Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka siguruar energjinë që duhet për konsum në muajin janar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Burime pranë OSHEE konfirmuan për “Monitor” se sasia që është dakordësuar ka eliminuar mundësinë e importeve masive që nisën në qershor të këtij viti dhe që kapën vlerën mbi 200 milionë euro.
Situata e vështirë hidrike duket se ka kaluar për KESH, i cili ka prodhuar duke pasur parasysh përdorim sa më eficent të sasisë së prurjeve nga reshjet e vazhdueshme të këtij muaji. Një pjesë të kësaj sasie KESH e ka shitur përmes procedurave të hapura herë pas herë sikurse është edhe një e fundit për këto ditë të mbylljes së dhjetorit.
Tenderi për importin
Për janarin OSHEE ka importuar një sasi minimale energjie, e cila do të shkojë për funksionin e saj të furnizuesit të mundësisë së fundit. Bëhet fjalë për të gjithë ato biznese të lidhura në tension 35 kilovolt dhe që në kuadër të liberalizmit do të dalin në tregun e parregulluar për ta siguruar të vetme energjinë. Në rastet kur këta të fundit nuk arrijnë të sigurojnë vetë energji OSHEE si furnizues i mundësisë së fundit do të ofrojë energjinë duke aplikuar një shtesë prej 10 për qind më shumë.
Nga procedura e tenderimit rezulton që OSHEE të ketë blerë një sasi prej 4712 MW energji në dy lote. Loti i parë përfshin një sasi 3,720.00 MWh e konvertuar në vlerë monetare 196,044 Euro, me një çmim mesatar prej 52.70 Euro/MWh, kurse loti iI dytë 992.00 MWh e konvertuar në vlerë monetare 63,488 Euro, me një çmim mesatar prej 64.00 Euro/MWh.
OSHEE do të aplikojë për të gjithë bizneset që nuk kanë siguruar furnizues të tyren, furnizimin me energji elektrike sipas çmimit mesatar të siguruar nga tenderi duke aplikuar mbi të edhe 10 për qind më shumë, një praktikë kjo për të inkurajuar këto biznese drejt liberalizmit.
Pak ditë më parë Operatori i Shpërndarjes së energjisë në një shkresë të posaçme ka njoftuar bizneset që furnizohen nga rrjeti 35 kilovolt se ka marrë të gjitha masat përgatitore për kalimin e këtyre konsumatorëve në tregun e parregulluar të energjisë. (Lexo: http://www.monitor.al/ne-janar-75-biznese-blejne-energjine-elektrike-10-shtrenjte-nese-nuk-ikin-nga-oshee-ja-shkresa/)
Politika e liberalizimit për konsumatorët e mëdhenj të energjisë është bëre për te demotivuar klientët e mëdhenj që furnizohen nga OSHEE. Kjo politike lehtëson OSHEE për të siguruar energji me detyrim për këto biznese me çmime më të ulët se tregu. Por, nga ana tjetër bizneset do të jenë në pambrojtur nga luhatjet e çmimit, pra ata mund ta sigurojnë energjinë më lirë, por në periudha thatësira do ta blejnë me çmim tregu që mund të jetë shumë i shtrënjtë se çmimi i rregulluar, që sot luhatet nga 9.5 deri në 14 lekë për kvh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.