Orari i ri nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 13:00 të drekës për lejimin e qarkullimit do të qëndrojë në fuqi gjatë gjithë javës që vjen. Edhe administrata do të punojë në këtë fashë orari, ndërsa për ata që punojnë në zyrë, nuk do të marrin makina personale për të shkuar në punë.
Në një komunikim të fundit, kryeministri Edi Rama deklaroi se pas orës 13:00 nuk do të jenë më hapur as farmacitë, as supermarketet dhe as bankat. Për ata që shkelin rregullat parashikohen masa drastike, nga heqja e bursës te studentët e deri heqja e ndihmës financiare dhe heqja e ilaçeve të pensionistët.
“Polica e ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë dhe Durrës ku kemi zonën më të kuqe, si dhe çdo zonë urbane duke fotografuar dhe duke futur në listë të zezë tradhtarësh këta individë që do ta paguajnë shtrenjtë dhe çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta, se do t’u hiqet çdo ndihmë shtetërore dhe do t’u hiqet çdo ndihmesë nëse janë në shtëpi e duhej të ishin në punë, çdo ndihmë financiare për 1 vit nëse nuk kanë punë, çdo lloj ilaçi nëse janë edhe pensionistë, çdo lloj burse për studentët. Një pakicë fare e vogël të pabindurish, që janë të mjaftueshëm për të marrë në qafë gjithë popullin do të konsiderohen tradhtarë lufte. Dua t’ju informoj se të gjitha forcat e rendit, nga polici i lagjes, deri te forcat më speciale, janë të vendosura të përdorin forcën dhe të gjitha mjetet në rast shkelje ligji në tubime të paligjshme deri tej uji e gazi lotsjellës.”, tha Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.