Orient Express po zgjerohet nga toka në det, pasi zbuloi anijen më të madhe me vela në botë e cila do të fillojë të përdoret për lundrime luksoze në vitin 2026.
Orient Express Silenseas “do të përkujtojë epokën e lavdishme kur shkrimtarët, artistët, piktorët, princeshat dhe yjet e kinematografisë kalonin kohë midis Monte-Carlos, plazheve të Saint-Tropez, Cap d’Antibes, Kanës dhe Kroazetës së famshme, dhe zbulonin një përsosmëri qetësie dhe përjetim të gëzuehëm”, sipas një njoftimi të bërë nga vetë kompania.
Anija është 220 metra e gjatë dhe do të ketë 54 suita, dy pishina, dy restorante dhe një bar.
“Me Orient Express Silenseas, ne po fillojmë një kapitull të ri në historinë tonë, duke marrë përvojën dhe përsosmërinë e udhëtimeve luksoze me tren dhe duke i kaluar ato në detet më të bukura të botës,” tha në një deklaratë për shtyp Sebastien Bazin, kryetar dhe CEO i Accor, kompania që zotëron Orient Express.
“Ky jaht i jashtëzakonshëm lundrues, i cili bazohet te historia e Orient Express, do të ofrojë shërbime të pashembullta dhe hapësira të rafinuara dizajni, të cilat të kujtojnë epokën e artë të lundrimeve mitike.”
Përveç të gjitha gjërave më sipër, kjo anije do të ofrojë gjithashtu një Amfiteatër-Kabare, një studio private regjistrimi, trajtime spa, seanca meditimi dhe ndalesa në porte të ndryshme të Rivierës Franceze.
Dizajni i brendshëm i anijes është projektuar nga arkitekti francez Maxime d’Angeac, ndërsa studio arkitekturore Stirling Design International, me seli në Nantes, do të merret me arkitekturën e jashtme.
Çmimi nuk është caktuar ende, por me sa duket ky udhëtim do të jetë një përvojë që duhet provuar të paktën një herë në jetë.