Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim shfrytëzim dhe transferim)të një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (MULTI BUOY MOORING)”.
Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto dhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Ervin Mete.
Në fjalën e tij, z. Haxhinasto bëri një prezantim të projektligjit duke theksuar se kjo është një nga kontratat koncesionare që ndërlidh tre ministri. “Kjo është një kontratë BOT, pra ndërto, opero dhe transfero. Është një për një periudhë 35 vjeçare. Investimi i kryer do të jetë 10.2 milion dollarë në fillim të investimit dhe në periudhë e fundit do të shtohet edhe 40% e vlerës. Arsyeja e realizimit të këtij investimit ka të bëj me një kufizim, një limitim të kapaciteteve tona përpunuese, veçanërisht për hidrokarbure që kushtëzohet nga thellësia e kufizuar e porteve tona. Ky investim do ta rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme mundësinë tonë të operatorëve provat shqiptar për të realizuar import eksporte të produkteve hidrokarbure”,- theksoi ndër të tjera ministri Haxhinasto.
Projektligji do të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.
PROJEKTLIGJIN “PËR MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT TË FORMËS “BOT” (NDËRTIM, SHFRYTËZIM DHE TRANSFERIM) TË NJË PORTI TË LLOJIT MBM NË PORTO ROMANO, DURRËS, NDËRMJET MINISTRISË SË TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS DHE SHOQËRISË KONCESIONARE “PORTI MBM (MULTY BUOY MOORING)
I. QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË ARRIHEN Ky projektligj është hartuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe synon miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, operim dhe transferim i së drejtës së pronësisë dhe operimit, në përfundim të marrëveshjes së koncesionit) të një Porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, i cili do të pranojë përpunimin e mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20 000 tonë, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”.
II. VLERËSIMI I PROJEKTAKTIT NË RAPORT ME PROGRAMIN POLITIK TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ME PROGRAMIN ANALITIK TË AKTEVE DHE DOKUMENTE TË TJERA POLITIKE Miratimi i këtij projektligji nuk është i planifikuar në programin analitik të projektakteve të Këshillit të Ministrave.
III. VLERËSIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTSHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR Projektligji nuk bie ndesh me praktikat ndërkombëtare dhe është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.
IV. PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT Në zbatim të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, si autoritet kontraktues, 1 zhvilloi më datë 19.1.2015, procedurën përkatëse për dhënien me koncesion të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës. – Procedura e sipërpërmendur filloi si rezultat i propozimit të pakërkuar të subjektit “Adriatik Petroleum Platform PTE.LTD” për marrjen në koncesion dhe partneritet publik privat me qëllim menaxhimin dhe zhvillimin teknologjik për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës për një periudhë 35-vjeçare. – Autoriteti shpalli dokumentet standarde të procedurës përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës. – Shoqëria “Adriatik Petroleum Platform PTE.LTD” paraqiti në formë elektronike një propozim në përgjigje të procedurës konkurruese në lidhje me dhënien me koncesion të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim), për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, propozim i cili, pasi u trajtua, u pranua nga autoriteti. – Bashkimi i shoqërive “Adriatik Petroleum Platform PTE LTD”, “ATEC S.r.l”, “Mampey Offshore Industries B.v” dhe “Salillari” u përzgjodh si fitues në fund të procesit të vlerësimit, si rëzultat i përmbushjes së kërkesave të specifikuara në DSK në përputhje me përcaktimet e bëra nga autoriteti; – Me shkresën nr.1492/5 prot. datë 14.4.2015, autoriteti i ka dërguar koncesionarit, shoqërisë “Adriatik Petroleum Platform PTE.LTD”, sh.p.k., njoftimin e fituesit. – Në datën 21.4.2015, me qëllim lidhjen dhe zbatimin e kontratës nga koncesionari u bë regjistrimi në QKR i shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”. – Si përfundim, autoriteti dhe shoqëria koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)” përfshihen në këtë kontratë me qëllim për të vënë në zbatim koncesionin në përputhje me afatet dhe dispozitat e përcaktuar më poshtë. Aktualisht, infrastruktura e kufizuar e terminaleve ekzistuese limiton mundësinë e ankorimit të anijeve çisternë, me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Pikërisht, për