Divjaka është një prej destinacioneve më të afërta për të kaluar një fundjavë në natyrë të qetë dhe në ajër të pastër.
Kjo për vetë mundësitë që të jep parku që ka një shtrirje gjeografike të konsiderueshme. Moratoriumi i gjuetisë ka bërë të mundur që të rritet popullsia e shpendëve, por edhe numri turistëve që tërhiqen nga ky lloj turizmi
Nga Elona Bedalli
Rruga që të çon në Parkun Kombëtar Divjakë – Karavasta është tërësisht e rehabilituar dhe kjo të jep mundësinë që të shkosh më shpejt në këtë destinacion të veçantë të turizmit, por edhe të biodiversitetit.
Dita kur e vizituam ishte e ngrohtë dhe gati si ato ditët e fillimit të pranverës. Mirëseardhjen e parë na i dha Xhoni, pelikani i vogël që u gjet i plagosur në një nga fshatrat bregdetarë të Fierit e që tashmë duket se nuk do të ikë më nga parku për të cilin kujdesen stafi i drejtorisë. Teksa na shoqëron për në brendësi të parkut, drejtori, Ardian Koçi, një njohës dhe ekspert i fushës, nuk ngurron ta na tregojë edhe për një legjendë që flitet se ka krijuar këtë pyll, që i ka shpëtuar agresivitetit të dorës së njeriut. Ai na tregon për një legjendë sipas së cilës, ushtria e Çesarit, e cila ushqehej shpesh me stika pishe, i ka mbartur me karroca thasët gjatë përshkimit të rrugëve në këtë zonë dhe nga farat që kanë rënë u krijua një pyll.
Parku Kombëtar Divjakë – Karavasta është i vendosur në Shqipërinë e Mesme, buzë detit Adriatik, ndërmjet lumenjve Shkumbin dhe Seman, me një sipërfaqe prej 22,230 hektarë.
Ai është shpallur park kombëtar me vendim të Këshillit të Ministrave në nëntor 2007, por fillesat e tij janë më të hershme. Në vitin 1966, është krijuar për herë të parë si Park Kombëtar dhe sipërfaqja ka qenë 1,250 hektarë.
“Këtu jemi në një lagunë të vogël dhe quhet ‘Godulla e Kularit’ dhe është monument natyre, e njohur gjatë dimrit për përqendrimin e shpendëve dimërues notues ujorë. Në këtë park ka rreth 245 specie shpendësh dhe kryesisht janë dimërorë ujorë dhe kemi 25 pesë specie gjitarësh dhe 29 specie të zvarranikëve. Një pjesë e mirë e tyre është në ‘listën e kuqe’ si lloje të rrezikuara, ndërsa 89 e tyre janë të rrezikuara në vendin tonë. Disa specie të tjera janë të rrezikuara në rang botëror, ku këtu mund të përmendim pelikanin kaçurrel. Në lagunën e Karavastasë, që është pas pyllit, është ishulli ku pelikani ngre folenë.
Duhet thënë që shifrat janë në rritje dhe mund të përmendim që në vitin 2014 kishim 36 çifte riprodhues; në vitin 2015, 46 çifte, ndërsa sot janë 52 çifte të tilla. Viti 2000 ka shënuar edhe periudhën më të ulët të riprodhimit të tyre që ka qenë 17 çifte.
Veç këtyre kemi edhe shtim të popullsisë së shpendëve në përgjithësi si rezultat i moratoriumit. Nga censuset që kemi bërë, kanë dalë rreth 60,000 shpendë ujorë, por mendojmë se kjo shifër është disa herë më e lartë, pasi ka vështirësi në numërim në vende të parkut që nuk janë të aksesueshme nga stafi”, na tregon drejtori i këtij parku.
Shumë shpejt pritet të përfundojë së ndërtuari edhe “Qendra e vizitorëve”, ku jo vetëm do të mund të merren informacione, por do të shërbejë edhe si një muze për Parkun Divjakë – Karavasta dhe biodiversitetin.
