Para në rrjete sociale? Raporti arrin në përfundimin se klubet po humbasin tregun

02/04/2021 9:15 AM 0 komente

Me tifozët jashtë stadiumeve dhe të ardhurat e klubeve të bllokuara, rrjetet sociale janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme për infrastrukturën tregtare të klubeve, sipas analizave të KPMG Football Benchmark.

Kërkimi i KPMG tregon një “marrëdhënie të fortë midis të ardhurave tregtare të klubeve dhe ndjekësve në rrjetet sociale, duke u mbështetur te të dhënat mbi të ardhurat komerciale të disponueshme për vitin financiar 2019/20…Kjo është bërë veçanërisht e rëndësishme gjatë Covid-19 kur klubet, në mungesë të aktivitetit dhe komunikimit me tifozët besnikë, po sjellin risi duke angazhuar dhe duke monetarizuar tifozët e tyre”.

KPMG thotë se ndikimi i saktë i rritjes së rrjeteve sociale në strategjitë komerciale të një klubi është i vështirë të përcaktohet, por po përdoret për të rritur marrëveshjet tregtare, jo vetëm nëpërmjet gjurmëve në rritje të të dhënave të tifozëve që mund të krijojnë “një strategji të integruar komunikimi, marketingu dhe komerciale”
Tranzicioni kyç është perceptimi i konsumatorit “ku klubet janë marka dhe tifozët shihen gjithnjë e më shumë si klientë”.

“Klubet që përmbushin nevojat specifike të tifozëve të tyre me përmbajtje të rëndësishme, autentike dhe të azhurnuara në kohë arrijnë të thellojnë besnikërinë e markës dhe në të njëjtën kohë janë në gjendje të zhvillojnë mundësi komerciale, si drejtpërdrejt nga klubi, si nëpërmjet aktivitetit të sponsorëve” – thotë KPMG.

Duke marrë si shembull klubin e Juventus, ndjekësit e të cilit në rrjetet sociale janë rritur me 320% në 110 milionë ndjekës (followers) në pesë vitet e fundit, klubet mund të zgjerojnë mundësitë e tyre tregtare dhe “kategoritë në nivel global, si argëtimi, sporti dhe moda kanë krijuar shikueshmëri në mesin e një grupi të ri tifozësh në mbarë botën, nëpërmjet pikave ekzistuese të kontaktit dhe të reja duke përfshirë rrjetet sociale. ”

Ardhja e Cristiano Ronaldos në klub me thuajse gjysmë miliard ndjekësit e tij në rrjetet sociale përkoi me rritjen e të ardhurave tregtare të Juventus me 145% në të njëjtën periudhë.

Çelësi për të kuptuar përfundimisht vlerën e rrjeteve sociale është kur ju mund të përcaktoni një vlerë kuptimplotë mbi atë që një ndjekës ose ndjekës për mijë vlejnë në të vërtetë – ndoshta në një metrikë të ngjashme (por padyshim të ndryshme) në mediat dixhitale që matet në kosto për mijë.

KPMG thotë se ndërkohë që FC Barcelona dhe Real Madrid kanë në total 262 milionë dhe 259 milionë ndjekës në rrjetet sociale, numri më i madh i ndjekësve krahasuar me çdo klub futbolli në nivel botëror, të ardhurat komerciale për të dy klubet në sezonin 2019/20 renditen në vend të dytë dhe të tretë, pas Bayern München. Në një vlerësim të papërpunuar, të ardhurat mesatare komerciale për ndjekës në rrjetet sociale vlerësohen në vetëm 1.30 euro për të dy klubet, krahasuar me 3.8 euro për Bayern München.

A është përfundimi që Barça dhe Real Madrid mund të jenë duke shitur më shumë marrëveshje dhe sponsorizime apo Bayern po shet më shumë se sa duhet? Duket se është ende shpejt për të bërë një vlerësim të rrjeteve sociale për klubet e futbollit, por për disa mund të jetë tashmë tepër vonë.

“Ka disa klube ndër dhjetë të parat për ndjekës në rrjetet sociale që po gjenerojnë të ardhura komerciale relativisht të larta çdo vit, ndërkohë që nuk kanë zhvilluar ende tërësisht një bazë globale tifozësh dhe ndjekësish në rrjetet sociale që të përputhen me konkurrentët e tyre” – thotë KPMG.

KPMG merr si shembull Tottenham Hotspur. “Në termat e të ardhurave operative, është një klub futbolli që gjeneron të ardhura në top 10, me 523 milionë euro në sezonin 2018/19, të cilat zbresin në 446 milionë euro (-14,6%) në sezonin 2019/20 për shkak të pandemisë. Megjithatë, pavarësisht se kanë regjistruar rritjen e dytë më të madhe në rrjetet sociale në pesë kampionatet kryesore të Europës (Big 5) nga 2019 (91%), – FZ Internazionale Milano në vend të parë me 95% – Tottenham Hotspur renditet në vendin e 12 sa u përket ndjekësve në rrjetet sociale, me 44 milionë ndjekës në nivel global” – thotë KPMG.

“Çfarë është më e rëndësishme, megjithatë, Spurs do të duhet të thuajse dyfishonin ndjekësit e tyre në rrjetet sociale për të hyrë në top 10. Të ardhurat tregtare të Tottenham Hotspurs për ndjekës në rrjetet sociale janë 4.30 euro, duke mbështetur idenë se faktorë të tjerë po drejtojnë të ardhurat e larta tregtare të klubit”.
KPMG thotë në fund se klubet kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë, për të kuptuar plotësisht se ku janë vlerat komerciale të ndjekësve të tyre në rrjetet sociale.

“Në vend që të theksojmë ndryshimet midis operacioneve komerciale të këtyre klubeve, kontrasti midis të ardhurave komerciale për performancën e ndjekësve në rrjetet sociale duket se nxjerr në pah se monetarizimi i ndjekësve të rrjeteve sociale nga ana e shumë klubeve të futbollit ka një rrugë të gjatë për të bërë” – thotë raporti.

*Paul Nicholson
Burimi: Inside World Football

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of