A jeni të lodhur nga zhurma e jetës së përditshme dhe keni dëshirë të shkoni për pushime larg, në një natyrë të mrekullueshme?
Ne kemi zgjedhur 10 peizazhe natyrore dhe parqe kombëtare në Europë që ju mund t’i eksploroni:
Parku Kombëtar Hossa, Finlandë
Vizitorët në rajonin e largët verilindor të Finlandës, mund të shohin kafshë të egra si ujqër dhe arinj kaf, që janë specie në zhdukje në pjesë të tjera të botës. Parku Kombëtar Hossa krenohet me pyjet e dendura halore dhe liqenet e pastra kristalore.
Parku Kombëtar Sarek, Suedi
Ata që dëshirojnë të përjetojnë shkretëtirën nordike të paprekur, mund të shkojnë në Parkun Kombëtar Sarek. Zona e madhe dhe krejt e pabanuar në provincën më veriore të vendit, Lapland, është një parajsë për ata që pëlqejnë aventurat. Aty ndodhen disa nga malet më të larta të Suedisë, si dhe shumë akullnaja. Me pak fat, vizitorët mund të shohin edhe Aurorat Boreale.
Parku Kombëtar Jotunheimen, Norvegji
Ky rezervat natyror prej 3500 kilometrash katrorë në Norvegjinë Jugore, është një vend ideal për udhëtarët që duan të shijojnë peizazhet mahnitëse malore. Në Jotunheimen, që do të thotë “shtëpia e gjigantëve”, gjithashtu ka liqene të shumtë. Liqeni Gjende e merr ngjyrën smerald-jeshile nga shkrirja akullnajore.
Malet Elbe Sandstone, Gjermani dhe Republika Çeke
Ky varg malor që shtrihet në kufirin gjermano-çek, ofron shtigje fantastike për shëtitje. Pamjet nga Decunsky Sneznik, mali më i lartë i rajonit në anën çeke të kufirit, janë vërtet mahnitëse.
Rezervati Natyror High Fens, Belgjikë dhe Gjermani
Ky rajon shtrihet përgjatë kufirit gjermano-belg. Reshjet e shumta vjetore dhe nivelet e lagështisë kanë krijuar një ekosistem unik.
Liqenet Plitvice, Kroaci
Parku Kombëtar i Liqeneve Plitvice është një nga më të vjetrit dhe më i madhi në Kroaci. I ndodhur në zonën malore karstike të vendit, ai është i njohur për liqenet dhe ujëvarat e bukura, të ndërlidhura.
Liqeni i Shkodrës – Shqipëri, Mal i Zi
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në Gadishullin Ballkanik, megjithëse madhësia e tij e saktë ndryshon në varësi të stinës. Ejani këtu nëse ju pëlqejnë të vëzhgoni shpendët ose të eksploroni natyrën e paprekur.
Cinque Terre, Itali
Ky brez bregdetar në Liguria, Italinë Veriperëndimore, është i famshëm për fshatrat e tij piktoreskë dhe shtigjet e mëdha. I mbrojtur nga UNESCO që nga viti 1997, ai është i përsosur për shëtitje, argëtim dhe kalërim.
Calanques, Francë
Parku Kombëtar Calanques, pranë qytetit të Marsejës, shtrihet përgjatë bregdetit Mesdhe dhe ofron pamje mbresëlënëse. Gjiret e tij si dhe pasuria e florës dhe e faunës të japin ndjesinë e një parajse në tokë.
Parku Kombëtar Ordesa y Monte Perdido, Spanjë
I ndodhur në vargmalin e Pirenejve spanjollë, Parku Kombëtar Ordesa y Monte Perdido përmban lugina të zhytura dhe maja malore me dëborë, pyje të gjelbëruar dhe kafshë të egra. Zona është ideale për shëtitje, ngjitje në shkëmb ose thjesht për të parë pamje mahnitëse. / *Anna-Lena Malter, Deutsche Welle