Tarifat e Presidentit krijojnë një kontrast të madh me lëvizjet e qëllimshme të zyrtarëve të tij
Përpjekjet e Presidentit Donald Trump për të orkestruar marrëdhëniet tregtare të Amerikës po shkaktojnë një kakofoni të vërtetë. Më 2 dhjetor, ai trumbetoi vendosjen e tarifave të reja për çelikun dhe aluminin brazilian dhe argjentinas. Disa orë më vonë, Përfaqësuesi i Tregtisë të Shteteve të Bashkuara (USTR) deklaroi vendosjen e dy grupe tarifash për produktet europiane, SHKRUAN The Economist. Gjatë ditëve në vijim, kjo kakofoni u rrit më shumë, si pasojë e një “pazari” që do të siguronte miratimin e demokratëve për USMCA, realizimin një marrëveshje tregtare me Meksikën dhe Kanadanë. Tema, unilateralizmi amerikan, vazhdon.
Por zërat e ndryshëm brenda administratës Trump nuk janë aspak brenda të së njëjtës linjë. Le ta fillojmë me njoftimin e javës së kaluar, të cilin z. Trump e bëri nëpërmjet rrjetit social Twitter, ku ai shkroi se çeliku argjentinas dhe ai brazilian do të përballeshin me tarifat amerikane. Fermerët amerikanë, tha ai, vuanin nga zhvlerësimet “masive” të këtyre të dy shteteve. Por reagimi i tij nuk kishte kuptim. Argjentina dhe Brazili nuk janë përpjekur të përfitojnë nga fermerët amerikanë duke manipuluar monedhat e tyre vendase, si peson meksikane ashtu edhe realin brazilian. Megjithëse synimi i z. Trump ishte që të kufizonte importet, vendosja e tarifave mbi disa produkte mund të nënkuptojë që ato të rriten. Dhe tarifat e reja nuk ka gjasa t’i mbijetojnë ndonjë sfidë ligjore, pasi afatet përkatëse të tyre kanë kaluar muaj më parë.
Njoftimet në Twitter nga z. Trump krijuan një kontrast të thellë me njoftimet e tjera që ndoqën atë ditë, të cilat u shoqëruan edhe me diskutime të shumta. Një prej tyre lidhej me një mosmarrëveshje që vazhdonte prej kohësh në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) për subvencionet europiane për Airbus, të cilat i fitoi Amerika. Në tetor OBT-ja kishte thënë se administrata Trump mund të penalizojë BE-në duke vendosur tarifa në 7.5 miliardë dollarë të eksporteve të saj. BE-ja argumentoi se subvencionet ofenduese ishin tërhequr. Më 2 dhjetor, OBT-ja hodhi poshtë atë kërkesë dhe USTR filloi procesin për ngritjen e tarifave të reja për eksportet europiane. Një tjetër ishte ajo që kishte të bënte me një raport prej 93 faqesh, të mbushur plot me ligje dhe me shënime.
USTR kishte kaluar muaj të tërë duke hetuar një taksë franceze për shërbimet dixhitale, e cila do të rëndonte shumë tek gjigantët e teknologjisë amerikane. “Nëse ata do të tatohen, atëherë do të jenë Shtetet e Bashkuara ato që do t’i taksojnë ata. U kuptuam?”, ishte citimi i z. Trump më 3 dhjetor. USTR arriti në përfundimin se taksa ishte “jashtëzakonisht e rëndë” për kompanitë amerikane dhe prandaj Amerika po përgatitet të godasë rreth 2.4 miliardë dollarë amerikanë produktesh franceze, duke përfshirë 800 milionë dollarë mbi produktet kozmetike franceze, 800 milionë dollarë mbi shampanjën franceze dhe 400 milionë dollarë ndaj çantave të mirënjohura franceze. Politika e paqëndrueshme tregtare nuk është asgjë e re në administratën Trump.
Tarifat e çelikut dhe aluminit të vendosura në pranverën e 2018 u justifikuan për arsye të dyshimta të sigurisë kombëtare; Në të kundërt, raundi i parë i tarifave për Kinën, në mesin e vitit 2018, u vendosën pas një raporti të detajuar nga USTR pas ankesave të shumta të bëra në Amerikë, dhe në disa raste, kanë qenë ankesa plotësisht të ligjshme. Megjithatë, në përgjithësi, disa aspekte të politikës tregtare të Amerikës po ia vështirësojnë asaj marrëdhënien me shtete të tjera. Partnerët e saj tregtarë e kanë të vështirë të besojnë se pretendimet e z. Trump mbi ruajtjen e sigurisë kombëtare justifikojnë tarifat e vendosura mbi çelikun dhe aluminin brazilian dhe argjentinas. E gjithë kjo mund të jetë pjesë e arsyes që z. Trump deri më tani nuk ka arritur të sigurojë marrëveshjen “thelbësore” me Kinën, për të cilën ai mburrej se do ta realizonte në tetor të këtij viti.
Më 3 dhjetor, ai theksoi se do t’i shtynte bisedimet deri pas zgjedhjeve të vitit 2020, duke thënë se “marrëveshja tregtare me Kinën varet nga një gjë e vetme: A dua unë vërtet ta realizoj këtë marrëveshje?” Por sa më shumë që Presidenti amerikan të vazhdojë me një logjikë të tillë, aq më e pakuptimtë bëhet për Kinën që ajo të ofrojë lëshime kuptimplota. Publikimi i njoftimeve për vendosjen e tarifave të ndryshme mund të bëhet nëpërmjet rrjetit social Twitter, por procesi i publikimit të njoftimeve për t’i hequr ato është më i ngadaltë dhe më i vështirë. Robert Lighthizer, një prej zyrtarëve më të lartë të USTR, i cili ka negociuar me ligjvënësit demokratë, shprehet se nëse do të arrihet një marrëveshje, ajo do të bëhet sepse politikanët dhe zyrtarët kanë arritur të bindin Presidentin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.