Pjesa më e madhe e turistëve që e vizitojnë këtë zonë janë shqiptarë. Drejtori i parkut, z. Koçi, thotë se ka vështirësi në evidentimin e numrit të saktë të turistëve, duke qenë se kryesisht vijnë në periudhën e verës dhe në zonat ku bëhet plazh. “Synimi ynë është që turizmin ta shtrijmë gjatë gjithë vitit, duke nxitur edhe zhvillimin e atij që njihet si ‘birdwatching’ ose vëzhgimi i zogjve dhe që kërkohet nga të huajt. Gjatë vitit 2015, ishin rreth 1,500 turistë që kërkuan informacione pranë nesh dhe që i kemi të regjistruar. Ndërsa deri në fund të muajit nëntor të 2016-s shifra u llogarit në 2,500 turistë të huaj, por viti pritet të mbyllet me rreth 3,000 të tillë. Nuk e përjashtojmë faktin që ky numër të jetë më i lartë, duke qenë se shumë zgjedhin ta vizitojnë në mënyrë private”, thotë z. Koçi.
Sipas tij, ndikim te numri i vizitorëve ka dhënë edhe fakti se është ndaluar gjuetia e paligjshme, edhe pse nuk mungon ndonjë rast sporadik. Janë kryesisht raste që vijnë nga njerëz që futen nga zona e Kavajas dhe monitorimi i tyre është gati i pamundur edhe pse parku monitorohet në 24 orë.
Sipas z. Koçi, nga moratoriumi është vënë re shtimi i numrit të shpendëve, duke e bërë zonën më të populluar.
Divjaka, si bashki, numëron një popullsi prej rreth 53,000 banorësh. Është nga të paktat bashki të krijuara nga reforma administrative dhe territoriale, e cila përbëhet pothuajse tërësisht nga zona rurale. Ajo ka një shtrirje veri-jug, ndërkohë që rrugët janë më së shumti në drejtimin lindje-perëndim dhe lidhja rrugore mes qytetit të Divjakës dhe komunave Gradishtë e Rremas është e dobët.
Ndodhet në një zonë tërësisht rurale dhe pjellore, ndërkohë që pjesë e territorit të saj është edhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, si dhe plazhi i Divjakës.
Aktiviteti kryesor ekonomik është bujqësia dhe në një masë më të vogël peshkimi. Prodhimi kryesor bujqësor janë bostanoret, të cilat shiten në tregun e brendshëm si dhe eksportohen në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore.
Drejtuesit e bashkisë thonë se ata që merren me bujqësi arrijnë të krijojnë fitime deri në 30,000 euro në vit.
Divjaka ka perspektivë të mirë për zhvillimin e turizmit detar si dhe ekoturizmit. Gjatë viteve të fundit, këtu është shfaqur turizmi i vrojtimit të zogjve, për shkak të pranisë së një kolonie të vogël pelikanësh në zhdukje në lagunën e Karavastasë.
Turizmi është zhvilluar më së shumti për turistët ditorë dhe kulinaria është e përqendruar te prodhimet e peshkut, për të cilat zona është e famshme në të gjithë vendin.
Janë rreth një miliard lekë të investuara në dy vitet e fundit (2014 – 2016) në Bashkinë e Divjakës, për zbatimin e 6 projekteve të infrastrukturës urbane. Është rehabilituar sheshi qendror, shëtitorja, 35 km, si dhe janë rikualifikuar 2,200 metër linear sipërfaqe të parkut.
Segmenti 3 i Pasarelës dhe ura në dru përgjatë rrugës automobilistike, hyrje e parkut – Godulla e Brendshme, me vlerë rreth 99 milionë lekë, përfundon në vitin 2017.
Projekti konsiston në thellimin e vijës së parë të ujit me gjatësi rreth 4 km, e cila është e planifikuar të kthehet në vijë ujë të lundrueshme, duke mundësuar shfrytëzimin e lagunës së Karavastasë jo vetëm si resurs ekonomik nga pikëpamja e peshkimit, por edhe e shfrytëzueshme nga pikëpamja turistike e këtij resursi. Faza e dytë ka të bëjë me ndërtimin e pasarelës së drurit dhe pikave të vrojtimit mbi kurorat e pishave. Kjo pasarelë do të mundësojë finalizimin e lidhjes këmbësore të qytetit të Divjakës me qendrën e plazhit duke përshkruar të gjitha pikat më tërheqëse të parkut. Punimet që do të kryen konsistojnë në:
– Ndërtimin e 15 urave druri me gjerësi 1.6 m dhe gjerësi 4.5 m secila.
