Kuvendi ka diskutuar në seancë plenare projektbuxhetin e vitit 2015 dhe paketën fiskale 2015.
Qeveria planifikon që vitin e ardhshëm të ardhurat totale të arrijnë në 27.8 për qind e PBB-së, me një rritje prej 49 miliardë lekësh krahasuar me këtë vit.
Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015 është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014.
Ndërkaq, Paketa fiskale ka 14 masa në total, nga ku tre masa realizojnë gjenerim të ardhurash, kurse 11 masa konsiderohen nga qeveria se janë lehtësim i biznesit dhe qytetarit, në Shqipëri. Nga taksat e reja efekti pozitiv në buxhet llogaritet 160 milionë dollarë.
Në nisje të seancës, kryeparlamentari Meta bëri më dije projektligjet që do votohen ditën e sotme, të cilët janë 7 dhe gjithashtu prezantoi folësit për këtë takim, i cilësuar si maratonë, për nga kohë-zgjatja që do ketë.
Relatori për projektbuxhetin, deputeti i PS-së, Anastas Angjeli theksoi se synimi kryesor nëpërmjet këtij projektbuxheti mbetet kontrolli i financave publike, mbështetja e sektorit ekonomik dhe shlyerja e detyrimeve.
“ Këto synime jemi duke i realizuar, kemi nën kontroll borxhin publik, rritjen ekonomike të këtij viti e parashikojmë me 2 %. Kemi bërë të mundur shmangien nga rrënimi ekonomik që po e priste vendin nga viti 2013.
Reformat tona janë në rrugën e duhur: ajo territoriale, në arsim, energjetike, ajo në bujqësi etj. Që do t’i japin vendit tonë mundësinë e rimarrjes dhe rritjes ekonomike”, deklaroi Angjeli.
Relatori për Paketën Fiskale, Anëtari i Komisionit të Ekonomisë Ervin Koçi, deklaroi se kemi përmirësuar të gjithë treguesit cilësorë ekonomik dhe raporti ndërkombëtar “Të bërit biznes” e dëshmoi me 40 vendet që ne ngjitëm.
” Ka shumë ndryshime dhe favorizime për biznesin më paketën e re fiskale, qëllimi ëstë të nxisim zhvillimin ekonomik të tyre, duke patur parasysh edhe politikat sociale në favor të nxitjes së punësimit dhe marrëdhënies së re fiskale mes biznesit dhe qeverisë. Synimi kryesor do të mbetet balancimi i taksimit, ku individët me të ardhurat më të ulëta, do taksohen më pak.”, u shpreh Koçi.
Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij, theksoi se ky projektbuxhet jep vizion afatgjatë që kemi për vendin dhe aspirata për të ardhmen.
” Orientimi në tërësi të politikave të BE-së për buxhetet ka qenë mbështetja e kohezionit për zhvillim të integruar dhe harmoni mes sektorëve, në kushtet për rritje ekonomike. Situata ekonomike në europë nuk e frymëzon shumë rritjen, ndërkohë ne kemi zgjedhjen më të rëndësishme europiane: mbështetje të rritjes pa masa shtrënguese. Kjo natyrë buxheti që kemi ushqyer, na jep mundësinë të orientohemi për rezultate të mirëpërcanktuara dhe i japim frymëmarrje afatmesme forcës qeverisëse.”, u shpreh kryeministri Rama.
Kemi 3 pyetje themelore, vijon më tej ai, si të nxisim punësim, si t’i japim njerëzve dije për sfidën e punësimit dhe si të sigurohemi që rritja të përkthehet në mirëqënie.
“ Buxheti do jetë instrument në funksion të njerëzve që duan të punojnë, as të dorëzuar as në kërkim të zgjidhjeve “magjike”, rritja e besimit në stabilitetin ekonomik të vendit dhe sigurimi i kushteve që nxisin investime janë ndër synimet e buxhetit, si vijimësi të buxhetit të parë, me standarte të mirëpërcaktuara dhe zgjidhje realiste, ku potencialet janë të mjaftueshme për rritje ekonomike mbi 4 % në fund të mandatit tonë të parë.”, deklaroi Rama.
