Flet prof. Adrian Civici, president i UET
Më e rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik do të ishte forma e investimeve në dukje private, por në thelb publike si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare.
Në thelbin e tyre, koncesionet e realizuara si PPP janë investime të domosdoshme për ekonominë shqiptare, sidomos në këtë fazë të zhvillimit ekonomik që ndodhemi. Në këtë këndvështrim, mendoj se janë oksigjen i domosdoshëm për të mbështetur rritjen ekonomike, punësimin dhe zhvillimin ekonomiko-social të vendit. Problemi apo diskutimet kanë të bëjnë me modalitetet dhe procedurat e aplikimit praktik të tyre, me transparencën dhe mekanizmat e institucioneve kontrolluese e verifikuese të tyre për të shmangur kostot e larta me natyrë klienteliste të këtyre lloj investimeve.
Njihen disa forma të realizimit të PPP. Më e rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik do të ishte forma e investimeve në dukje private, por në thelb publike si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare. Në këtë rast, ashtu siç e ka nënvizuar dhe FMN, do të kishim të bënin me krijimin e një borxhi të ri, në dukje të fshehur, por real si pjesë e borxhit publik. Por, nëse PPP do konceptohej si investim privat që fitimet do t’i marrë nga shfrytëzimi i objekteve ku financohet dhe roli i qeverisë është vetëm krijimi i lehtësive institucionale për realizimin e investimit, atëherë do kishim të bënim me një PPP mjaft pozitiv dhe të efektshëm për ekonominë. Problemi qëndron, se deri në këto momente, mjaft nga modalitetet e realizimit të këtyre PPP nuk janë prezente dhe transparente.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.