Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përmbyllur hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit të ri “Për sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”.
Rregulloret i janë nënshtruar procesit të konsultimit publik, përpara miratimit nga Bordi i Autoritetit.
Në mbledhjen e datës 30 qershor janë miratuar edhe tre aktet e fundit pjesë e paketës rregullatore, konkretisht Rregullorja “Mbi investimet, huadhënien dhe huamarrjen e Sipërmarrjeve të Licencuara të Investimeve Kolektive me Ofertë Publike”, Rregullorja “Për sipërmarrjet dhe nënfondet kryesore e furnizuese”, si edhe Rregullorja “Mbi përmbajtjen, afatet kohore dhe formën e raporteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, shoqërive administruese dhe depozitarëve”.
Kuadri rregullator bën plotësisht të zbatueshëm ligjin e ri për “Sipërmarrjet e Investimeve Kolektive”, i përafruar me direktivat kryesore të Bashkimit Evropian. Ligji dhe aktet nënligjore të miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij sigurojnë bazën e nevojshme legjislative dhe rregullative për modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve të investimeve në Shqipëri.
Në thelb, ligji dhe rregulloret e miratuara synojnë:
- Harmonizimin e kërkesave për themelimin e sipërmarrjes me ofertë publike me pjesëmarrje të hapur ose me intervale (të cilat duhet të kenë shoqëri administruese dhe depozitar), në përputhje me kërkesat e Direktivave Evropiane, pavarësisht nëse fondi është sipërmarrje e investimeve kolektive apo fond i investimeve alternative;
- Krijimin e hapësirës për forma të reja organizimi, siç janë fondet e investimeve alternative, si dhe tipe dhe lloje të reja fondesh, në përputhje me Direktivat Evropiane;
- Rritjen e mbrojtjes së investitorit përmes rritjes së kërkesave në lidhje me kategorizimin e investitorëve në profesionistë, të kualifikuar dhe jo profesionistë;
- Ofrimin e më shumë dispozitave në lidhje me bashkimin dhe shkrirjen e fondeve, si dhe për ruajtjen, likuidimin dhe mbylljen e fondeve dhe të shoqërive administruese e të depozitarëve.
Rregulloret e miratuara janë publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit, në linkun e mëposhtëm:
https://amf.gov.al/akte.asp?id=2&id2=5
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.