Përfundon investimi, Shqipëria zgjidh problemin e trajtimit të mbetjeve me origjinë shtazore

16/02/2020 10:36 AM 2 komente

Shqipëria do të zgjidhë përfundimisht problemin e trajtimit të mbetjeve me origjinë shtazore, të cilat deri më tani ndotnin mjedisin dhe rrezikonin gjithashtu jetën e njerëzve. Në ish zonën industriale të Lezhës ka përfunduar tashmë impianti modern, që i riciklon dhe i shndërron në lëndë të parë për blegtorinë këto mbetje. Investimin me vlerë rreth 1.5 milionë euro e ka parë nga afër edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi. Ky projekt është mbështetur gjithashtu edhe me fonde nga programi IPARD.

“Është një investim që krijon një vlerë pothuajse nga hiçi, nga të gjithë mbetjet që vijnë nga bota shtazore, përfshi edhe peshkun, kafshët e sëmura, pula të skarcitetit dhe gjithë mbeturinat e botës shtazore. Gjithçka tjetër që do të vijë në këtë impiant, do të përpunohet dhe pasurohet me proteina, për të dalë më pas ushqim për kafshët”, tha ministri Çuçi teksa shoqërohej nga investitori Alban Zusi.

“Inca” eshtë i vetmi impiant me parametra bashkëkohorë në vendet e Ballkanit Perëndimor, me një kapacitet ditor përpunimi rreth 120 ton. Me rëndësi tha ministri Çuçi është edhe fakti se ky investim dhe teknoligjia e përdorur në fabrikë, nuk kanë impakt negativ tek mjedisi.

“Jo thjesht që krijon vlerë nga hiçi apo nga mbetjet, por kemi të bëjmë edhe me një investim shumë miqësor me ambientin. Gjithë ajo problematikë që kemi në Shqipëri me groposjen e kafshëve të sëmura, do të marrë fund njëherë e mirë sepse do të grumbullohet në këtë fabrikë, e cila më pas do t’i japë një vlerë tjetër”, theksoi ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Produkti në këtë fazë është i gjithë i kontraktuar për t’u shitur në vendet e rajonit, BE-së dhe Azisë, por kompania ka si objektiv fillimisht plotësimin e nevojave brenda vendit me ushqim për kafshët dhe fertilizantë për bujqësinë.

Krahas 30 të punësuarve sapo kompania të shfrytëzohet me kapacitet të plotë, vlerë e shtuar e këtij investimi është gjithashtu impakti i madh që do të ketë në uljen e kostove të ushqimit për blegtorinë, si dhe minimizon rrezikun e sëmundjeve zonotike tek kafshët. Rrjedhimisht në këtë mënyrë është i mbrojtur edhe shëndeti i konsumatorit.

2
Komente

avatar
2 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
vezhguesi Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
vezhguesi
Guest
vezhguesi

Po ashtu, si dhe kush do te beje grumbullimin e lendes se pare nga gjithe Shqiperia? Sepse fshatari, nga Konispoli apo Vermoshi, zor se ngarkon mbeturinat ne makinen (gomarin) e tij per t’i cuar ne Lezhe te impianti.

vezhguesi
Guest
vezhguesi

120 ton ne dite duket si kapacitet i madh vetem per nevojat e blegtorise shqiptare. Lenda e pare per impantin – mbeturinat shtazore – do te vije vetem nga sektori i brendshem apo edhe nga importi? Kjo eshte pyetja e rendesishme qe Monitor duhet te sqaroje ne shkrim…