Telekom Austria Group dhe Telekom Slovenije Group kanë rënë dakord që të bashkojnë degët e tyre Vip Operator dhe One, ku të dy operojnë në Republikën e Maqedonisë. Telekom Austria Group do të mbajë 55 për qind të aksioneve dhe do të ketë kontrollin mbi entin e krijuar rishtazi, ndërsa Telekom Slovenije do të zotërojë 45 për qind të aksioneve.
Marrëveshja përfshin gjithashtu mundësinë për daljen eTelekom Slovenije nga sipërmarrja e përbashkët brenda tre vjetësh nga arritja e marrëveshjes së bashkimit. Transaksioni i është nënshtruar procesit të planifikimit dhe ekzaminimit të kujdesshëm të One, që pritet të përfundojë deri në mes të nëntorit, kur do të jepet edhe informacion i mëtejshëm. Akti rregullator dhe mbyllja e marrëveshjes pritet gjatë tremujorit të parë të vitit 2015.
One është operatori i tretë më i madh i shërbimeve celulare në Maqedoni me një pjesë tregu prej 23.6 për qind dhe një bazë konsumatore prej rreth 528,000 në fund të vitit 2013. Në vitin 2013, One arriti të ardhura dhe EBITDA (të ardhura përpara interesit, taksave ,zhvlerësimit dhe amortizimit) përkatësisht prej rreth 75.5 milion euro dhe 14.4 milion euro.
Telekom Austria ka ofruar shërbime celulare në Maqedoni nëpërmjet filialit të saj Vip Operator që nga viti 2007. Operatori ka një pjesë tregu prej 28.1 për qind dhe rreth 630,000 konsumatorë në fund të vitit 2013, duke qenë operatori i dytë më i madh në vend. Të ardhurat e tij arritën në 65 milionë euro dhe EBITDA në 14.7 milionë euro në vitin 2013. Që nga blerja e Blizoo Macedonia në korrik, Telekom Austria ofron gjithashtu shërbime të telefonisë fikse në tregun e Maqedonisë.