Gati gjysma e tokave bujqësore në Komunën e Bushatit në Shkodër janë ofruar me qira nga Ministria e Bujqësisë.
Duke ju referuar njoftimit zyrtar të Dikasterit të Bujqësisë mësohet se ka nisur procedura konkurruese për dhënien me qira të sipërfaqes së tokës prej 263.5148 hektarë në fshatin Rranxa në Komunën e Bushatit.
Në këtë komunë, toka bujqësore është 580 hektarë nga të cilat Bushati i ka 140 hektarë, ndërsa fshati Rranxat 440 ha.
Nga njoftimi i ministrisë së Bujqësisë mësohet se vlera fillestare e qirasë së tokës bujqësore në pronësi të shtetit për hapjen e procedurës konkurruese është 4,293,808 (katër milion e dyqindenëntëdhjetë e tremijë e tetëqindetetë) lekë/vit ose 16,294 lekë hektar në vit).
Ofertat me vlerë më të ulët se kjo vlerë fillestare do të skualifikohen, ndërsa sigurimi i ofertës, që është në shumën prej 357,817 lekësh, duhet të dorëzohet së bashku me ofertën.
Ministria e Bujqësisë njofton se asnjë ofertues nuk do të përjashtohet nga pjesëmarrja në procedurën e konkurrimit në bazë të shtetësisë. Ofertat do të hapen në Ministrinë e Bujqësisë më datë 7 shtator 2016, ora 10:00.
Bujqësia në këtë zonë është e dominuar nga një numër i madh fermash, një popullsi e madhe bujqësore, sipërfaqe e vogël e fermave (mesatarisht 1.1 ha) dhe të copëtuara në mesatarisht 4.4 parcela/për fermë, si dhe në distancë 1-5 km larg shtëpive.
Në fshatrat Bushat e Rranxa, banorët kanë zënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke në mënyrë të paligjshme, jo si përfitim nga ligji 7501 “Për Tokën “.
Zona e Bushatit ka kushte klimatike e tokësore të përshtatshme, të cilat janë bazë për aktivitete bujqësore të shëndetshme e produktive.
Nga fundi i 2014-s, Ministria e Bujqësisë ka organizuar mbi 40 ankande, për rreth 2,000 hektarë tokë bujqësore në zonat më pjellore të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, tokat ndodhen në zonat më prodhimtare të Shqipërisë si Krutja, Buçimasi në Pogradec, komunat e begata në Fier dhe në Lushnjë dhe pothuajse asnjë hektar në Veri.
Në ndryshimet që iu bënë ligjit të koncesioneve të vitit 2013 u përfshi edhe sektori i bujqësisë, i cili nuk ishte më parë, ndërkohë që nuk janë të pakta rastet që Agjencia e Prokurimit Publik shpall zhvillimin e tokës bujqësore nëpërmjet kësaj forme.
Burimet nga dikasteri thonë se toka është me pronësi shtetërore dhe është identifikuar si e tillë pas një inventarizimi të posaçëm që nisi sapo e majta erdhi në pushtet, në shtator të vitit 2013.
Vitet e fundit, ndërtuesit kanë vërshuar në transferimin e investimeve në bujqësi, teksa institucionet publike i kanë lënë vetëm në një eksperiment të rrezikshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.