Mungesa e opozitës është mungesë e prekshme deklaroi me tej ai, duke argumentuar që njerëzit të kishin një gjykim objektiv, me diskutimet tona, megjithatë kryeministri theksoi se ky buxhet është përplasje diskutimesh me partnerë ndërkombëtar.
Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri Rama listoi të gjitha taksat e reja, të cilat sipas tij, nuk janë rritur në kurriz të popullit sikurse opozita akuzon, por përkudrazi, ky buxhet ul apo zeron 15 taksa, rrit vetëm 3, kjo bëhet për të nxitur prodhimin, punësimin, nxitur sipërmarrjen.
“Në sigurime hiqet tvsh-ja dhe taksë 3 % mbi primin bruto, për ta stimuluar këtë sektor financiar. Ulja e taksës doganatore të naftës bruto, zerimi nga 10% në 0 do stimulojë prodhimin vendas, është komponent që ndikon drejtpërdrejt në shendetin e ekonomisë shqiptare . Apo ulja e rentës mbi lendët përpunuese minerare, është hap i rëndësisshëm për vendin tonë të pasur më lëndë të parë. Kemi ulje të taksës për gomat e reja, si mbrojtje e mjedisit dhe rritje të standarteve të sigurisë rrugore. Kemi zerim të aksicës mbi bitumin natyral, stimulon prodhimin dhe përpunimin. Kemi përjashtim të kontributit të pensioneve, heqja e kamatës për pagesën. Kemi rimbursimin e tvsh-së si lehtësimin e mëtejshëm, ku rrisku është kontroll.Jemi krenarë që kemi hyrë në një marrëdhënie të re me sipërmarrjen”, deklaroi ndër të tjera Rama.
Rama argumentoi taksat që rriten, ndër to ajo e duhanit, si funksion sipas tij, e rritjes së mbrojtjes ndaj shëndetit.
“Së dyti, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoil-in. Besoj ju kujtohet kur u rrit 10 lekë vitin e kaluar, këtu u bë një betejë për të paralajmëruar fundin e botës. Çfarë ndodhi? asgjë nga ato nuk ndodhi. Sot kemi një çmim më të ulët se sa ai që ishte me plus taksën. Ndërkohë që të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo nuk është një dëshirë e qeverisë për të rënduar ata të cilët përdorin makina, por ky është kontribut i atyre që përdorin makina për të patur një mjedis më të pastër e të mbrojtur dhe për më shumë siguri në rrugë.
Së treti, barazimi i tatimit mbi të ardhurat personale dytësore, me tatimin mbi të ardhurat nga paga. kishim një disbalancim nga paketa e shkuar, ku tatonim të ardhurat 15 % nga kompanitë dhe të ardhurat dytësore 10%. Thjesht bëjmë një barazim të këtyre dy niveleve duke i dhënë secilit hakun që i takon. Eshtë një masë që na bën me prova të barabartë në trajtim me të tjerët.”- deklaroi kryeministri Rama.
Kryeministri u mbështet edhe te reforma e re bujqësore në vend, duke listuar anët pozitive të saj, në funksion të nxitjes së prodhimit vendas dhe hapjes së vendeve të punës. “Ne nuk mund të vazhdojmë të subvencionojmë varfërinë, mbijetesën, ne do të mbështesim krijimin zinxhirit të vlerave në bujqësi, duke vendosur parakushtin ku sektori duhet të hyjë në sistem, në shembullin e kompanive që bëjnë sukses sot, dhe kanë arritur shifra rekord në eksport, pa asnjë mbështetje nga shteti”, deklaroi Rama.
Sa i përket shëndetësisë, kryeministri u shpreh se viti 2015 fillon me kontrollin shëndetësor bazë falas për të gjithë personat nga 40 deri 65 vjeç. Duam të ngrejë sistemin e shërbimit e urgjencës shëndetësore në një nivel të ri.
