Mariel Hysa është një nga shumë të rinj që janë diplomuar për Drejtësi, por që në pamundësi për të gjetur punë, i është drejtuar zyrave të punës.
“Kisha rreth një muaj e gjysmë që kërkoja punë. Zyra e punës, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Punësimit, mundësoi punësimin tim në këtë agjenci. Ne si agjenci merremi me ndërmjetësimin e punësimit, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit”, u shprehet Mariel Hysa.
Një nga shtatë programet e strategjisë së punësimit është fondi për nxitjen e punësimit të të rinjve, përmes të cilit është punësuar jo vetëm Marieli, por edhe Rigerta, 20-vjeçarja me arsim të mesëm.
“Aplikova në zyrën e punës dhe pas një muaji gjeta punë. Punoj 8 orë në ditë dhe jam e kënaqur me pagën që marr”, thotë Rigerta Marku.
Por, Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020, nuk ka për qëllim vetëm punësimin e të rinjve, por edhe të disa kategorive, që kanë veçanërisht nevojë për ndihmë. Po cila është ndihma që ofron strategjia për më nevojtarët?
“Një nga prioritetet tona është mbështetja e grave, futja e tyre në tregun e punës. Për gratë që janë me fëmijë në ngarkim, mbështetja është, 120 % e pagës minimale”, u shpreh Genta Prodani, Drejtore e Punësimit në MMRS.
Sipas Ministrisë së Mirëqënies Sociale, plani kombëtar i punësimit ka rezultuar i suksesshëm në 2 vitet e para të zbatimit të tij dhe se kjo dëshmohet edhe me shifra.
“Kemi qenë shumë të fokusuar në punësimin e të rinjv, i cili aktualisht është rritur me 4.9%, në krahasim me dy vite më parë. Nga programet e nxitjes së punësimit, ne kemi 5000-5500 persona çdo vi, që punësohen. Rreth 60% e tyre janë të rinj dhe 70% e tyre janë femra, pra kemi ulje me 2%, të hendekut gjinor në punësim”m tha drejtoresha Prodani.
Strategjia kombëtare e punësimit mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit, nga donatorë, por edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka ofruar 30 mln euro për 7 programe që nxisin punësimin e kategorive të veçanta, mes të cilëve edhe personat me aftësi të kufizuara, ku vetëm vitin e kaluar janë punësuar 53 persona.
/ Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.