikave të ndryshme që mund të ekzistojnë dhe prekin fushën e konkurrencës. Organizimi dhe pjesëmarrja në seminare/konferenca lidhur me konkurrencën në tregun e ofrimit të shërbimeve të profesioneve të lira.
Lidhur me vlerësuesit e pasurive të paluajtshme nën Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë Konkurrenca nënvizon së pari duhet të bëhet rishikimi i kuadrit ligjor ekzistues duke parashikuar dispozita ligjore për organizimin dhe funksionimin e SVP.
Së dyti në rast rishikimi të Udhëzimit Nr. 4, datë 12.12.2012 “Për caktimin e masës së shpenzimeve të ekspertëve në gjykatë”, të merret mendimi i Autoritetit të Konkurrencës para miratimit të ndryshimeve. Përcaktimi i pagesave dhe tarifave të ekspertëve ne çdo rast duhet të jenë të orientuara drejt kostove të ofrimit të shërbimit, të shoqëruara me metodologji të përllogaritjes së tyre dhe relacione shpjeguese.
Së treti dërgimi për mendim pranë AK të çdo projekt akti i cili synon të përcaktojë tarifa, të vendosë barriera për hyrjen në treg, të shoqëruara me relacionet dhe dokumentet shoqëruese përkatëse.
Së katërti kurset dhe provimet e kursit të formimit të vazhduar të jenë cilësore për të prodhuar diploma/certifikata cilësore me standard.
Së pesti të hartohen standarde shqiptare të vlerësimit si edhe të ngrihet një organizëm i pavarur me anëtar profesionistë të licencuar për kontrollin dhe monitorimin e standardeve dhe Etikës së ekspertëve.
Së gjashti në rast rishikimi të VKM Nr. 712 datë 12.10.2016 “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e licencimit të subjekteve për ushtrimin e aktivitetit në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme”, të shikohet mundësia e heqjes së kufizimeve që pengojnë hyrjen në treg, lehtësimin e kushteve dhe kritereve për te marre licencën e VPP duke lehtësuar hyrjen ne treg te profesionisteve te rinj.
Së shtati të forcohet roli i shoqatës së vlerësuesve, si kusht për rritjen e cilësisë së shërbimeve të vlerësimit, vendosjen e kontakteve me organizata e shoqata të së njëjtës natyrë dhe shkëmbimi i përvojës me ta; hartimi dhe zbatimi i politikave që synojnë ngritjen profesionale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.