– 4 sheshpushime me përmasa 3.5 x 4 m gjerësi
– Thellimin e vijës së parë të ujit
– 1 pikë informacioni (info point)
Sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban që realizon projektin, ndikimi i pritshëm do të jetë: zhvillimi i turizmit si dhe lidhja e parkut me pjesën e qytetit të Divjakës, shfrytëzimi i resurseve natyrore si për shembull kthimi i zonës në një potencial ekonomik në të cilën mund të alokohen biznese të ndryshme shërbimi.
Po sipas ministrisë, në vitin 2017 parashikohet të përfundojë edhe unaza bujqësore “Mërtish – Tre Urat”, me vlerë investimi 380 milionë lekë. Projekti parashikon krijimin e unazës bujqësore që lidh fshatin Mërtish me fshatin Tre Urat, të cilat ndodhen në fillimin dhe mbarimin e dy rrugëve kryesore të Fushës së Myzeqesë, zona e Divjakës; ndërtimin e trasesë së rrugës, shtrimin e saj me asfalto-beton me gjerësi 5 metra (me dy drejtime lëvizje); ndërtimin e kanaleve për disiplinimin e ujërave të shiut; ndërtimin e trotuareve anësorë në zonat e banuara; ndriçimin e trotuareve dhe gjelbërimin e tyre. Gjithashtu do të bëhet vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale duke përmirësuar sigurinë e rrugës, si dhe sistemimin e hyrje-daljeve duke u ardhur në ndihmë bizneseve me aktivitet bujqësor.
Projekti synon të zgjidhë problemet e lëvizjes së makinave dhe makinerive bujqësore dhe lëvizjen e banorëve të zonës, duke i krijuar infrastrukturën e përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore e blegtorale.
Ndërtimi i rrugës Gradishtë – Spolat i Madh, me vlerë investimi rreth 131 milionë lekë, pritet të përfundojë gjithashtu në vitin e ardhshëm. Projekti synon të zgjidhë problemet e lëvizjes së mjeteve dhe do të ndihmojë banorët në kryerjen e aktiviteteve tregtare.
Aktualisht, në këtë bashki, ka përfunduar rivitalizimi i sheshit qendror dhe trotuareve të aksit kryesor me vlerë rreth 177 milionë lekë. Zbatimi i këtij projekti i ka dhënë një tjetër imazh qytetit, duke ofruar më shumë hapësira të gjelbra publike për qytetarët. Gjithashtu ky projekt ka bërë të mundur lidhjen këmbësore të zonës qendrore të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, e cila është kthyer tashmë në një nga atraksionet më të vizituara nga turistë të huaj dhe vendas.
Ndërsa rikonstruksioni i rrugës Çermë Sektor – Tre Urat – Stravec-Gërmenj i Madh – Tre Urat – autostrada Rrogozhinë – Lushnjë, një investim prej rreth 245 milionë lekësh, ka bërë të mundur rehabilitimin e 12 km rrugë rurale, si dhe zgjerimin e 4 km të tjera. Janë 10,000 banorë, të cilët kanë përfituar nga ky investim që u ka dhënë fermerëve të zonës një akses më të madh në tregun e fruta-perimeve të Divjakës.
Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe në Shqipëri, sigurisht edhe më e bukura në detin Adriatik. Ajo ndodhet rreth një orë larg Fierit me makinë. Laguna ndahet prej detit nga pylli me pisha i Divjakës. Përbëhet prej një lagune të brendshme dhe një të jashtme, më të vogël. Tre kanale e lidhin lagunën me detin Adriatik. Laguna është deklaruar Park Kombëtar dhe është e vetmja vendndodhje zyrtare e mbrojtur nga Konventa e Ramsarit.
Shifra
3,000 pritet numri i turistëve të huaj për vitin 2016
1 mld, shifra e investuar në dy vjet
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.