Duke u ndalur te policia shqiptare, kryeministri deklaroi do kemi rritje të numrit të policëve të shkolluar, për të plotësuar standartet e duhura.
Deputeti i PS-së Gramoz Ruçi listoi arsyet se pse duhet votuar ky projektbuxhet.
“Ky pr/buxhet synon nxitjen dhe rritjen ekonomike, vazhdimin dhe konsolidimin fiskal, forcimin dhe stabilitetin makro-ekonomik të vendit, ruajtjen e stabilitetit ekonomik, forcon mbrojtje sociale ndaj shtresave në nevojë, redukton deficitin, nxit mirëqënien. ”
Deputeti Pandeli Majko deklaroi se këtë vit nga buxheti i taksapaguesve janë paguar 260 mln dollarë nga borxhet ndërsa deri në fund të vitit do paguhen të tjera dhe shuma do arrijë në 350 mln dollarë. “Ndërkohë që qeverisim ne paguajmë për rrugët e bëra në 2006, në 2009 etj”,u shpreh ai. Ndërkaq, mes të tjerave ai foli per rritjen e akcizës së duhanit, duke konstatuar se ajo nuk i shërben shëndoshjes së familjes shqiptare, prishja e familjeve lidhet sipas tij, me pijet alkoolike edhe me ekzistencën e pikave të basteve e lojërave të fatit. “Me këtë buxhet nuk shikoj ndonjë taksë për lojërat e fatit.”, deklaroi Majko.
Ministri i Ekonomisë Ahmetaj deklaroi në seancën e sotme parlamentare se gjetëm 726 mijë dollarë borxhe dhe po punohet për përmirësimin e çdo sektori në vend, për të zhvilluar një model të ri ekonomik, i cili do të na çojë përpapra.
” Gjej rastin të ndaj me ju se 2015 do injektojë në ekonomi 1 miliard dollarë para publike.Sigurisht që buxheti ka detyrimin të trajtojë qytetarin me përgjegjshmëri. Pagesat e mbrapambetura janë ne favor të marrëdhënies së re me sipërmarrjen, përmirësimi i disa kompotentëve të të bërit biznes ka bërë që ne të kërcejmë 40 vende, ky është indikator që tërheq investime të reja. Ndërkohë që nga negative outlook-u i zhvillimit tonë, sipas ndërkombëtarëve u shndërrua brenda vitit në B dhe pastaj stabël. Synimi ynë: Rritja ekonomike në fund të mandatit prej 4.5 %.”, u shpreh Ahmetaj.
Më tej, ministri shtoi se viti 2015 do të konsolidojë rritjen ekonomike, pasi do vijohet me reformat tona.
“ Flasim me krenari që kemi filluar të ndërtojmë një model të ri ekonomik: do zëvendësojmë importet me prodhimin vendas.”, deklaroi Ahmetaj, duke listuar më poshtë sektorët ku do ndodhin ndryshime, që sipas tij, na sjellin zhvillim.
” Sektori i manifakturës, industria fasone i jep 144 milion dollarë exporte, mbi 6 mijë vende pune.
Industria kimike dhe plastike, ka rritur 40 % exportet
Bujqësia, paketa e saj do jetë nga ekonomi e fragmetuar në ekonomi shkallë, gjithçka në favor të fermerit.
Sektori energjetik dhe minerar, ka sfida më të mëdha për zhvillimin tonë. reforma që po ndërmarrrim 200milion dollarë për strukturimin e tij në 2015, do na përkthehet në mbështetje për 3 vite, në vend që të marri subvencionohet, do kthehet në të ardhura në buxhet. Edhe për mineraret, kërkojnë mbështetje tani, do zhvillohet më vonë.”, u shpreh Ahmetaj.
Ministri i Mjedisit Lefter Koka deklaroi nga ana e tij se buxheti 2015 do të zbatojë një sërë projektesh të rëndësishme për garantimin e një Shqipërie të pastër e të gjelbër, vlera e të cilave arrin shifrën e 365 milion lekëve.
