Por në fakt, kompania, që ndodhet në rajonin Abruzzo në qendër të Italisë, po përballet me një faktor që i ndikon përfitueshmërinë: një lidhje interneti tepër të ngadaltë. Me vetëm 2 megabit (MB) për sekondë, lidhja me bandë të gjerë e “IMM Hydraulics” mbetet mbrapa lidhjes prej 5 MB, që është tipike në qytetet europiane, që nga ana e saj është shumë më e ulët se mesatarja prej 12 MB në Francë dhe 16 MB në Gjermani.
“Na duhen ditë për të përfunduar një porosi, kur normalisht ky proces do të duhet të zgjaste një gjysmë ore”, tha drejtori i Financës, Marcello Di Campli. “Lidhja me bandë të gjerë është një nga problemet tona më të mëdha, ndoshta duke u renditur menjëherë pas aksesit në kredi”.
Ekonomia e katërt më e madhe e Europës ka qenë prej kohësh mbrapa në fushën e internetit, duke penguar zhvillimin e tregtisë dhe bankingut online. Italianët paguajnë ndër çmimet më të larta për shpejtësinë e internetit me bandë të gjerë, në krahasim me Estoninë apo Qipron. Si rrjedhojë, vetëm gjysma e popullsisë e përdor internetin të paktën një herë në javë dhe firmat italiane gjenerojnë 5.4% të shitjeve online, krahasuar me 13.9% në vendet e tjera në Europë.
Tashmë qeveria reformiste e Kryeministrit ka identifikuar përmirësimin e shpejtësisë së internetit me bandë të gjerë, si një prioritet ndërkombëtar për të nxitur rritjen dhe për të reduktuar normën e papunësisë prej 11% të Italisë, si dhe deficitin e lartë buxhetor.
“Statistikat e tregtisë online janë zhgënjyese… Shpejtësia e ulët kufizon rritjen, duke reduktuar konkurrueshmërinë për kompanitë që janë të orientuara drejt eksportit”, thotë Paolo Gentiloni, ish-ministri i Komunikimit dhe anëtar i një grupi deputetësh që kanë bërë propozime për të mbështetur tregtinë online dhe shërbimet qeveritare.
Në vëmendjen e qeverisë është “Telecom Italia”, që dikur ishte monopol, që besohet se ka dëmtuar konkurrencën dhe nuk ka investuar në rrjetin e brendshëm për shkak të borxheve të mëdha.
Qeveria e Montit ka ngarkuar organizimin që financohet nga shteti “Cassa Depositi e Prestiti” (CDP) që të punojë për një plan me “Telecom Italia” dhe rivalët e vet, për të krijuar një rrjet të gjerë kombëtar super të shpejtë të fibrave optike.
Një nga zgjidhjet më radikale që po diskutohet është që “Telecom Italia” të kalojë linjat ekzistuese prej bakri që kanë një moshë prej disa dekadash – me vlerë midis 9 dhe 15 miliardë eurove – në një kompani të veçantë që do të administronte telefoninë fikse të Italisë dhe sistemin me bandë të gjerë dhe do të shesë kapacitete me shumicë tek operatorët e tjerë të internetit. Kompania e re “e aksesit në rrjet” do të ishte pjesërisht në pronësi të shtetit dhe do të kishte më shumë incentiva për të investuar në bandën e gjerë, thonë mbrojtësit e kësaj teorie, për shkak se nuk do të kishte as borxhe për të paguar dhe as pjesë tregu për të mbrojtur.
Një lëvizje e tillë do të ishte një lloj revolucioni në Europë dhe do të testonte nëse shteti mund të jetë më efektiv se sektori privat në ndërtimin e një infrastrukture kombëtare të bandës së gjerë.
Qeveria e Australisë e ka dhënë një model për këtë në 2009-n, kur e shqetësuar nga ritmi i ngadaltë i investimeve, u bë shteti i parë që krijoi një kompani kombëtare që ishte përgjegjëse për ndërtimin e një rrjeti të vetëm të hapur me bandë të gjerë me fibra optike në 90% të shtëpive deri në 2021-n. Britania ka përshtatur një përqasje pak më të ndryshme, duke i kërkuar grupit BT të krijojë një degë të ndarë për të shitur aksesin me shumicë te konkurrentët dhe për të ndërtuar aksesin me bandë të gjerë me fibra optike në vend.
Strategjitë e shteteve të ndryshme
Qeveritë nëpër botë po provojnë strategji të ndryshme për të përmirësuar sistemet e tyre.
Shtetet e Bashkuara po mbështeten vetëm te konkurrenca në sektorin privat, ndërsa Japonia dhe Koreja kanë hedhur para publike në ndërtimin e rrjeteve kombëtare me fibra optike, një detyrë që bëhet e lehtë nga densiteti i madh i popullsisë urbane. Suedia dhe Norvegjia u bënë liderë në penetrimin e bandës së gjerë me fibra optike përmes një kombinimi lehtësimi në taksa, subvencione për shpërndarjen rurale dhe në rastin e Suedisë, duke u kërkuar njësive komunale në pronësi të shtetit, që të krijonin rrjete lokale.
Megjithëse është herët për të gjykuar projektin e Australisë me fibra optike, ndarja efektive e BT në Britani në 2005-n e ka ngjitur vendin nga mesi në renditjen europiane për shpejtësinë e internetit me bandë të gjerë, koston dhe përdorimin në krye të saj.
Në Bashkimin Europian, operatorët e telekomit dhe politikëbërësit i kanë kaluar vitet e fundit duke debatuar. Operatorët argumentojnë se ata nuk duhet që të ndajnë rrjetet e reja me rivalët, në rast se ata duhet ta përballojnë të vetëm koston e ndërtimit të tyre. Ky debat ka ndikuar në vonesat në Itali e gjetkë.
Brukseli tashmë thotë se shteteve anëtare nuk do t’u kërkohet që t’i detyrojnë operatorët të ndajnë rrjetin me fibra dhe u ka dhënë operatorëve liri të plotë të zgjedhin se çfarë teknologjie duhet të zhvillojnë, në një kuadër rregullator që do të operojë të paktën deri në 2020-n.
Në mënyrë thelbësore, rregullatorët nuk do të vendosin çmimet me të cilat operatorët shesin aksesin me shumicë te konkurrentët më të vegjël në rrjetet e reja të fibrave, porsa kohë që operatori ofron çmime ekuivalente për këdo.