të mundësuar këtë, projekti parashikon realizimin në një periudhë 6-mujore të portit off-shore të ankorimit MBM me thellësi (zhytje) 18 – 20m që mundëson pritjen e anijeve me kapacitet mbi 20 000 tonë dhe që vlerësohet të çojë importet dhe eksportet e karburanteve në 1 milion ton në vit nga të cilat 40% për eksport. Zhvillimi i këtij projekti në Porto Romano ku janë të përqendruar më shumë se 85% të kapacitetit të magazinimit dhe ruajtjes së karburanteve, duke u integruar 2 me infrastrukturën aktuale, do të rezultonte në rritjen dhe shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve të magazinimit, të cilat aktualisht shfrytëzohen në vetëm 60% të tyre. Për më tepër, investimi në këtë zonë do të rezultonte me kosto të reduktuara dhe do të ishte efektiv në terma financiarë. Projekti parashikon realizimin e një sistemi bovash rreth 2 500m nga linja bregdetare në afërsi të Porto Romanos në Durrës. Në këtë largësi vihet re një thellësi rreth 20m, e projektuar për të pritur anije me gjatësi 250m me një zhytje rreth 15 metra. Fushat e bovave, të quajtura MBM, përbëjnë një nga mënyrat e para të përdorura për ankorim në det të hapur. Normalisht ky sistem përbëhet nga një numër i ndryshëm bovash të ankoruara fort në fund të detit, nga një bovë në sipërfaqe tek e cila lidhet tubi i shkarkimit të mallrave të përziera të lëngshme dhe nga një apo më shumë tubacione, në përgjithësi të zhytyra (të ankoruara dhe/ose të vendosura në fund të detit) me qëllim reduktimin e rezistencave të induktuara nga deti (valë, rryma), që lidhin bovën me serbatorët në tokë, të vendosur në afërsi të bregut. Si përfundim vlerësojmë se, duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të përpunimit të anijeve që trasportojnë hidrokarbure, porti i ri do të bëjë të mundur shkarkimin e anijeve me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Kjo do të sjellë uljen e çmimit të karburanteve në Shqipëri për shkak të uljes së çmimit të trasportit dhe çmimeve më të mira nga rafineritë (për shkak të volumit më të madh). Gjithashtu, me anë të këtij projekti synohet që Shqipëria të kthehet në nyje furnizimi dhe për rajonin.
V. INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E AKTIT Për zbatimin e këtij projektligji ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
VI. PERSONAT DHE INSTITUCIONET QË KANË KONTRIBUAR NË HARTIMIN E KONTRATËS Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Avokatura e Shtetit. Kontrata koncesionare iu dërgua për mendim Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë 3 dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Ministrisë së Mjedisit si edhe Avokaturës së Shtetit. Ajo u riformulua në marrëveshje edhe me palët duke reflektuar në të gjitha sugjerimet e autorëve pjesëmarrës, sugjerime të cilat u pranuan edhe nga pala koncesionare. Kontrata u lidh dhe u nënshkrua nga palët në korrik 2015. Në nenin 63, “Hyrja në fuqi e kontratës së koncesionit”, parashikohet se kontrata e koncesionit u hartua në 4 kopje të njëjta në gjuhën shqipe dhe do të hyjë në fuqi pas miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, dhe pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Palët kanë preferuar të ndjekin këtë rrugë për të pasur një garaci të plotë të legjitimitetit dhe njohjes së kontratës për shkak të: – rëndësisë së veçantë sektoriale që ka kjo kontratë pasi do të operohet në fushën e hidrokarbureve; – impaktit pozitiv që do të sjellë kjo kontratë në ekonominë vendase, si rritja e import – eksporteve në fushën e hidrokarbureve të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e çmimit të karburanteve, punësimin etj; – precedentit të dy kontratave ekzistuese në këtë sektor (Petrolifera Vlorë dhe kontrata ekzistuese në Porto Romano, që të dyja janë kontrata koncesionare të miratuara me miratuara me ligj).
VII. RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE Për sa i takon të ardhurave në buxhet, parashikohet që projekti të ketë një ndikim pozitiv, për sa kohë do të mundësojë përpunimin e tonazheve të larta të hidrokarbureve dhe, rrjedhimisht, edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë më të mëdha. Kostot e ndërtimit të këtij porti nuk prekin buxhetin e shtetit, por do të përballohen tërësisht nga firma koncesionare. Gjithashtu, pas vënies në shfrytëzim të kësaj vepre është parashikuar që koncesionari duhet t’i paguajë një tarifë koncesionare prej 2%/vit shtetit shqiptar. Për sa më sipër paraqitet për miratim kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Trasportit dhe Infrastrukturës dhe firmës koncensionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.