” Nga buxheti i shtetit, për pyllëzimin e zonave të mbrojtura është parashikuar një shumë prej 100 milion lekësh. 20% e pyjeve ka kaluar në administrimin e pushtetit vendor. Do të ishte më e duhur që me reformën e re administrative pyjet të kalonin të gjitha tek pushteti vendor.“, u shpreh Koka.
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u shpreh pozitiv për reformën e re në këtë sektor dhe deklaroi se me këtë paketë, bujqësisë shqiptare i jepet një rritje prej 26%.
“Shqipëria do ketë për herë të parë hartën e realizimit të prodhimeve bujqësore, e cila do të bëhet publike të premten.“, deklaroi Panariti.
Zv.kryeministri Niko Peleshi theksoi shifrat të cilat po investohen për uljen e borxhit publik, sipas tij, që ky pr.buxhet është në rrugën e duhur për të arritur objektivat e rritjes ekonomike që synohet.
“Buxheti i 2015 është buxheti i investimeve të mëdha. Ne po ulim borxhin dhe po rritim investimet. Për të dytin vit radhazi po injektojmë në ekonomi rreth një milionë dollarë”, tha Peleshi.
Ndërsa Haxhinasto, ministër i Transporteve, deklaroi në seancën e sotme se parësore për objektivat e renditura mbetet furnizimi me ujë në të gjithë vendin. Do të rritet furnizimin aktual me ujë, që mesatarisht sipas tij, është 16 orë ujë në ditë.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ripërsëriti buxhetin që do shkojë për dixhitalizimin e regjistrave kombëtare, si një plan thelbësor për rimëkëmbjen e sistemit dhe futjen në standartet e duhura europiane.
“Së shpejti do bëhet efektiv, komisariati dixhital. Një zë më vete e parashikon edhe rikonstruksioni I ambienteve të Forcave Speciale dhe Ndërhyrjes së Shpejtë, që deri më sot janë trajtuar si mercenarë që lëshoheshin aty këtu dhe askush nuk mendonte për gjendjen e tyre. Po ashtu, do të bashkojmë Regjistrin e Gjendjes Civile me Regjistrin e Adresave. Bashkimi i tyre do të shuajë përfundimisht problemet me listat e zgjedhësve dhe do të japë mundësinë të kemi llogaridhënie të plotë për qytetarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Tahiri.
Ministri Gjiknuri sakaq u shpreh se synimi mbetet kthimi i sektorit energjetik në një burim fitimi. “Ta kthejmë në fitimprirurës në 2018-ën. Ne po përpunojmë edhe strategjinë për të të diversifikuar burimet e energjisë.”, deklaroi Gjiknuri.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla lançoi programin e ri “Mësues për Shqipërinë”, që do të mundësojë dhënien fund të situatës së papranueshme, sipas saj, të 26% të fëmijëve që arsimohen nga mësues pa arsim. Një fond prej 2.5 milionë lekësh do të financojë restaurimin e objekteve dhe ambienteve arsimore.
Ndërsa ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh se buxheti i alokuar për institucionit të cilin ajo e drejton, nuk eshte i mjaftueshëm, megjithatë ajo deklaroi se shumat e parashikuara për paga dhe sigurime do t’i nënshtrohen një analize ekspertësh, me qëllim që të reduktohen shpenzime për funksione ineficente.
Pr.ligjet që priten të miratohen sot:
– Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.
– Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar.
– Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
– Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr 9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar.
– Projektligji “Për buxhetin e vitit 2015”.
– Projektligji “Për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi”.
Seanca përfundoi pas mesnate, votohet në parim pr.buxheti 2015
Rreth 20 minuta pas mesnatës ka përfunduar diskutimi maratonë i deputetëve dhe kryeparlamentari Meta thirri deputetet e pranishëm për të votuar në parim projekt buxhetin e vitit 2015 dhe paketën e re fiskale, i cili u votua nga 77 deputetet.
Përgatiti: Deada Hyka
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.